Opinione / Politikë

Çfarë do ndodhë mes Brukselit dhe Bjellorusisë pas zbritjes së detyruar të avionit?


Rikard Jozwiak Rikard Jozwiak është redaktori i Evropës për RFE / RL në Pragë, duke u përqëndruar në mbulimin e Bashkimit Evropian dhe NATO.

Me të drejtë mund të thuhet se Bashkimi Evropian (BE) ishte i lodhur me veprimet e Bjellorusisë edhe para uljes së detyruar të avionit.

Por vendet e BE-së kishin mbetur në heshtje, pasi unioni po përballej me probleme më të mëdha, si: pandemia, konflikti izraelito-palestinez apo marrëdhënia e tensionuar me Rusinë.

Heshtja u thye, pasi regjimi i Alyaksandr Lukashenka-s detyroi një avion të licencuar nga BE-ja, i cili po fluturonte mes dy kryeqyteteve evropiane, të ndryshonte kursin.

Gjatë ndalimit, u arrestua gazetari Roman Protasevich, redaktori i Nexta-s, që luajti një rol kryesor për opozitën gjatë votimit, i cili u fitua nga Lukashenko dhe konsiderohet gjerësisht si i manipuluar.

Papritmas, vëmendja e BE-së u kthye sërish nga Bjellorusia.

Mbrëmjen e 24 majit, të gjithë udhëheqësit e unionit u takuan në një samit të planifikuar, në Bruksel, ku bënë të ditur dhe sanksionet e marra ndaj Bjellorusisë. Ato qenë me tone shumë më të ashpra dhe dënime.

Në një deklaratë të Bashkimit Evropian, e firmosur nga të 27 anëtarët e saj (një veprim mjaft i rrallë), pasi Budapesti, në veçanti ka bllokuar artikujt e lidhur me jashtë kohët e fundit, vuri në dukje se BE-ja do t’i shqyrtojë të gjitha pasojat e këtij veprimi.

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula Von der Leyen, të cilën e cilësojnë si një person të matur, reagoi në “Twitter”, duke shkruar se “sjellja e egër dhe e paligjshme e regjimit në Bjellorusi do të ketë pasoja”.

Ajo shtoi se “ata që janë përgjegjës për rrëmbimin e Ryanair-it, duhet të dënohen”.

Atëherë, pse këto masa nga Brukseli?

Thirrja për hetim është pothuajse e sigurt nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO).

Gjithashtu ka bisedime për ndalimin e Belavia-s, kompanisë shtetërore ajrore bjelloruse, nga ulja në aeroportet e BE-së dhe pezullimin e të gjitha fluturimeve të linjave ajrore të BE-së në hapësirën ajrore bjelloruse.

Ka të dhëna, sipas të cilave këto masa mund të ndodhin relativisht shpejt, por natyrisht ato do të kishin efekt më të madh nëse u bashkohen të gjitha vendet anëtare, duke bërë një lloj koordinimi me vendet e tjera perëndimore.

Gjithashtu, një nga sugjerimet, është pezullimi i të gjithë lëvizjes së tranzitit, përfshirë tranzitin tokësor nga Bjellorusia drejt bllokut.

Megjithatë, kjo mbetet për t’u parë, nëse shtetet fqinje si Polonia do të bien dakord, duke marrë parasysh ndikimin e mundshëm ekonomik.

Kështu lind natyrshëm pyetja: nëse vendet anëtare të BE-së do të angazhohen për të bllokuar pagesat nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) që Minsk-ut i takojnë me të drejtë për pasojat pandemike të Covid-19.

Janë edhe sanksionet tradicionale, si për njësitë ekonomike, ashtu edhe për njerëzit.

Pas shtypjes së demonstruesve, të cilat vinin pas gushtit të zgjedhjeve presidenciale, që u vlerësuan gjerësisht si të manipuluara, BE-ja vendosi ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e vizave për 88 individë dhe 7 subjekte në vjeshtën e vitit 2020, duke përfshirë vetë Lukashenko-n.

Që nga fillimi i vitit është punuar për një paketë të katërt sanksionesh, ndërsa ishte planifikuar të dilte më herët, ose gjatë punimeve në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së më 21 qershor.

Puna për këtë paketë ilustron mjaft mirë “vështirësitë e Bjellorusisë” në zyrat e Brukselit.

Puna për të duhet të kishte filluar që në muajin shkurt, por ka vijuar me ritme të ngadalta.

Hezitimi ka ardhur nga trupat diplomatike të BE-së, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Kjo, për të ndërmarrë një paketë sanksionesh, duke argumentuar se normalisht janë vendet anëtare që e bëjnë këtë.

Të dyshuarit e zakonshëm, si Lituania, kanë argumentuar prej kohësh që nuk duhet të jetë kryeqyteti Vilnius ose vendet e tjera anëtare lindore të BE-së që marrin gjithmonë nisma të tilla dhe se të tjerët duhet të marrin përsipër iniciativën gjithashtu.

Në fund, vetëm nëntë vende reaguan disa javë më parë, duke paraqitur disa lista që përmbanin rreth 70 emra njerëzish dhe entitetesh, kryesisht nga sektori i drejtësisë në Bjellorusi.

Përsëri ishin kryesisht vendet lindore që bëheshin nismëtare.

Dhe sërish, lista u shqyrtua nga grupet përkatëse të punës në Bruksel, të cilat nisën ta analizojnë atë, duke kryqëzuar biznesmenë afër Lukashenko-s dhe subjekte të ndjeshme për lidhjet e tyre tregtare me vende të ndryshme të BE-së.

Ka të ngjarë që ata që kanë mbetur në listë të jenë njerëzit që vështirë se kanë llogari bankare në bllok ose që nuk do të udhëtojnë në ishujt grekë ose Côte D’Azur.

Gjithsesi, ky formësim është parë edhe nga tre raundet e mëparshme të sanksioneve.

Veprimi i Lukashenko-s më 23 maj, mund të vijë paksa si habi për guximin e ndërmarrë. Që prej zgjedhjeve të vitit të kaluar, të cilat u dënuan si thellësisht të vjedhura, ai ka vazhduar të manovrojë opozitën me pak bujë, në mungesë të ndonjë reagimi të vërtetë nga BE-ja, të paktën në gjashtë muajt e fundit.

Lukashenko mund të ketë vërejtur i kënaqur, faktin që Bjellorusia nuk ka qenë realisht në rendin e ditës si një pikë serioze diskutimi në një Këshill të Punëve të Jashtme të BE-së këtë vit.

Paraqitja e Bjellorusisë në samitin e BE-së erdhi vetëm prej incidentit të Ryanair.

Privatisht, zyrtarë të ndryshëm të BE-së më pohuan më herët fitoren e tij dhe se do të qëndronte në krye të vendit.

Kjo, pavarësisht nga fakti se BE-ja nuk e njeh zyrtarisht autoritetin e tij.

Ekzistonte një ndjesi se Bjellorusia dalëngadalë, do të dorëzohej me siguri ndaj gjendjes së zakonshme të neglizhencës perëndimore.

Por, kësaj radhe me udhëheqësen e opozitës Svetlana Tsikhanouska, duke u bërë një tjetër udhëheqëse bjelloruse e marrë, por e mërguar.


Lajmet kryesore