Opinione / Kolumnistët

Italia në rresht të parë për Ballkanin në Evropë


Stefano Marcelli Gazetar

Ka zbuluar Italia vallë Ballkanin?

Deklaratat bombastike të kryeministres Giorgia Meloni, sidomos në takimin e fundit në Konferencën për Ballkanin Perëndimor në Trieste, dhe takimet e ministrave të saj (të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme), të përforcuara nga mediat, na bëjnë të mendojmë.

Po kështu edhe supozimet e pëshpëritura nga kanalet diplomatike sipas të cilave SHBA-të dhe BE-ja janë dorëzuar para vullnetit të hekurt të kryeministres italiane për të qenë e pranishme në iniciativat mbi Ballkanin Perëndimor, ashtu sikurse në fjalët e Ministrit të Jashtëm “Italia ka kërkuar dhe ka arritur që tashmë të jetë e pranishme në të gjitha iniciativat evropiane dhe amerikane në rajon”.

Por prania italiane në zonën lindore daton që në kohët e largëta historike. Le të lëmë mënjanë romakët e lashtë, Republikën e Venedikut etj. Që në kohë të qeverive parafashiste kishte nisur strategjia e pranisë politike dhe të biznesit në Ballkanin Perëndimor. Për sa i përket ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë, nuk ka nevojë të kujtojmë politikën pushtuese të fashizmit (rryma politike nga e cila rrjedh partia e Melonit).

Por Italia ka mbajtur një prani politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor në të gjitha dekadat që çuan deri në ardhjen e Melonit në skenën politike. Këtë e dëshmojnë iniciativat e ndryshme politike me krijimin e komiteteve të përbashkëta me qeveritë e Ballkanit në vitet e kaluara, ato ekonomike me projektet rajonale që në fillim të viteve ’90, fakti që Italia është partneri i dytë tregtar në rajon dhe gjithashtu se ushtria italiane jep kontributin më të madh të njerëzve në misionet e NATO-s në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, shpesh edhe me funksione komanduese.

Pra, çfarë ka të re në marrëdhëniet midis Romës dhe Ballkanit, përveç tonit të zërit të kryeministres së re?

A do të heqin dorë Gjermania dhe Franca nga interesat e tyre ekonomike dhe politike në zonë në favor të Italisë? A ka fituar apo do të arrijë të fitojë Roma hegjemoninë politike mbi një zonë historikisht të paqëndrueshme dhe gjithmonë në trazira në kufijtë e Evropës?

Kjo duket e pamundur.

Risia duket më tepër ajo e rolit që i është besuar Italisë nga BE-ja me pëlqim të SHBA-ve në bazë të faktit se Roma shihet si më pak ndërhyrëse dhe më e baraslarguar ndërmjet komponentëve të ndryshëm të enigmës ballkanike dhe për këtë arsye më e përshtatshme se fuqitë e tilla si Franca dhe Gjermania për të favorizuar ndërmjetësimin ndërmjet qëndrimeve të ndryshme.

Disa vite më parë, një raport i përgatitur në emër të Brukselit paralajmëronte se “Kemi rrezik real për një shpërthimi në Kosovë, një implodimi të Serbisë dhe fraktura të reja në themelet e Bosnjës dhe Maqedonisë”.

Me luftën në Ukrainë, e cila ka nisur një konfrontim të drejtpërdrejtë gjeopolitik me Rusinë, Perëndimi sot ka përparësi të thithë Ballkanin në zonën e tij të ndikimit, duke i larguar nga infiltrimi i rëndë i Rusisë, Kinës dhe Turqisë. Dhe për këtë duhet të nxitojë.

Rusia është e pranishme në Ballkan me inteligjencën e saj subversive, shitjet e armëve dhe mbi të gjitha me pastrimin e kapitalit masiv të prodhuar nga sistemi i saj mafioz.

Kina ndërhyn me investime të mëdha veçanërisht në infrastrukturë, ndërsa Turqia vepron me një prani ushtarake në Kosovë dhe me kompanitë dhe OJQ-të e veta në shoqëritë boshnjake dhe kosovare duke përdorur edhe kanale fetare.

Pra, ekziston një interes i fortë gjeostrategjik i Perëndimit për stabilizimin e Ballkanit dhe hyrjen e tij të plotë në zonën e ndikimit Atlantik. Dhe Uashingtoni, duke pasur parasysh edhe precedentët historikë, nuk u beson kapaciteteve stabilizuese të fuqive më të mëdha evropiane.

Ndër të tjera ekziston edhe një interes tregtar për të pushtuar një treg që ka 17 milionë banorë dhe gjithashtu një burim pune të lirë, siç tregohet nga flukset e pandërprera migratore drejt Evropës.

Pastaj është çështja e emigracionit të paligjshëm. Mediat shpesh trajtojnë dhe dramatizojnë situatën e zbarkimeve të emigrantëve në brigjet siciliane. Por në vitin 2022 kishte vetëm 85 mijë kthime nga rruga e Mesdheut, ndërsa ajo e Ballkanit numëronte mbi 123 mijë. Një fluks që vjen kryesisht nga Turqia, i cili nëse krijon alarm në kufirin verilindor të Italisë, i drejtohet drejtpërsëdrejti Evropës qendrore-veriore dhe alarmon qeveritë e asaj zone.

Vënia nën kontroll e rrugës ballkanike të emigracionit është një tjetër prioritet urgjent i Bashkimit Evropian.

Uashingtoni dhe Brukseli kanë nevojë urgjente për të stabilizuar dhe siguruar frontin lindor dhe kanë zgjedhur Italinë si “fytyrën njerëzore” të një operacioni që nuk do të përjashtojë edhe një dorë të fortë kur të jetë e nevojshme.

Për momentin, Brukseli ka derdhur mjaft fonde për ekonominë e qëndrueshme në Ballkan. Uashingtoni po forcon praninë e tij ushtarake në zonë.

Por rezultatet e kësaj politike për të bindur moralisht mbi veprimet konkrete të qeverive ballkanike për strategjitë e ardhshme.

Në historinë e politikës ndërkombëtare, Italia ka pasur shpesh role formale të cilat nuk janë shoqëruar me ndonjë veprim thelbësor. Nëse kësaj radhe do të ketë edhe përmbajtje me rezultate pasuese, kjo mbetet për t’u parë.


Lajmet kryesore