Opinione / Editoriale

Lulzimi që humbi çeljen gjatë rrugës


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

Nga humbja, në rënie, në humbje të sërishme, më pas ringritje e, së fundmi, prapë humbje…

Në vitin 2004, Lulzim Basha do të vinte si shpresa e re e demokratëve – i freskët, i papërlyer politikisht më parë.

Me ngjitjen e shpejtë të shkallëve ministrore, ai u kthye në një figurë të rëndësishme për Partinë Demokratike. Nën bekimin e Sali Berishës, Basha do të merrte edhe drejtimin e partisë, që mësuesi e kishte modeluar për 20 vjet.

Ndërsa të gjithë e dinin në vitin 2014 se Basha do të merrte kreun e partisë më të madhe opozitare në vend, shumë pak kush e mendonte se tetë vjet më pas, ai do të ishte në luftë mbijetese jo vetëm për lidershipin e saj, por edhe të ekzistencës së tij politike.

Ndryshimi i vetëm i kësaj humbjeje të radhës, është fakti se jo vetëm pësohet përballë rivalit direkt politik, Edi Ramës, po edhe përballë mjeshtrit të tij, Sali Berishës.

Me fraksionin e krijuar, Berisha u duk se mobilizoi më shumë mbështetës për të mbushur kutitë e 6 marsit për të. Edhe pse të dy fraksionet e PD-së nuk arritën votat e PS-së.

Basha, nga ana tjetër, “justifikimin” e gjeti – sërish – te vjedhja e zgjedhjeve.

Pa Berishën në rolin e padronit të PD-së, kuota e votimit të forcës politike në letër, shkoi në pak më shumë se 13%.

Një shifër aq e ulët historike, saqë nuk është parë as në vitin 1997, kur demokratët morën vetëm 24 ulëse parlamentare – rreth 24% të votave.

Çështja e vërtetë e ngritur është se Basha nuk ka më justifikime dhe duhet të largohet.

Por, i habitshëm është fakti, se për të njëjtin Bashë, kur Berisha ishte aty, në mbështetje të tij, në humbjen e parë, të dytë e të radhës, diskutimi mbi dobësitë e tij nuk mori hov.

Pse atëherë vendimi i duhur këtë herë – kur dikur nuk ishte – është ai i dorëheqjes së kreut të PD-së?

Pse, në një garë krejt të parëndësishme e të fryrë artificialisht si ajo e 6 marsit, ku të mobilizuar realisht ishin vetëm militantët, e thënë edhe nga shifrat e pjesëmarrjes zyrtare?

Ndoshta pikërisht se zgjedhjet qenë me pak rëndësi në nivel kombëtar, mbështetësi dhe deri diku edhe militanti, deshi t’i jepte mësimin Bashës.

Abstenimi qe qartësisht shenjë e lodhjes ndaj dobësisë së liderit.

Nëse analizojmë ngjarjen, nuk do të thosha që mbështetësi i PD-së automatikisht mohimin ndaj Bashës, e përcolli në simpati ndaj Berishës.

Por foli dhe dha mesazh të qartë. Në krye të partisë më të madhe opozitare duan një lider të fortë që ka pak lidhje me duetin Berishë–Bashë.

Zgjedhje e vështirë nëse shohim panoramën aktuale.

Fakt është se PD-ja, ka qenë aq e centralizuar fillimisht rreth figurës së Berishës e më pas rreth dyshes Basha-Berisha, saqë nuk ka lejuar të filtrohen kandidatë të mundshëm potencialë për një të ardhme të afërt në krye të Partisë.

Basha ishte figura zëvendësuese e Berishës, kur pati lulëzuar në fillim. Por, me hijen që mjeshtri politik i bënte, duke e përthithur vetë dritën e dielltë, duket se ai nuk çeli kurrë.

Ndoshta kalimi nën hije është fati i shumë prej krerëve që sjellin ndryshim – thyerjen e parë brenda një partie të madhe politike.

Bashës i ka ardhur dita të dalë me elegancë nga ky konfuzion dhe t’i hapë krahun dikujt tjetër. Misioni i çlirimit të PD-së nga Berisha u krye. Tani është faza e rindërtimit të asaj që është PD-ja.

Sa do të jetë në gjendje PD-ja të mbijetojë e të prodhojë një lider të ri, apo të copëzohet më shumë, këtë koha do e tregojë.


Lajmet kryesore