Opinione / Editoriale

Na pëlqen të lëmë gjurmë, jo plagë


Duke shkruar editorialin tim të parë të ‘Albanian Post’ për publikun shqiptar, nuk mund të mos kujtoja një letër që, Faik Konica, i dërgoi një gazetari të ri përpara se të hapte gazetën e tij në gjuhën shqipe, në Egjipt.

Në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha, shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend.

Me pak fjalë, ata që bëjnë një gazetë, ata që krijojnë një medium, duhet të përgatiten për të marrë kritika dhe akuza të të gjitha llojeve. Rruga e gazetarisë është e shtruar me kurthe, gracka, kërcënime dhe madje edhe tundime.

Në botën e internetit, ne me krijesën tonë, ‘Albanian Post’, po shkojmë drejt një pylli kryesisht të pashkelur, ku rreziqet janë edhe më të mëdha se ato me të cilat kategoria e shkrimtarëve të lajmeve ishte mësuar të përballej në dekadat e kaluara.

Ne jetojmë në epokën e lajmeve të rreme, të manipuluesve që veprojnë në rrjetet sociale, shpesh në shërbim grupimesh të ndryshme a të inteligjencave dhe spiunazheve të shteteve të ndryshme. Kontrolli i kujdesshëm dhe i përpikte  i burimit të çdo lajmi dhe besueshmëria e tij është bërë një domosdoshmëri për këdo që dëshiron të bëjë një gazetari cilësore sot.

Atëherë ekziston një pyetje e lashtë e këtij profesioni: çfarë të botosh dhe çfarë jo? Për t’iu përgjigjur kësaj, mbi të gjitha, cilësia dhe besueshmëria e një media qëndron pikërisht në kriteret që ajo zbaton për të zgjedhur lajmet që boton.

Ne do të ndjekim një rregull antik të këtij profesioni: “Gazetaria nuk mund të heshtë kurrë”. Që do të thotë të botosh gjithçka që plotëson kërkesat e lajmit: një burim i besueshëm dhe i verifikuar, interesi i përgjithshëm, natyra e jashtëzakonshme e ngjarjes. Siç dikush shkruante “ky rregull i gazetarisë është virtyti më i madh dhe faji më i madh” i profesionit tonë.

Lajmet botohen dhe nuk zgjidhen kurrë bazuar në faktin se mund të dëmtojnë ose kënaqin dikë.

Sigurisht, edhe ‘Albanian Post’, si të gjitha mediat, me kalimin e kohës do të mund të bëjë gabimet e saj e mund të ndeshë disa pengesa.

Por sot, këtu, vetëm një premtim mund t’ju bëjmë lexuesve tanë: ne do të jemi të sinqertë. Ne do të bëjmë gjithçka për t’u garantuar atyre një produkt origjinal, jo të ndotur nga interesat politike, këshillat ekonomike dhe madje nga tundimet apo kërcënimet. “Gazetaria nuk duhet të prostituohet kurrë për qëllime egoiste” paralajmëroi Mahatma Gandhi.

Gazetaria e ndershme është garancia thelbësore për ushtrimin e duhur të demokracisë, sepse vetëm duke u informuar si duhet, qytetarët do të jenë në gjendje të vlerësojnë punën e atyre që i qeverisin dhe të japin një votë të informuar.

Në traditën anglo-saksone, gazetarët konsiderohen rojet e demokracisë duke i quajtur ata “watchdogs” dhe ne jemi të përkushtuar për të përmbushur këtë detyrë.

Gazetaria është një akt besimi drejt së ardhmes dhe sot ne po vëmë bast për një të ardhme më të mirë për shqiptarët. I detyrohemi vetes, vendit dhe profesionit.


Lajmet kryesore