Opinione / Editoriale

Heshtja e Ramës


Bordi Editorial

Sigurisht që është e natyrshme që Partia Socialiste t’i gëzohet lajmit për statusin “non-grata” që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë caktuar Sali Berishës, por ky zhvillim është larg të qenit një fitore e PS-së. Dhe këtë, më shumë se kushdo tjetër, duket se e ka të qartë kryeministri Rama.

Me të gjitha të metat e tij, Berisha ishte president dhe kryeministër i Republikës, por edhe një figurë historike për Shqipërinë, po aq sa Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu. Dhe një lider serioz, çfarë Rama është, nuk mund që publikisht t’i gëzohet vendimit të sekretarit Blinken.

Ky është shpjegimi logjik i heshtjes së kryeministrit Rama, që pak a shumë e dikton kortezia normale (sado që fjala “normale” nuk ka ndonjë vlerë në teatrin politik të Shqipërisë), por kjo nuk është e gjithë arsyeja e heshtjes.

Edi Rama e di fort mirë që një reagim publik i tij, ku ai do të përshëndeste vendimin e qeverisë amerikane, do të duhej të përfundonte edhe me një tërheqje vërejtjeje publike për të gjithë spektrin politik shqiptar se e gjitha është vetëm fillimi, sepse miqtë e Shqipërisë nuk do të ndalen me kaq.

Eksponentë të Partisë Demokratike ndërtojnë teori konspiracioni mbi fuqinë e grupit Soros, ndërkaq disa eksponentë naivë të PS-së mburren me fiksionin mbi aftësitë e jashtëzakonshme lobuese të liderit të tyre.

E vërteta është krejt ndryshe. Përgjatë tërë kufijve të asaj që dikur ishte Evropa Lindore, po vizatohen linjat e reja të ndikimit perëndimor dhe atij rus, ndërkaq Ballkani nuk mund të konsolidohet si një pikë e forcës vepruese të perëndimit pa nxjerrjen e Shqipërisë nga kthetrat e tranzicionit të pafund. Pra, në vlerësimin e miqve të popullit shqiptar, me zor apo me hatër, Shqipëria përfundimisht duhet të bëhet shtet.

Burimet e “Albanian Post” shpjegojnë që administrata amerikane ia ka dhënë vetes dy detyra të vështira: atë të zgjidhjes përfundimtare të konfliktit historik në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe atë të futjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Dhe kjo e dyta nuk mund të bëhet pa e shkëputur Shqipërinë nga kthetrat e korrupsionit, si praktikë por edhe si mendësi. Duke i shpallur publikisht luftë korrupsionit dhe logjikës së abuzimit me pushtetin në Shqipëri, administrata amerikane është duke vepruar si pararojë e BE-së, që akoma vazhdon të jetë tepër shumë skeptike në raport me Shqipërinë.

Washingtoni, Parisi dhe Berlini janë në një mendje në vlerësimin që Sali Berisha dhe Ilir Meta janë kthyer në dy faktorë të pakapërcyeshëm regresi që demokracinë e brishtë shqiptare e gërryejnë nga brenda, prandaj të gjithë miqtë e Shqipërisë janë të pajtimit që këta dy duhet të mënjanohen nga politika aktive.

Një përjashtim i tillë publik dhe aq direkt nga amerikanët u bë i detyrueshëm nga kokëfortësia e Berishës për të vazhduar ndotjen e detit politik shqiptar me refuzimin për t’u distancuar. Përkundër se një jetë në politikë ai nuk e hetoi rëndësinë e të kuptuarit se kur është fundi. Prezenca e tij në politikën shqiptare duke ua zënë frymën opsioneve potenciale politike, nuk u la amerikanëve opsion tjetër, pos ta kryqëzonin publikisht.

Vendimit për të emëruar publikisht Berishën, dhe sipas të gjitha gjasave, pas largimit nga posti, edhe Metën, i kanë kontribuar edhe disa zëra brenda PD-së që te miqtë amerikanë kanë identifikuar Berishën dhe anëtarët e ngushtë të familjes së tij, jo vetëm si ushtrues të heshtur të një pushteti paralel në PD, por edhe si planifikues aktivë të një “hostile takeover” të partisë nga brenda.

Derisa lexon deklarimet e disa prej figurave kryesore të PS-së, shihet qartë që ata nuk e lexojnë drejt kujdesin e Ramës ose që qëllimshëm kanë zgjedhur që të luajnë engjëllin.

Deklaratat e Yuri Kim dhe të Mathew Palmer theksin e vendosin te fakti që duhet t’i vijë fundi praktikës së mosndëshkimit të korrupsionit, ndërkaq Rama e di shumë mirë që sot problemi i vërtetë i Shqipërisë nuk është Berisha (si person) dhe aferat e tij, por është mendësia e bashkëjetesës me korrupsionin dhe krimin e organizuar, një mendësi e poshtër që për 30 vjet ka lëshuar aq shumë rrënjë saqë e gjen gjithandej, si në të djathtë ashtu edhe në të majtë.

Edi Rama po ashtu e di që fakti që DASH e merr përsipër që publikisht të kryqëzojë Berishën për korrupsion është pohim indirekt i pafuqisë të shtetit shqiptar që të penalizojë peshqit e mëdhenj të politikës, dhe që, tani e tutje, detyra më e rëndë, ajo e pastrimit të shtëpisë nga brenda, bie mbi supet e kryeministrit.

Nëse kryeministri Rama nuk e vazhdon luftën që ka nisur sekretari Blinken, duke sponsorizuar legjislacion vital për të luftuar krimin e organizuar, duke mbështetur gjyqësorin që vërtet të jetë i pavarur, duke krijuar kushtet që populli shqiptar vërtet të bindet që askush nuk është mbi ligjin, qoftë ky qeveritar i dikurshëm apo i tashëm, akrobacia amerikane me Sali Berishën shumë lehtë mund të kthehet në favor të opozitës.

Nëse Rama dështon, kjo nuk do të thotë që do të dështojë edhe përpjekja perëndimore për të gjetur atë klasë politike që për Shqipërinë nuk do të ngurrojë që të bëjë gjënë e duhur.


Lajmet kryesore