Opinione / Politikë

Nga bankiere, princeshë dhe udhëheqëse, jetët e shumëfishta të Asma Assad-it


Nicolas Pelham Korrespodent i The Economist për Lindjen e Mesme

Verën e kaluar, një foto e Zonjës së Parë të Sirisë do të bëhej virale në rrjetet sociale. Asokohe, në veriperëndim të Sirisë, trupat qeveritare po përplaseshin me xhepat e fundit të rezistencës rebele ndaj regjimit.

Imazhi i një familjeje majë një kodre fiksuar në një foto. Asma Assad, bashkëshorti i saj Bashar al-Assad, dhe tre fëmijët e tyre, teksa mbroheshin nga ushtarë veshur me kamuflazh.

I veshur sportiv, i qetë, Bashar të krijonte përshtypjen sikur qe gati për shëtitjen e së dielës me familjen e tij, ndryshe nga pamja e një tirani, gati për torturimin e disidentëve.

Ajo qëndronte stoike, me krahët lëshuar anash, mbathur një palë xhinse të bardha, atlete dhe syze aviatori, aq të lakmuara nga autokratët e Lindjes së Mesme.

E rrallë, por ajo qëndron në qendër të fotos, kurse Bashar-i, udhëheqësi i Sirisë, qëndron mbështetur te shpatullat e saj.

Pas krahëve të tyre, një peizazh i qetë, por mashtrues. Dhjetë vjet pas Pranverës Arabe, kohë gjatë të cilës miliona njerëz u ngritën kundër regjimeve shtypëse në Lindjen e Mesme, familja e Bashar al-Assad-it e ka ruajtur pushtetin në Siri, por me një kosto të frikshme.

Forcat e regjimit kanë vrarë qindra mijëra sirianë dhe kanë torturuar më shumë se 14 mijë njerëz për vdekje. Gjysma e popullsisë kanë zgjedhur rrugën e largimit nga shtëpitë e tyre. Duke sjellë kështu krizën më të madhe humanitare që nga Lufta e Dytë Botërore.

Shtetet, si Irani, Turqia, Amerika dhe Rusia kanë ndërmjetësuar për përmirësimin e situatës në tokën siriane.

Në Siri ëndrrat shpresëdhënëse për liri vazhdojnë dhe shtypen brutalisht, nga regjimi i egër i Bashar al-Assad-it.

Sidoqoftë, Asma është më e fuqishme nga sa ka qenë më parë.

Për të mbërritur deri aty ku është sot, mbi këtë tokë të shkatërruar nga Lufta Civile, i është dashur të përshkojë një rrugëtim të mbushur me role të shumëfishta.

Një bankiere e J.P. Morgan, që nënshkruan marrëveshje natën vonë. Zonja e Parë magjepsëse, që pat menduar se reforma shoqërore dhe rrobat e firmës, do të modernizonin një shtet.

Një Marie Antoinette nga Damasku, duke bërë pazar, ndërsa vendi i saj digjet.

Një nënë për kombin, që lufton me kancerin, ndërsa trupat ushtarake të burrit të saj shtypin kryengritësit.

“Ajo ishte shumë angleze dhe dukej se nuk donte të kishte asnjë lidhje me Sirinë”.

E huaj dhe familjare

Gruaja, e cila është cilësuar dikur nga revista “Vouge” si “trëndafili i shkretëtirës”, dhe tani “Zonja e Parë e Ferrit”, nuk do ta kishte të lehtë për të mbërritur aty ku është sot.

Asma Akhras u lind në 1975 në Acton, në një lagje të varfër të Londrës Perëndimore.

Ashtu si shumica e sirianëve, prindërit e saj qenë të besimit Myslimanë Suni (grupi mbizotërues në Siri deri në vitet 1960, kur një sekt i vogël, i margjinalizuar, i quajtur “Alavitë” do të bënte një grusht shteti).

I ati i Bashar-it, Hafez Assad, pjesë e komplotit, e deklaroi veten udhëheqës në 1970-n.

Prindërit e Asmës mbërritën në Londër, në kërkim të një jete më të mirë. Askujt nuk i kujtohet që të ketë shfaqur ndonjë interes për Lindjen e Mesme.

Gjatë vizitave në Damask me prindërit e saj, ajo do ta kalonte kohën e saj pranë pishinës në hotelin Sheraton.

“Ajo ishte shumë angleze dhe dukej se donte të mos kishte asnjë lidhje me Sirinë”, thotë një mik i familjes.

Të paktë ishin ata që u befasuan kur ajo fitoi vendin e punës në J.P. Morgan, një bankë investimesh. Stafi aty punonte me orare të tejzgjatura, deri në 48 orë, madje flinin në zyrë.

Por, e ëma e saj, Sahar, kishte plane ambicioze për Asmën. Sakaq, xhaxhai i saj i madh e kishte ndihmuar Hafez Assad-in të merrte pushtetin.

Nëna e saj do ta përdorte këtë lidhje, për të gjetur një punë në Ambasadën e Sirisë në Londër. Ndërkohë ajo ishte gjithashtu e etur për të caktuar një takim midis Asmës dhe Bashar-it, djalit të dytë të Hafez-it, sipas Sam Dagher, autor i “Assad or we burn the country” (“Assad, ose ne djegim vendin”).

Në fund të vitit 2000, kur Asma u zhvendos në Damask, Hafez kish vdekur, por trashëgimia e tij ishte e kudogjendur, nga arkitektura e stilit sovjetik, te tabelat reklamuese ku shpërfaqnin portretin e tij.

Mbështetja e tij ndaj organizatave terroriste në të gjithë rajonin kishte shkëputur Sirinë nga Perëndimi. Bashar-i ishte mundësia e vetme për të rivendosur marrëdhëniet.

Asma dukej një bashkëshorte premtuese për udhëheqësin e ri sirian. Mbretëresha Rania e Jordanisë, Sheikha Moza e Katarit, madje Princesha Diana në Britani, të gjitha shërbyen si modele për mënyrën se si një Zonjë e Parë magjepsëse mund të bëhet shtysë për reformat e vendit.

Partia sekulariste Baath e Sirisë praninë e grave në role publike e bëri më të pranuar, ndryshe nga shumica e vendeve arabe.

“Mendova se kombinimi i të dyve do ta kthente Sirinë në një parajsë”, tha Wafic Said, një mërgimtar i pasur sirian, i cili u miqësua me çiftin.

“Familja Assad e urrente atë”, tha Ayman Abdel Nour, një këshilltar i Bashar-it gjatë asaj kohe. “E mbajtën brenda shtëpisë për vite të tëra”. Jeta në shtëpinë Assad qe e mjerueshme për Asmën.

Pjesa tjetër e elitës në pushtet nuk ishte aq miqësore. Reformat e Bashar-it u përballën me bllokime rrugësh, veçanërisht nga ish-aleatët e babait të tij.

“Hafez Assad ishte një oktapod që kontrollonte tentakulat”, tha një biznesmen që punonte me regjimin.

“Bashar-i fillesat i pati si një oktapod i kontrolluar nga tentakulat e tij”, vijon ai.

Ndërsa Bashar-i çimentoi fuqinë e tij, Asma përmbushi me rregullsi detyrën e “mbarështueses”.

Ajo solli në jetë tre fëmijë në një periudhë të shkurtër, dy djem dhe një vajzë. Ndërkohë vijonte të vishej si një bankiere.

Agata dhe hijeshi

Bashar-i kish pasur më shumë se kurrë nevojë për aleatët e tij. Gruaja e tij britanike mund ta ndihmonte për të qetësuar qeveritë perëndimore.

Ai i premtoi Asmës se do t’i hidhte pas krahëve fjalët e nënës së tij dhe ra dakord duke e caktuar “Zonjë të Parë” (media shtetërore e Sirisë filloi ta përdorte termin vetëm pasi Anisa Assad vdiq në 2016).

Më në fund, Asma kishte fituar një vend në tryezë.

Dy muaj pas ekzekutimit të Haririt, në prill të 2005-s, Asma qëndroi krah burrit të saj në varrimin e Papa Gjon Pali II.

Pak pjesëmarrës donin t’i shtrëngonin dorën Bashar-it, ndërkohë që Asma diskrete dhe joshëse me një vello të zezë me dantellë, tërhoqi më më shumë vëmendje rreth vetes. Në fotot e asaj kohe shfaqet në shoqërinë e liderëve botërorë.

Ky qe një moment kyç për çiftin. Deri në atë kohë, Asma, gruaja e huaj, ishte lënë mënjanë. Por, që nga ai çast, ajo do të luante një rol qendror në rehabilitimin ndërkombëtar të Bashar-it.

Ish-këshilltari i Bashar-it, Abdel Nour, tregon, “ajo ishte ambasadorja e tij në të gjitha vendet me të cilat ai nuk mund të përzihej dhe nuk donte të përzihej”.

Asma ndryshoi pamjen e saj.  Me këpucët Stileto dhe vathët e saj u rritën me disa inç. Megjithëse as ajo dhe as Bashar nuk kishin veshur një unazë martese, në qafë u vareshin agata mbretërore.

Ofensiva e hijeshisë funksionoi. Vetëm disa muaj pas vrasjes së Haririt, New York Times shtronte pyetjen nëse ata përfaqësonin “thelbin e shkrirjes laike perëndimore-arabe”.

“U magjepsa”, rrëfen një diplomat sirian tanimë në mërgim, i cili organizoi një turne evropian për çiftin.

“Kur e takon, ajo është e dashur. Kurse ai është ndryshe nga diktatorët e tjerë në Lindjen e Mesme. Duket modern dhe më i sofistikuar. Kjo është çka e bën atë kaq të rrezikshëm”.

Projekti tjetër i Asmës ishte vetë Siria. Pas dekadash të planifikimit qendror dhe kufizimeve të importit, ajo kërkoi që sektori bankar të hapej për kompani private, të drejtuara nga jashtë.

“Ajo donte ta kthente Damaskun në një Dubai rajonal, një parajsë fiskale pa kontrolle financiare”, kujton një ekonomist sirian.

Asma shpejt gjeti një mënyrë të re për të zgjeruar ndikimin e saj. Në fillim të martesës së saj, ajo ishte e angazhuar me bamirësi dhe synonte t’i unifikonte projektet e saj brenda një organizate të vetme, “Trust-i i Sirisë për Zhvillim”.

Pjesa më e madhe e diplomatëve perëndimorë në Damask, e mbështetën me kënaqësi besimin e Asmës.

Ajo magjepsi Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara, Bankën Botërore dhe Katarin, që dhanë miliona dollarë për të financuar vizionin e saj.

Një stuhi artikujsh në gazetë festuan “rilindjen kulturore” të Damaskut, siç e quante Asma. “Kështu luftohet ekstremizmi, përmes artit”, thoshte Bashar-i.

Ndërsa “ylli” i Asmës ishte në ngjitje, profili ndërkombëtar i Sirisë gjithashtu po përmirësohej.

Kaos dhe pluhur

“Siria po përballet me një komplot të madh”, deklaroi Bashar. Ai etiketoi pamjet e forcave të sigurisë që qëllonin protestuesit si “informacion të rremë”.

Ai hodhi poshtë thirrjet për reformë, duke thënë se ato ishin mbulim i një komploti të huaj të paspecifikuar.

“Ishte regjimi i vjetër duke folur”, thotë një nga anëtarët e bordit të Asmës (ai u largua nga Siria menjëherë pas fjalimit).

Pas fjalimit, demonstratat u rritën në numër dhe shtrirje çdo javë, zakonisht duke u mbledhur pas lutjeve të së premtes.

Kështu filloi një cikël përshkallëzimi i funeraleve, protestave dhe dhunës. Përgjatë një muaji, reagimi i regjimit u bë më i egër.

Ndërsa Siria përfundoi në kaos, kështjellat e Asmës “u tretën në ajër”.

Në teori, Asma mund të kishte shkuar në Londër. Kishte oferta për kalim të sigurt, të shoqëruara, me sa duket, nga shpërblime të vendeve të Gjirit.

Qeveria britanike vazhdimisht deklaroi se, si një qytetare britanike, ata nuk mund ta ndalonin atë të hynte në vend.

Pa një rol publik tanimë, Asma u përqendrua në rregullimin e shtëpive. Në vitin e parë të kryengritjes, ajo shpenzoi 250 mijë paund për mobilie.

Asma, me shaka, i referohej vetes si “diktatori i vërtetë” në familjen e Asadd-it.

Zbavitjet e blerjeve të Asmës u zbuluan nga publikimi i mijëra e-mailesh nga “The Guardian” në vitin 2012.  Si dhe të tjera të botuara nga WikiLeaks.

Email-et hodhën dritë edhe mbi martesën e Assad-it. Shumë besojnë se aleanca kishte për qëllim kryesisht sigurimin e interesave të të dyja familjeve.

Më 28 dhjetor të 2011-s, ndërsa tanket bombarduan qytetin e lindjes së familjes së saj, Homs, Asma i shkroi Bashar-it, “Nëse jemi të fortë së bashku, do ta kapërcejmë këtë së bashku… Unë të dua”.

Disa ditë më vonë, kur ajo i dërgoi e-mail batta-s së saj (“rosak” në arabisht), emri me përkëdheli për burrin e saj, ai u përgjigj me një zemër. Ajo ia ktheu: “Ndonjëherë natën, kur shikoj qiellin, filloj të mendoj për ty dhe pyes veten, pse? Pse të dua ty? Mendoj dhe buzëqesh, sepse e di që lista mund të vazhdojë me kilometra”.

Në shkurt të 2012-s, Bashar-i dukej se po i kërkonte falje për vardisjet e tij, duke i dërguar asaj një këngë perëndimore me tekst: “Unë jam një rrëmujë për veten / me personin që kam qenë kohët e fundit / nuk është ky ai që dua të jem”.

Pa kaluar shumë kohë, Asma lëshoi ​​deklaratën e saj të parë zyrtare që nga fillimi i kryengritjes: “Presidenti është presidenti i të gjithë Sirisë, jo kryetari i një fraksioni sirianësh dhe Zonja e Parë e mbështet atë në këtë rol”. Ajo po qëndronte krah burrit të saj.

Të nesërmen e deklaratës, ndërsa bota do të shihte imazhet e fotove që u postuan në Facebook, të cilat tregonin aktivitetet zyrtare të Zonjës së Parë.

Njëra prej tyre tregonte atë dhe burrin e saj, të ulur në një ballkon të zbukuruar me lule me mbishkrimin: “Dashuria është një vend i udhëhequr nga një luan që shuan komplotet dhe një Zonjë e Parë që i dedikohet atdheut të saj”.

Në vitin 2014, një grup ekstremist suni, përfitoi nga kaosi për të krijuar një “kalifat” të ashtuquajtur “Shteti Islamik”, që shtrihej në Siri dhe Irak. Egërsia e saj sektare paraqiti një kërcënim serioz për forcat e Bashar-it, si dhe justifikoi Iranin dhe Rusinë në mbështetje të tij.

Rosaku dhe vjehrra

Pothuajse në çdo pëllëmbë të vendit u luftua. Në vitin 2016, Bashar-i rimori Alepo-n, qyteti i fundit nga qytetet e mëdha. Gati gjysma e qyteteve të Sirisë janë kthyer në rrënoja.

Kombet e Bashkuara hoqën dorë nga përpjekjet për bilancin e numrit të të vdekurve të luftës, kur ajo tashmë kishte arritur gati gjysmë milioni. Më shumë se 10 milionë sirianë u larguan.

Kur Anisa, nëna e Bashar-it, vdiq në shkurt 2016, Asma humbi kundërshtaren e saj më të fuqishme. Megjithatë, ndryshimi i madh ishte një sprovë e rëndë personale.

Në vitin 2018, Asma u diagnostikua me kancer gjiri. Sëmundja nuk e ndaloi atë, duke menaxhuar me kujdes imazhin e saj publik, që të sigurohej se të gjithë e dinin që ajo do të qëndronte në Siri për kurim.

Lufta e saj kundër sëmundjes u dokumentua në detaje nga media shtetërore dhe në kanalet e mediave sociale të presidencës. Madje, u filmua duke u futur me karrocë në sallën e operacionit.

Asma bëri një përpjekje të ndërgjegjshme për të maskuar britaniken brenda saj. Ajo punoi aq shumë për arabishten e saj, saqë edhe sirianët nuk mund të dallonin më theksin anglez.

Ajo injoroi kërkesat për intervistë nga media perëndimore, duke pranuar vetëm oferta nga mediat ruse dhe ato lokale.

Megjithëse Asma i kishte kthyer shpinën Perëndimit, struktura e saj me donatorë ndërkombëtarë vazhdoi.

Ish-bashkëpunëtorët thonë se Bashar-i ishte i kënaqur me suksesin financiar të gruas së tij dhe mirënjohës për ndihmën e saj.

Pas një lufte dhjetëvjeçare, ai është i lodhur. Ndërsa ekonomia nuk ka qenë kurrë aspekti i tij i fortë. Asma u bë “këshilltarja kryesore ekonomike”, sipas një lobisti për Asadd-ët në Evropë.

Suksesi financiar dhe makineritë e pamëshirshme kanë prishur imazhin e Asmës të kultivuar me aq kujdes. “Disa ende e duan, vendosin foton e saj në faqen e tyre në Instagram. Por shumica tani e perceptojnë atë si një person lakmitar e të poshtër”, tha një biznesmen sirian.

Megjithatë, këto ditë, askush nuk e akuzon Asmën se nuk arrin të kuptojë sesi funksionon Siria.

Në fund të vitit të kaluar, banorët e lagjes, ku jeton Asma në Damask, vunë re një ndryshim surreal në peizazh. Një statujë e vjetër e një koloneli të lavdëruar u bashkua me një të re.

Një skulpturë e kokës së një kali, në drejtimin e bashkëpunëtorëve të biznesit të Asmës. Vendasit u ankuan për ekstravagancën e saj.

Sipas raporteve në gazetat e Gjirit, autoritetet e zhvendosën kokën e kalit. Disa orë më vonë u kthye. Mesazhi ishte i qartë: në Sirinë e pasluftës, vendimet i merr Asma.

Media shtetërore e quan Asmën si “Zonja e Jaseminës”.

Shumë nga këshilltarët e saj më të afërt plotësojnë postet kryesore në zyrën e presidentit.

“Ajo është në kontroll të të emëruarve në pallat”, tha një biznesmen, i cili udhëton midis Damaskut dhe Evropës. “Ajo mund të nominojë kë të dojë”.

“Ajo do të dëshironte të ishte presidente”, tha ai.

Si në Damask dhe atje ku jetojnë, sirianët hamendësojnë se ajo strehon ambicie politike për t’u ngjitur në majë. Nëse pozicioni i Bashar-it bëhet i paqëndrueshëm, a mundet një presidente si Asma të ofrojë një copë për shumicën sunite të vendit duke ruajtur vazhdimësinë?

Ka madje thashetheme që, një anëtar i familjes, u takua me zyrtarë amerikanë për të kërkuar mbështetje për një skemë të tillë.

“Bashar-i dhe Asma po mendojnë të dy për këtë”, thotë një ish-diplomat sirian. “Ajo do të dëshironte të ishte presidente dhe të dy po e konsiderojnë atë si një zgjidhje revolucionare për të shpëtuar regjimin”.

Ajo është më e fuqishme se kurrë, por edhe më e prekshme. Edhe bisedat për ambiciet presidenciale mund të jenë të rrezikshme për Asmën. Megjithëse shumë nga miqtë e Asmës u distancuan nga ajo vite më parë, ata mbeten të shqetësuar për mirëqenien e saj.

Duke synuar çmimin më të madh, vajza nga Londra Perëndimore më në fund mund të tejkalojë veten…

Përshtatur nga The Economist për Albanian Post


Lajmet kryesore