Opinione / Editoriale

Kur ideja është e mirë


Stefano Marcelli

Ne nuk e dimë nëse e bëri atë duke menduar për interesin e Shqipërisë, apo thjesht për interesat e tij në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Me pak fjalë, nuk e dimë nëse Edi Rama arsyetoi si një burrë shteti, apo nëse ai bëri një llogaritje të thjeshtë elektorale. Por, propozimi i tij për të krijuar një qeveri të bashkimit kombëtar, së bashku me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duket një ide e mirë.

Propozimi për një qeveri unitare, i shprehur nga Edi Rama, mbart me vete dhe disa rrjedhoja pozitive.

E para, e dukshme, është fakti që qeveria e Tiranës nuk do të jetë më në duart e një njeriu të vetëm në komandë. Gjendje kjo që do ta çonte kryeministrin drejt një zhvendosjeje histrionike, e cila, në fund të fundit, do të ishte negative për vetë imazhin e tij. Një qeveri e përbashkët koalicioni, e bashkëndarë me një personalitet më të moderuar si Basha, mund t’i bënte mirë klimës politike dhe madje edhe vetë Ramës.

E dyta është pak më e komplikuar. Marrëveshja politike Rama-Basha mund ta shkëpusë udhëheqësin demokratik nga prania e turpshme e ish-presidentit Sali Berisha, i cili, falë perandorisë së tij financiare, vazhdon të manovrojë në hije, duke ndikuar shumë si Partinë Demokratike edhe jetën politike të vendit. Dhe, sigurisht, jo në një kuptim pozitiv.

Marrëveshja politike do ta lironte Partinë Demokratike nga presioni i një sërë partish të vogla, të lidhura me interesa klanore apo edhe familjare, që rrezikojnë të paralizojnë jetën politike shqiptare.

Kjo lëvizje politike do ta lejonte Ramën të çlirohej nga Ilir Meta, i cili në fakt duket si opozitari i tij kryesor. Veprimtaria politike e presidentit, në të vërtetë, është më shumë se gjithçka tjetër ajo e një agjitatori politik dhe provokatori, që vepron vetëm në bazë të interesave personale nëpërmjet një partie politike të kontrolluar nga familja dhe mjeteve financiare të akumuluara gjatë dekadave.

Një rast shumë serioz i ndotjes së institucioneve demokratike nga një subjekt, i cili, për pozicionin që mban, duhet të jetë arbitri neutral i jetës politike kombëtare, garantuesi i rregullave dhe parimeve të përbashkëta.

Dhe ekziston gjithashtu çështja e zgjedhjeve lokale, nga të cilat Partia Demokratike u tërhoq dhe të cilave, në klimën e unitetit kombëtar, mund t’u kthehej.

Uniteti kombëtar, i propozuar nga Edi Rama, mund të ketë gjithashtu një funksion rigjenerues të skenës politike shqiptare, duke e thjeshtuar atë. Subjekte të reja mund të lindin gjithashtu dhe dialektika politike mund të braktisë disa dinamika të vjetra të pushtetit për t’u përqendruar më shumë në zgjedhjet që duhen bërë.

Një qeveri më përfaqësuese mbase mund të marrë një rol me më shumë autoritet si ndaj Brukselit, ashtu edhe ndaj Prishtinës, në funksion të integrimit më të madh midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Me pak fjalë, këtë herë, Edi Rama ka të drejtë.

Edhe diçka.

Është më se e vërtetë që funksionimi i duhur i demokracive garantohet nga ekuilibri midis subjekteve të ndryshme. Duke filluar nga mazhoranca dhe opozita. Por, le ta pranojmë, që në Shqipëri nuk mund të thuhet se ekuilibrat institucionalë funksionojnë në mënyrë perfekte.

Dialektika mazhorancë-opozitë përkthehet në një teatër të përhershëm të fyerjes së ndërsjellë, në një kreshendo thirrjesh dhe demonstrimesh të zhurmshme, që në fund të fundit e bëjnë opozitën të padobishme dhe të pafuqishme dhe lejojnë qeverinë të shkojë në rrugën e saj pa asnjë detyrim për të ngadalësuar.

Në jetën e demokracive, ka momente thelbësore, në të cilat duhet të merren vendime themelore për të ardhmen e vendit dhe duhet të bëhen së bashku, në interes të komunitetit. Ky është një rregull që zbatohet në fazat kushtetuese, kur, për të vendosur rregullat bazë të shtetit, të gjitha palët ulen në të njëjtën tryezë.

Dhe pastaj ka momente kur duhet të zgjedhësh përparësitë, mbi të cilat duhet të drejtosh jetën ekonomike dhe shoqërore të një kombi. Edhe në këtë rast është një proces vendimmarrjeje, në të cilin të paktën forcat më përfaqësuese të vendit duhet të marrin pjesë.

Shqipëria, sot, pa dyshim është në prag të një prej këtyre momenteve vendimtare. Qëllimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian e bën një seri zgjedhjesh urgjente dhe të nevojshme.

Perëndimi i kërkon Tiranës të trajtojë çështjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat ndikojnë si në funksionimin demokratik të vendit, ashtu edhe në ekonominë e tij. Ato do të duhet të evoluojnë drejt veprimtarive ligjore që veprojnë në konkurrencë të lirë dhe duke respektuar rregullat e tregut ndërkombëtar.

Gjithashtu urgjente është reforma në sistemin e drejtësisë dhe zgjidhja e çështjes së pronësisë së tokës dhe banesave. Situata aktuale dhe mosmarrëveshjet e hapura rrezikojnë bllokimin e  investimeve të huaja.

Dhe, po ashtu, është e nevojshme të krijohet një sistem mirëqenieje, që sot pothuajse nuk ekziston. Shëndetësia, së bashku me punën, janë të drejta themelore të çdo shteti demokratik.

Do të ndalemi këtu, sepse lista mund të vazhdojë akoma, veçanërisht në lidhje me kontekstin e zvogëlimit të pabarazive sociale.

Trajtimi i këtyre çështjeve, marrja e këtyre vendimeve dhe përcaktimi i përparësive të zhvillimit të vendit, do të thotë të kushtëzosh të ardhmen e Shqipërisë për dekadat e ardhshme. Kjo mund të bëhet vetëm me një përfaqësim të gjerë shoqëror, si dhe me konsensusin më të gjerë popullor.

Nëse Shqipëria dëshiron ta luajë këtë lojë seriozisht dhe të përpiqet me të vërtetë për t’u bërë një vend evropian, atëherë nuk ka dyshim se ajo duhet të marrë rrugën e unitetit të treguar nga kryeministri i saj.


Lajmet kryesore