Opinione / Editoriale

Një urim për Albanian Post: T’ju kopjojnë, pa ju vjedhur


Çdo media e re që lind është një festë më vete. Ky është një opinion i pandryshueshëm që ndaj prej më shumë se një dekadë e gjysëm, që kur në horizontin e mjegullt të gazetarisë në Shqipëri filluan të gëlojnë mediat online.

Me gjithë polemikat kundërthënëse pro dhe kundër tyre, me gjithë debatin pro informimit serioz apo riskut të fake news, ende edhe sot mbetem i mendimit, se me gjithë të mirat dhe të metat e saj kjo lloj e re e të bërit gazetari, përbën një hap përpara drejt lirisë së shprehjes një armë më shumë në betejën e pushtetit të katërt, një hapsirë më të pakontrollueshme nga regjimet dhe autokratët.

Nëse “revolucionin” e parë në këtë fushë, në fillim të viteve ’90, e bënë gazetat e pavarura, që më pas degraduan në mjete shantazhi në duar të një pronari të vetëm, nëse me hyrjen e shekullit të ri lulëzuan TV private që me kalimin e kohës patën të njëjtin fat, pa vënë dot bast për fundin e tyre të ciklit, mediat e reja i kam konsideruar gjithmonë si një klithmë e fundme e gazetarëve për tu çliruar nga vargonjtë e pronarëve, nga kontrolli politik dhe deri diku ai i parasë.

Edhe në më të keqen e tyre ato janë sërisht një hapsirë lirie, një mundësi më shumë që në shoqëri si tonat ti shpëtohet kontrollit të një kaste të reduktuar që dominon edhe pushtetet e tjera.

Në këtë kuptim një “kazan” që vlon është më mirë sesa një ujë i ndenjur.

Po me këtë sy e shoh si festë edhe lindjen e “Albanian Post”, pra si një zgjedhje plus për të gjithë, qoftë edhe për ata që nuk do ta duan dhe nuk do ta besojnë.

Ajo është një media e re në një kontekst të ri dhe për këtë duhet përshëndetur. Me sa shoh nga dita e saj e parë në mesin tonë, synimet janë ambicioze. Më shumë informacion, më shumë lajme video për këtë risi që nuk është as thjeshtë një portal dhe as një TV tradicional në kuptimin anakronik të fjalës.

Ndaj urimi është: mirë se erdhët. Përpiquni ti qëndroni besnikë ambicies tuaj. Tentoni të jeni një zë i spikatur më shumë në peisazhin tonë plot ngjyra, që herë të bën ta duash dhe herë ta urresh. Mëtoni të krijoni sa më shpejt një model për tu kopjuar dhe natyrisht, pa ju vjedhur siç ndodh rëndom tek ne me mediat e mira.


Lajmet kryesore