Opinione / Editoriale

Lojtari që mbetet në stol


Stefano Marcelli

Unë nuk e njoh Lulzim Bashën. Por, duke e parë atë për së largu, kreu i opozitës duket se është një politikan atipik në skenën shqiptare. Atij nuk i pëlqejnë tonet e forta, nuk përdor as sharje e ofendime kundrejt kundërshtarëve.

Nuk ishte karriera e tij si jurist ajo që i siguroi faqet e para të gazetave apo popullaritetin e madh.

Në Kosovë, ai ka punuar si ekspert ligjor. Në Shqipëri, gjatë përvojave të tij të qeverisjes, ai ka qenë i pranishëm në procese të rëndësishme dhe vendimtare për të ardhmen e vendit, të tilla si anëtarësimi në NATO, ose kërkesa për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Procese, që tani shohin dhe pasojat e tyre politike: NATO, me “Defender Europe 21”, po tregon se e konsideron Shqipërinë një partner të rëndësishëm dhe strategjik për rajonin dhe duket se rruga për në Evropë sa vjen dhe po bëhet më konkrete me fillimin e procedurës së pranimit.

Kryeministri Edi Rama tha se “anëtarësimi në BE është trashëgimia politike që ai synon t’u lërë brezave të ardhshëm”. Por do të ishte një moment historik i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët.

Pas shekujsh të privimit territorial, të dobësisë politike në nivel ndërkombëtar, të izolimit total gjatë regjimit të Enver Hoxhës, për shqiptarët do të ishte një dalje nga një ndjenjë inferioriteti dhe fitimi i dinjitetit të barabartë ndaj asaj Evrope, pjesë e së cilës ata kanë aspiruar të jenë gjithmonë.

Për të arritur këtë qëllim, Shqipëria tashmë ka bërë shumë hapa përpara. Por, për të arritur, duhen ndoshta ende të tjerë: reforma dhe politika të reja, të cilat nuk janë të lehta për t’u zbatuar në një vend kaq të komplikuar.

Unë mendoj se do të kishte nevojë për një person si Basha, në tryezën ku luhet kjo lojë: një person që njeh politikat evropiane dhe një ekspert në legjislacionin e Komunitetit.

Mund të thuhet se Basha është përgatitur për ta luajtur këtë ndeshje ndërkombëtare gjatë gjithë jetës së tij. “Trajneri i kombëtares” e ka thirrur atë të bashkohet me ekipin që do të luajë që në fillim të kampionatit. Por ai, për momentin, u përgjigj jo.

Basha nuk është një qendërsulmues, që mund të emocionojë turmën me një ortek të golave ​​të shënuar, duke vrapuar drejt portës vetëm, por më tepër një mesfushor që jep më të mirën e tij në lojën ekipore.

Sigurisht, në partinë e tij ka nga ata që e akuzojnë për humbjen e fundit elektorale, e shtyjnë atë të mos pranojë rezultatin, e tërheqin atë prej xhakete, duke e bindur për t’u strehuar në pozicionet e një opozitari grindavec dhe të parëndësishme ndaj politikës së vendit.

Gjithçka të çon tek ajo që, prapa kësaj opozite të brendshme, qëndron bosi i vjetër: pikërisht Sali Berisha, i cili vjen nga një politikë që menaxhohet më shumë me dhunë sesa me pëlqim.

Kështu që Basha është i detyruar të qëndrojë në dhomat e zhveshjes, kur arbitri do të fishkëllejë fillimin e ndeshjes të shumëpritur në historinë shqiptare.

Por, nëse lojtari refuzon të marrë pjesë në Kupën e Botës, karriera e tij është e shënuar të goditet me rënie të lirë.

Roli i tij politik do të njolloset gjithnjë e më shumë dhe, herët a vonë, do të dalë dikush më i ri dhe më i vendosur se ai, i gatshëm për të marrë vendin e tij.

Historia nuk fal: ka raste kur është e detyrueshme të luash në fushë, në politikë si në futboll, për të mbrojtur vendin tënd në ekip dhe dinjitetin e kombit.

P.S.

Dy ngjarje të rëndësishme ndodhën ndërsa isha duke shkruar këtë artikull. Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e nxiti qartë Bashën të pranonte rezultatin e zgjedhjeve të fundit dhe të kthehet në Parlament.

Disa orë më vonë, Sekretari i Shtetit Amerikan, Anthony Blinken, njoftoi se Sali Berisha dhe e gjithë familja e tij janë njerëz të padëshiruar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të akteve të shumta të korrupsionit në të cilat janë përfshirë.

U deshën SHBA-të për t’i çliruar shqiptarët nga çakëlli i politikës së vjetër të korruptuar dhe të dhunshme që karakterizoi dekadat e para të epokës post-komuniste. Do të jetë ky fundi i tranzicionit shqiptar, i një epoke dhimbjeje të madhe?

Berisha tashmë një çakëll që bllokoi para së gjithash evolucionin e Partisë Demokratike dhe zhvillimin e konfrontimit demokratik në Shqipëri.

Një pjesë tjetër e asaj çakëlle ka fytyrën e presidentit Ilir Meta, i cili tani është nën gjykimin e Parlamentit. Dhe le të shpresojmë që të mos jetë një tjetër ndërhyrje nga Shtëpia e Bardhë për ta parë atë të largohet nga skena politike.


Lajmet kryesore