Opinione / Politikë

BE-ja rrezikon sigurinë, me etiketimin e industrisë së mbrojtjes si të dëmshme


Peggy Hollinger

Banka Bayerische Landesbank e Gjermanisë, në fillim të këtij viti vendosi në heshtje se nuk donte të bënte më biznes me kompanitë e mbrojtjes.

“BayernLB nuk e ka njoftuar ende publikun…po i ndërpresim marrëdhëniet e biznesit me kompanitë, duke pasur mbi 20 për qind qarkullim në sferën e mbrojtjes”, më ka thënë një zëdhënës i bankës gjatë kësaj jave.

Mirëpo, vendimi ka shkaktuar tronditje në industrinë evropiane të mbrojtjes.

Në fund të fundit, Bavaria është shtëpia e disa prej kompanive më të mëdha gjermane të mbrojtjes, si Airbus Defense and Space dhe Hensoldt.

Dhe nëse banka e kontrolluar nga shteti i Bavarisë beson se mbrojtja është shumë e diskutueshme për t’u marrë me të, pse duhet të ndërhyjnë bankat e sektorit privat?

Tanimë, po vjen një kërcënim edhe më i madh, këtë herë nga Brukseli, ku po zhvillohet një diskutim rreth asaj se çfarë përfshijnë financat e qëndrueshme shoqërore.

Në Evropë, sistemi i klasifikimit për investimet e gjelbra, i njohur si taksonomia mjedisore, do të publikohet së shpejti. Por zyrtarët po punojnë për një “taksonomi sociale”, për të përcaktuar se cilat aktivitete kontribuojnë pozitivisht në shoqëri.

Gjithashtu për ato që nuk shkaktojnë dëme të konsiderueshme dhe ato që janë të dëmshme.

Në draft propozimet e paraqitura këtë vit, industria e mbrojtjes u grupua së bashku me lojërat e fatit dhe duhanin, si e dëmshme dhe potencialisht, jo shoqërisht e qëndrueshme.

Drafti diskuton për kufizimin e etiketës “të dëmshme” për aktivitetet e ndaluara nga traktatet ndërkombëtare, të tilla si armët kimike ose biologjike. Por gjuha mbetet e paqartë.

Një propozim tjetër, sugjeron ndalimin e kompanive nga kualifikimi që do të përdoret për produktet financiare me pakicë, nëse më shumë se pesë për qind e xhiros vjen “nga prodhimi ose tregtimi i armëve konvencionale dhe/ose produkteve ushtarake të përdorura për luftime”.

Dhe këtë herë, nuk ka asnjë kualifikim për aktivitete të diskutueshme.

Nuk është për t’u habitur që industria e mbrojtjes në Evropë po jep alarmin.

ASD-ja, shoqata tregtare e industrisë evropiane të mbrojtjes, i ka shkruar komisionit për të paralajmëruar se këto propozime mund të minojnë sigurinë e bllokut, duke kufizuar aftësinë e kompanive të mbrojtjes për të siguruar financa dhe rrjedhimisht, për të investuar.

“Është problem nëse përkufizohemi si të paqëndrueshëm shoqërisht”, ka thënë presidenti i ASD-së, Alessandro Profumo, i cili është gjithashtu shefi ekzekutiv i kampionit italian të mbrojtjes, Leonardo.

“Pa siguri nuk mund të kemi një shoqëri të qëndrueshme”, ka vijuar ai.

Tanimë, propozimet kanë ndikim.

Sekretari i përgjithshëm i ASD-së, Jan Pie, ka cituar shembuj të bankave që ndërpresin lidhjet me kompanitë e mbrojtjes në Gjermani, Finlandë, Belgjikë, Holandë dhe Suedi.

Madje, një grupi belg i është dashur të paguajë punonjësit nga llogaritë bankare jo të Bashkimit Evropian, ka treguar ai.

Organi tregtar i industrisë së mbrojtjes gjermane ka zbuluar se, më shumë se një e treta e anëtarëve përballen me probleme urgjente me bankat, si refuzimi për të ofruar shërbime standarde ose sigurim eksporti.

Dhimbja po ndihet më akute te kompanitë më të vogla, vendimtare për zinxhirin e furnizimit dhe inovacionin, ka thënë Profumo. Mirëpo, propozimi rrezikon të pengojë edhe kompanitë civile, të cilat ofrojnë teknologji gjithnjë e më të rëndësishme për projektet e mbrojtjes.

Ka arsye të mira për të qenë kritik ndaj industrisë së mbrojtjes.

Transparency International ka zbuluar se vetëm 12 për qind e 134 kompanive kryesore të mbrojtjes në botë tregojnë një nivel të lartë përkushtimi për të luftuar korrupsionin.

Por ka shumë traktate ndërkombëtare që përcaktojnë tregtinë legjitime të armëve konvencionale dhe industria e mbrojtjes në Evropë është ende vendimtare për sigurinë e bllokut.

Politikanët evropianë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë theksuar së fundmi nevojën për një industri të fortë të mbrojtjes përballë kërcënimeve globale në rritje.

Megjithatë, ekziston një inkoherencë në përcaktimin e kompanive të mbrojtjes si “të dëmshme shoqërisht” kur ato janë në të njëjtën kohë jetike për paqen dhe stabilitetin e BE-së.

Mbrojtja nuk është e njëjtë me duhanin dhe bixhozin, ku është e vështirë të shihet ndonjë e mirë sociale më e gjerë.

Disa mund të mos e pëlqejnë mbrojtjen, sipas konsulentit Francis Tusa nga Defense Analysis, “por atëherë ata duhet të bëjnë një punë më të mirë për të shpjeguar se si do të punonim pa të”.

Komisioni duhet të gjykojë me kujdes për pasojat e etiketimit të sektorit si të paqëndrueshëm, pa dallim nga të tjerët.

Kjo, duke e bërë më të vështirë për kompanitë që respektojnë ligjin, të mbledhin financa ose t’i detyrojë qeveritë të marrin më shumë shpenzime, ose të blejnë më shumë nga jashtë, ku Evropa do të ketë edhe më pak kontroll mbi sjelljen.

Sigurisht që armët janë të dëmshme. Por ato janë edhe më të dëmshme nëse i kanë ata që ju kërcënojnë, kurse ju jo.

 

Marrë nga agjencia e lajmeve, “Financial Times”.


Lajmet kryesore