Opinione / Politikë

Barriera e madhe koralore viktimë e ndryshimit të klimës, por mund të jetë pjesë e zgjidhjes


Peter Thomson Ambasadori Peter Thomson është i Dërguari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Oqeanin

Ndryshimi klimaterik është një nga sfidat me të cilat po përballet njerëzimi.

Nëse ne nuk ndërmarrim veprime drastike për të ulur emetimet tona globale të gazrave serë në Konferencën e ardhshme të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në Glasgow (COP26), në nëntor të këtij viti, fëmijët dhe nipërit tanë do ta paguajnë shtrenjtë dështimin e gjithë kësaj.

Temperatura mesatare e sipërfaqes në të gjithë botën është rritur me 1.1 gradë celsius mbi nivelet para-industriale të fundvitit 1800 dhe kufizimi i ngrohjes globale në 1.5 gradë celsius sa vjen dhe bëhet gjithnjë e më sfidues.

Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës (IPCC), në një raport të fundit, deklaroi se 70 deri në 90% të shkëmbinjve koralorë me ujë të ngrohtë, që ekzistojnë sot, do të jenë zhdukur kur të arrijmë 1.5 gradë celsius. Shkëmbinjtë nënujorë koralorë do të jenë jashtëzakonisht të rralla.

Sipas një raporti të Organizatës Botërore Meteorologjike, ne po shkojmë drejt ngrohjes globale me mbi 3 gradë celsius para fundit të këtij shekulli.

Kjo do të shkaktonte dëme të pakthyeshme në ekosistemet detare dhe oqeane në tërësi.

Shkenca dhe përvoja e fundit na tregojnë se pasojat do të ishin katastrofike në mbarë botën. Kjo është pa dyshim çka duhet shmangur me çdo kusht.

Oqeanet e mëdha të Australisë, të cilat mbulojnë rreth 10 milionë kilometra katrorë, janë një rast i tillë. Kushtet po ndryshojnë me shpejtësi.

Speciet detare po kthehen në vende, “të pashkelura” më parë, ndërsa të tjerë thjesht po zhduken.

Edhe “Great Barrier Reef”, një nga strukturat më të mëdha të planetit tonë të gjallë, është dëmtuar rëndë nga valët e nxehta detare të paparashikuara, duke shkaktuar tri ngjarje masive të zbardhjes së koraleve, të cilat zvogëluan shkëmbinjtë koralorë të ujit të cekët me 50% në vetëm pesë vitet e fundit.

Një oqean i shëndetshëm është jetik për një planet të shëndetshëm dhe shkëmbinjtë nënujorë të shëndetshëm koralorë qëndrojnë në zemër të biodiversitetit të oqeanit.

Shkëmbinjtë nënujorë të koraleve janë shtëpia e një të katërtës së të gjithë jetës në oqean. Ato ofrojnë shërbime për njerëzimin, si ushqim dhe mjete jetese, si dhe mbrojtje nga stuhitë, erozioni dhe përmbytjet. Këto dhe shërbime të tjera janë përllogaritur për të siguruar të paktën 29.8 miliardë dollarë çdo vit për ekonomitë lokale.

Mirëpo, këto shërbime janë në rrezik serioz, pasi ne vazhdojmë të lëshojmë gazra serë, duke djegur karburante fosile, duke prerë pyjet e botës dhe duke shkatërruar habitatet bregdetare.

Dritarja për të vepruar po mbyllet me shpejtësi. Kjo mund të tingëllojë tronditëse, por është mesazhi i qartë që po na jep shkenca. Në këtë moment të historisë njerëzore, nuk ka kuptim t’u shmangesh këtyre shqetësimeve.

Ne duhet të veprojmë dhe të veprojmë urgjentisht!

Kjo është arsyeja pse Dekada e Kombeve të Bashkuara për Shkencën e Oqeanit për Zhvillim të Qëndrueshëm është kaq e rëndësishme për të gjithë ne.

Duke lidhur veprime specifike me qëllimet përkatëse të zhvillimit të qëndrueshëm, kjo iniciativë globale ofron horizontin drejt të cilit duhet të ecim nëse duam të shpëtojmë oqeanin dhe, nga ana tjetër, planetin tonë.

Ai gjithashtu ilustron se sa i rëndësishëm është oqeani me zgjidhjet dhe veprimet që duhet të ndërmarrim.

Oqeani nuk ka pse të jetë viktimë e ndryshimit të klimës. Mund të jetë një zgjidhje kryesore për zgjidhjen e krizës klimatike – disa do të thoshin aleati ynë më i fortë.

Për të ndihmuar aleatin tonë, ne duhet të investojmë në ekonominë e qëndrueshme blu, duke kthyer transportin në burimet e energjisë jo-fosile dhe duke financuar infrastrukturën e ripërtëritshme të energjisë në det të hapur.

Ne duhet të ndalojmë ndotjen dhe peshkimin e tepërt të oqeanit dhe duhet të mbrojmë dhe rivendosim rezervat e karbonit blu të shoqëruara me rizofore, moçalishte dhe leshterikët e detit.

Të njohur ndryshe si “lavamanë karboni”, këto habitate të larmishme bregdetare funksionojnë si një sfungjer i jashtëzakonshëm, duke pastruar vazhdimisht ajrin tonë, duke thithur karbon dhe duke e ruajtur atë jashtë atmosferës.

Si dhe uljen e emetimeve në zero neto sa më shpejt të jetë e mundur, ne duhet të ndërtojmë rezistencën e shkëmbinjve nënujorë koralesh, në mënyrë që ato të mund të lulëzojnë në një klimë më të ngrohtë.

Sfida, me të cilën ballafaqohemi të gjithë është e madhe, por ka shpresë nëse bashkojmë idetë, përpjekjet dhe burimet tona.

Dekada e KB-ve të Shkencës për Oqeanin për Zhvillim të Qëndrueshëm siguron një mundësi që të vjen një herë në jetë për vendet, që të punojnë së bashku, për të na dhënë shkencën që na nevojitet për oqeanin që duam. Dhe, sigurisht, oqeani që duam mbështetet në shkëmbinjtë nënujorë të shëndetshëm koralesh.

Organizata, si Fondacioni “Great Barrier Reef”, janë bashkuar me këtë përpjekje globale për të hartuar rrugën më të mirë përpara.

Plani i Rimëkëmbjes së Reef të Fondacionit 2030, i cili është miratuar si një aksion i rëndësishëm i Dekadës së Shkencës së Oqeanit, do të rrisë qëndrueshmërinë e ekosistemeve të koraleve dhe mirëqenien e njerëzve që mbështeten në to.

Kjo përpjekje kolektive për një dekadë synon të kthejë rrjedhën e zhdukjes së shkëmbinjve nënujorë koralorë dhe, urgjentisht, ka nevojë për mbështetje nga e gjithë bota.

Një gjë është e sigurt: shkenca duhet të jetë udhëheqësi ynë kryesor në këto përpjekje.

Ne kemi nevojë për shkencën më të mirë për të zhvilluar ide të guximshme, inovative për të mbrojtur shkëmbinj nënujorë koralorë dhe për të ngadalësuar ndikimet e dëmtimeve klimatike.

Ne duhet të mendojmë në mënyrën më të mirë krijuese, të provojmë ide dhe strategji të reja dhe të mësojmë nga dështimet tona.

Kjo e fundit është më e rëndësishme, nëse duam të zhvillojmë me sukses zgjidhjet e nevojshme në afatin urgjent të nevojshëm.


Lajmet kryesore