Opinione / Editoriale

Nuk ka progres në shëmti; Në qilimin e samitit të Tiranës


Bordi Editorial

Nuk ka progres në shëmti dhe ai nuk ndodh duke harxhuar kohën midis zhgënjimeve të së kaluarës dhe shpresave utopike për të ardhmen.

Është koha të vendosen fijet në Veg për endjen e qilimit të së ardhmes.

Një qilim, ku lart shihen fijet e perit, dhe më poshtë shkruan Tirana WB6 Summit, është pamja që do shohin, derisa do ulen rreth një tavoline kingarturiane të rrumbullaket për të treguar dëshirën për barazi, nëse jo realitetin e barabartë.

Ky është seti që, nesër, do të plotësohet me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor për samitin në Tiranë.

Qilimi i punuar në Veg ka mundur të mendohet si një referencë kombëtare, por si pak çka tjetër ka kapur edhe një tjetër globale.

Punimi në Veg si koekzistim i fijeve që s’është e thënë të jenë krejt të njëjta për të krijuar harmoninë dhe lidhjen deri në pandarje.

Dhe, më pas, qilimi, si dhe fuqia e rrugëtimit përmes tij. Është i njohur tregimi i Mbretit Solomon, Liderit Unifikues, djalit të Davidit dhe qilimi i tij gjigant.

Legjenda e Solomonit thoshte se qilimi i tij magjik ia mundësonte të bënte mëngjesin në Damaskë e të drekonte në Medinë.

Pse udhëtonte aq shpejt Solomoni nuk ishte krejt te vet qilimi, por ulja në të detyronte erërat t’i përcillnin dëshirat lëvizëse të udhëtarit.
Qilimi magjik, më vonë, do të shndërrohej në fiksionin favorit edhe të Perëndimit.

Ai përfaqësonte udhëtimin e shpejtë në drejtimin e duhur dhe dëshirën e udhëtarit që e ndihmon edhe era.

Normalisht, politika – sidomos ajo në Ballkan – di të jetë shumë më e thatë, më shterpe dhe refuzuese ndaj referencave artistike e letrare.

Por, a s’është koha të ndryshojë? Dhe, pse të mos ndodhë ky ndryshim me qilimin magjik në Tiranë dhe dëshirën e udhëtarit (mikpritësit të Samitit) për një udhëtim të shpejtë drejt destinacionit që kërkohet.

Mbase ndihmojnë edhe erërat, ndoshta kanë dashur gjithmonë, por janë hutuar nga dëshirat e papërcaktuara deri më sot.


Lajmet kryesore