Albanian Post

Albanian Post është medium i ri për botën shqiptare, dhe jo vetëm.

Shumëkush do të thotë pse nuk u quajt shqip: Postë shqiptare, pasi që ky është kuptimi dhe porosia.

Pse-ja e parë lidhet me çështjen e indeksimit në hartën gjithnjë e më të populluar, me rritje marramendëse eksponenciale, të zërave medial në regjistrin e rrjetit global të komunikimeve.

Për brendim global titulli Albanian Post është shumëfish më potent dhe më referues se Postë shqiptare, që gjithësesi duhet të mbetet si bashkë-emërtim.

Në makinat kërkuese (search engines) si Google, dy zërat mbeten me reference të sinonimisë.  E dyta, Post është fjalë çelës për një traditë tejet të çmuar në botëm e komunikimeve dhe të shtypit të lirë dhe demokratik, të cilën duam ta ndjekim dhe t’i përkasim.

Emërtimi thekson EDHE modelin hijerëndë të Postës, si institucion i Modernës që komunikimet sociale i ka zhvilluar ngjashëm me sistemin nervor të njeriut.

Modeli Postë sot është shumëfish më i avancuar, i mbisunduar nga megakompanitë teknologjike që i kanë sintetizuart lidhjet e shumta të ndërsjella në rrjete planetare.

Bota e jonë shqiptare pashmangshëm përfshihet në këto rrjete, jo pa sfida dhe mëdyshje. Mediet tradicionale janë duke u zhdukur dita ditës.

Dhjetëra, qindra  portale po bëhen ofertë e përditshme me buqete informatash, shpesh copy paste. Kudo që jeni me celular apo laptop, mund të kyçeni lehtësisht në rrjete interaktive.

Nuk çuditeni aspak kur kuptoni se dikush që jeton në Alpet shqiptare, poston koment në New York Times, ose flet me miq virtual në skajin tjetër të botës (p.sh. në Arroyo Kosovo, që d.m.th. Pelgu Kosovo, një krahinë në jug të Argjentinës që, për kuriozitet, e ka këtë emërtim!)

Megjitatë, ndryshimet e  shpejta të kodeve të komunikimit, por edhe ngecjet në përvetësimin dhe përshtatjen dijeve dhe teknologjive të reja, disa i përjetojnë si rrezik pothuajse ekzistencial, duke përhapur frikën se proceset e globalizimit çojnë drejt gëltitjes dhe përmbytjes së veçantive dhe autoktonisë identitare të kultures arbërore.

Ne besojmë se nuk duhet t’i frikësohemi këtyre sfidave.

Në botën të interakcioneve sociale që po zhvillohen marramendshëm, Albanian Post synon që të jetë platformë e hapur dhe stimuluese e demokracisë, barazisë dhe progresit sipas modeleve më të avancuara bashkëkohore. Dhe, jo të struket me inercion në standard të qarkut të mbyllur ndërshqiptar ku ndiqet logjika e vetëmjaftueshmërisë.


Lajmet kryesore