Opinione / Editoriale

Letër e Hapur Edi Ramës


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

I nderuar Z. Kryeministër Edi Rama,

Presidenti amerikan, Thomas Jefferson, thoshte: “nëse do të ishte në dorën time të vendosja nëse do të duhej të kishim një qeveri pa gazeta ose gazeta pa qeveri, nuk do të hezitoja as edhe një moment të preferoja këtë të fundit”.

Kjo thënie, ndoshta shpeshherë e përsëritur, tregon qartë se sa liria e shtypit ka qenë një nga parimet themelore të demokracisë që nga fillimet e saj dhe sa cilësia e informacionit të saktë dhe të lirë është e lidhur me funksionimin e duhur të sistemit të demokracisë liberale.

Kjo është arsyeja pse, në epokën bashkëkohore, vlerësimi i sistemeve të informacionit përdoret si një nga treguesit kryesorë të nivelit të demokracisë së secilit vend individualisht.

Në renditjen e fundit botërore, të publikuar nga shoqata “Reporter Sans Frontières”, Shqipëria u rendit e 83-ta, pas vendeve, si: Kirgistani, Kosova, Sierra Leone, Tunizia, Maldivet, Butani, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Kroacia.

Një hulumtim i fundit, që kemi kryer si Albanian Post, na tregon se në Shqipëri jemi përballë një sistemi mediatik që është në thelb anarkik dhe në një masë të madhe edhe ilegal, me gazetarë të paguar pak dhe të dobët përballë administratorëve dhe pronarëve të tyre.

Numri i saktë i mediave shqiptare online nuk dihet dhe, po ashtu, as pronarët e tyre, shumë prej të cilëve strehohen jashtë vendit, për t’u shpëtuar taksave apo ndoshta edhe për të mbetur anonim.

Formalisht, bëhet fjalë për kompani mediatike, që veprojnë për interesa komerciale, por vetëm 12 për qind e tyre arrijnë të nxjerrin fitim nga ky biznes. Atëherë, si justifikohen investimet e sipërmarrësve në sektorin e shtypit? Nëse angazhimi i tyre nuk lidhet me fitimin, është e qartë se aktiviteti i tyre mediatik synon të mbështesë një linjë politike ose të mbrojë interesat e pronarëve të një lloji tjetër.

Punëtorët brenda sistemit mediatik janë praktikisht të privuar nga mbrojtja dhe të drejtat dhe 65% e tyre pretendojnë se kanë punuar ilegalisht.

Në mediat e reja, numri mesatar i gazetarëve të punësuar shkon në pesë, për të mbuluar një biznes që funksionon 24 orë në ditë. Dhe, në media në përgjithësi, numri i punonjësve të regjistruar në Shqipëri është jashtëzakonisht më i ulët se në ato perëndimore.

Nga një sistem i këtillë, ne mund të presim vetëm informacione me cilësi të dobët dhe pa asnjë lloj garancie profesionale dhe etike. Shqipëria, ashtu si vendet e tjera ballkanike, del në listat e raporteve evropiane për përhapjen e lajmeve të rreme “fake news”, të cilat, gjatë periudhës së pandemisë, arritën të prekin 85% të popullsisë.

Nga e gjithë kjo rezulton një produkt i pjesshëm gazetaresk dhe shpesh propagandë në nivel politik, skandaloze në fushën e lajmeve dhe për këtë arsye lajme thelbësisht jo të besueshme dhe joefektive për krijimin e një opinioni publik të informuar dhe të ndërgjegjshëm, i cili është baza për garantimin e funksionimit të duhur të mekanizmave të vendimmarrjes dhe përfaqësimit në demokracitë bashkëkohore.

Kjo, siç thamë, përcakton një sistem informacioni që lëviz përtej kufijve të ligjshmërisë dhe vendos gazetarët në një pozicion dobësie të dukshme.

Çështja e ligjit për shpifjen, aktualisht e ngrirë në Parlament, gjithashtu përfshihet në këtë kuadër.

Pas një kthimi 30-vjeçar nga Italia në Shqipëri, çështjet për të cilat do të desha të ishin në qendër të vëmendjes Tuaj si Kryeministër në mandatin e tretë janë disa:

  • Rregullimi i mediave

Legjislacioni në lidhje me mediat ka dy boshllëqe. Ka një vakum ligjor dhe ka nevojë për rregullimin e mediave. Kjo nuk mund të zgjidhet vetëm me ligjin e antishpifjes, por ka të bëjë me nisma rregulluese, të cilat janë të lidhura direkt nga veprimtaria e Parlamentit dhe Qeverisë. Për ta bërë të pranueshme çdo nismë, përpara se të kalojë në Parlament dhe Qeveri, ajo duhet të kalojë një proces ballafaqimi dhe këshillimi me polet e interesuara, si me atë politikë, si me profesionistët e interesuar, po ashtu dhe me një grup ekspertësh ligjorë në këtë fushë.

  • Ligji i punës

Ky ligj në Shqipëri funksionon për profesionet e rregulluara dhe të njohura nga ai. Gazetaria fatkeqësisht nuk njihet si profesion, dhe ata gazetarë që kanë fatin të jenë të rregulluar nga një kontratë pune, kanë atë të përgjithshme të ligjit të punës.

  • Kriteret arsimore dhe profesionale për kryeredaktorët dhe informaliteti

Sigurisht që këto kritere nuk mund të jenë të vendosura nga Kryeministri apo Qeveria, sepse kanë të bëjnë me mekanizmat ekzekutive vetërregulluese. Por, duke e lidhur dhe me ligjin e punës, qeveria duhet të ndërhyjë në rregullimin e sistemit informal të sigurimeve shoqërore të gazetarëve.

Kryeministri duhet të vërë në lëvizje institucionet që merren me mbrojtën e të drejtave të punonjësve në sektorin e mediave.

Një numri të konsiderueshëm gazetarësh nuk u derdhen kontributet, ose nuk janë derdhur për vite. Pse jo, dhe krijimi i një fondi të posaçëm për kontributet e paderdhura. Vlerësimi nga specialistët në këtë fushë flet për shuma të përballueshme nga buxheti i Shtetit, një total pothuajse prej 500 mijë euro.

  • Ligji kundër shpifjes

Ligji mbi shpifjen është një çështje shumë delikate, sepse bëhet fjalë për mbrojtjen e qytetarëve nga agresioni dhe shpifja nga media, gjithashtu dhe për mbrojtjen e gazetarëve nga presionet, sidomos të politikanëve, që në fakt mund të kufizojnë lirinë e tyre.

Ashtu si reforma në drejtësi, edhe ky ligj duhet të shërbejë në mbrojte të qytetarëve, të gjithëve, nga shpifja, diskriminimi, ofendimi dhe gazetarëve nga presionet. Miratimi i një ligji të balancuar, i cili arrin të mbrojë qytetarët dhe gazetarët së bashku, është një shembull sesi duhet të funksionojë një demokraci e mirë, e cila, në fakt, është ndërtuar mbi ekuilibrin midis interesave dhe pushteteve të pavarura.

  • Krijimi i një Gjykate dhe një bordi etik

Sigurisht që, në mbrojtje të qytetarit, një rol të madh duhet ta ketë një bord etik, i cili në praktikë në Shqipëri nuk ekziston.

Është e dukshme rëndësia e ekzistencës së një Gjykate, apo Jurie të madhe dhe e një kodi etik, i cili përkufizon rregullat etike të profesionit. Ky i fundit sigurisht vjen nga vetë rregullimi i sindikatave të gazetarëve. Juria e madhe apo Gjykata do të duhet të kenë brenda përfaqësues të sindikatave të kategorisë dhe magjistratë, të cilët janë ata që garantojnë respektimin e kodit etik dhe ndërmarrin sanksione kur ai nuk respektohet.

Kryeministri dhe Qeveria duhet të inkurajojnë tryeza me të gjitha palët: drejtorët, pronarët, organizatat e gazetarëve, grupet e pronarëve të biznesit të mediave. Dhe, madje, të kalohet përtej nxitjes së krijimit të një bordi etik, duke vënë në dispozicion mjedisin dhe një fond paraprak për një Gjykatë a Juri të madhe dhe një bord të tillë.

Shqipëria ndoshta është i vetmi vend, i cili nuk ka asnjë mjedis, apo aset tjetër infra struktural për ushtrimin e veprimtarive kolektive të lidhura me komunitetin e një profesioni që me ligj nuk njihet si i tillë.

  • Krijimi i kontratës kombëtare të punës për gazetarët

Ngritja e një sistemi efikas të raportit midis shkëmbimeve dhe nivelit të pagave në sektorin e mediave dhe e një ligji mbi përdorimin e hapësirës. Gazetarët shpesh punojnë brenda ambienteve të reduktuara dhe të mbipopulluara.

Për këtë ka rëndësi njohja e profesionit dhe, rrjedhimisht, ajo e kontratës kombëtare të punës për kategorinë e gazetarëve. Puna e gazetarit është atipike në shumë aspekte, si në orare, në aspektet etike etj. Dhe këto mund të jenë të fiksuara në një kontratë pune të kategorisë.

  • Transparenca e shpërndarjes së fondeve publike

Ndoshta pika e fundit që do të doja të cekja në këtë letër është ajo e transparencës së shpërndarjes së fondeve publike për mediat private. Kjo do të jetë mënyra e shmangies të shpërndarjes së pabarabartë të fondeve publike ndaj mediave.

Sistemi mediatik u shërben qeverive për të informuar qytetarët për aktivitetin e tyre, në mënyrë objektive, kështu që ata të mund ta gjykojnë atë qeveri me votën e tyre.

Por, gjithashtu, u shërben (ose duhet t’u shërbejë) qeverive për të njohur transformimet, nevojat dhe dinamikat që ndodhin në shoqëri, për t’i ndihmuar ata vetë në një qeverisje më të mirë.

Për këtë arsye, një shtyp i besueshëm, profesional dhe i pavarur, duhet të konsiderohet si një e mirë e përbashkët nga të gjithë. Duke filluar, në radhë të parë, nga kush është në qeverisje. Vendi i 83-të në listën e lirive të shtypit në botë është diçka që duhet t’Ju shqetësojë Ju në radhë të parë.

 

Autorja është Kryeredaktore e Albanian Post


Lajmet kryesore