Opinione / Editoriale

Fotoja e një agimi në Tiranë


Fill pas zgjedhjeve, ndonëse vazhdonte numërimi i fletëve të votimit, kryeministri Edi Rama përshëndoshi “agimin e bukur” që po zbardhte mbi Tiranë.

Dhe, ai kishte arsye me bollëk për t’u ndier i lumtur. Drita e parë e mëngjesit i solli jo vetëm një agim të kuqërremtë, por edhe mandatin e tij të tretë në krye të Shqipërisë.

Një qëllim i arritur, duke konsoliduar përfaqësimin parlamentar dhe duke rritur madje dhe votat.

Një rezultat aspak i garantuar, pasur parasysh se Rama e qeverisi Shqipërinë përmes dy tragjedive pothuajse të papara: një nga tërmetet më të fuqishëm në historinë shqiptare dhe një pandemi, e cila ka gjunjëzuar ekonominë globale dhe, gjithashtu, konsensusin e pothuajse të gjithë qeverive evropiane. Duke filluar nga ajo gjermane, me Merkelin, së cilës i është dashur të korrë sfida të mëdha elektorale në muajt e fundit.

Por, përshëndoshja e agimit të Ramës nuk kufizohet vetëm me festimin e një suksesi elektoral, që e sheh atë si kryeministrin më jetëgjatë në të gjithë historinë e demokracisë shqiptare.

Agimi i Ramës feston gjithashtu humbjen e rëndë të kundërshtarit të tij kryesor: presidentit Ilir Meta. Ai që, me partinë e tij familjare, tanimë rrezikon të zhduket. Pa dyshim, pesha politike e presidentit më pak institucional të të gjitha demokracive evropiane është tejet e zbehur, si dritë qiriri në shuarje. Ndërsa, roli i tij është afër margjinalizimit.

Në kahun tjetër, brenda Partisë Demokratike vjen kriza e rëndë, e cila nisi agimin e parë pas votimit. Udhëheqësi i saj, Lulzim Basha, arriti të rrisë konsensusin dhe votat, por jo aq sa ta çonte partinë drejt fitores. Ai u përpoq gjithashtu të rinovonte radhët e saj, duke vendosur shumë të rinj në listat zgjedhore. Arsye kjo pse “të përjashtuarit e vjetër” tani po kërkojnë “kokën” e tij dhe presin dorëheqjen.

Padrino i vjetër i PD-së, Sali Berisha, edhe pse nuk kërkon dorëheqjen, nëpërmjet një statusi në Facebook e kritikoi Bashën dhe stilin e tij anglosakson, që e shtyu atë të mos kundërshtonte haptazi rezultatet elektorale në favor të PS-së.

Në traditën politike shqiptare, askush nuk e njeh kurrë fitoren e kundërshtarëve dhe loja e ndershme është një koncept i panjohur.

Akoma nuk dihet se cili është ekuilibri i fuqisë brenda partisë së djathtë shqiptare: nëse Basha ka shumicën e anëtarëve të saj me vete dhe a është ai në gjendje të mposhtë opozitën e vjetër, e cila ka ngritur kryet në këtë çast humbjeje. Por lufta tani është shpallur dhe përballja është bërë e pashmangshme. Akuza kryesore kundër Bashës është ajo të mos pasurit atributet e një lideri të vërtetë dhe një stili politik shumë pak agresiv.

Pa dyshim, të rritesh nën tutelën e rëndë të një figure si ish-kryeministri Berisha nuk është e lehtë. Dhe vetëm mund të hamendësohen shantazhet dhe kushtëzimet e bëra nga një karakter, i cili, në vend të politikës demokratike, sugjeron ushtrimin e pushtetit me dhunë.

Një gjë është e dukshme: brenda Partisë Demokratike po përplasen dy shpirtra, që tani janë bërë të papajtueshëm me njëri-tjetrin: politika e vjetër e ndotur dhe autoritare e ish-kryeministrit Berisha dhe stili i ri, më evropian, më pak agresiv i Bashës.

Javët e ardhshme do të tregojnë se cilën nga dy rrugët, do të zgjedhin të ndjekin demokratët për të ardhmen e tyre.

Sidoqoftë, vëzhguesit e huaj njohën rregullsinë e rezultatit elektoral dhe përgëzuan Ramën dhe Bashën për sjelljen e tyre gjatë zgjedhjeve, duke përjashtuar qartazi si Berishën, por edhe Ilir Metën.

Agimi i ri, që sapo ka zbardhur në Shqipëri, mund të paralajmërojë lindjen e një faze të re politike, që mund të inaugurohet pikërisht me atë qeveri të unitetit kombëtar, çka Rama ia propozoi Bashës në fund të fushatës elektorale.

Një qeveri me dy kahe, që t’i japë një marsh të ri rrugës së reformave të nevojshme për Shqipërinë.

Në sfond mund të shihet qëllimi i saj: aderimi në Bashkimin Evropian dhe reformat në vend.


Lajmet kryesore