Opinione / Politikë

As luftë as paqe, akordi detar mes Libanit dhe Izraelit


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

Të martën e 11 tetorit kryeministri izraelit njoftoi një marrëveshje “historike” midis Libanit dhe Izraelit, por pa zbuluar përmbajtjen e saj. Marrëveshja “do të forcojë sigurinë e Izraelit, do të injektojë miliarda në ekonominë izraelite dhe do të sigurojë stabilitetin e kufirit tonë verior”, tha kryeministri Yaïr Lapid.

Nga ana tjetër, në Liban, Presidenca e Republikës e mirëpriti si një “ofertë të kënaqshme” që “plotëson nevojat e libanezëve”. Në deklaratën e publikuar thuhet se “Presidenca beson se formula përfundimtare ka ruajtur të drejtat e Libanit për pasurinë e tij natyrore, në një moment të rëndësishëm për libanezët dhe shpreson që marrëveshja e demarkacionit të shpallet sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Të dy dëshirojnë që marrëveshja të finalizohet deri në fund të tetorit. Michel Aoun, presidenti libanez, e kërkon qartësisht përpara përfundimit të mandatit të tij më 31 tetor. Yaïr Lapid, nga ana e tij, dëshiron që ajo të ratifikohet përpara zgjedhjeve legjislative në Izrael më 1 nëntor.

Ndërkohë, presidenti amerikan Joe Biden, gjithashtu i kënaqur me rezultatin e arritur para zgjedhjeve afatmesme, uroi Libanin dhe Izraelin, duke e përshëndetur atë si një “pikë kthese historike”. “Tani është thelbësore që të gjitha palët të mbajnë angazhimet e tyre dhe të punojnë për zbatimin e marrëveshjes”, kërkoi presidenti Biden.

Megjithatë, fati përfundimtar i saj varet ende nga faktorë politikë dhe ligjorë në të dy anët e kufirit. Të dy liderët mund të vendosin ta paraqesin marrëveshjen për vetëm shqyrtim te parlamentet e tyre përkatëse ose për ratifikim nga ai.

Nga ky këndvështrim, komplikimet më të mëdha mund të lindin në Izrael, ku Lapid definitivisht nuk ka shumicën e Parlamentit dhe ku Benjamin Netanayahu me partinë e tij Likud mund t’i kthehet kundër. Ndërkohë, kabineti izraelit i sigurisë e miratoi atë të mërkurën. Të gjithë anëtarët e kabinetit votuan në favor të marrëveshjes, përveç ministres së Brendshme, Ayelet Shaked, e cila abstenoi.

Në Liban mes Presidencës, Hezbollahut dhe qeverisë duket se marrëveshja është e miratuar nga të gjithë. Por edhe këtu ka shumë gjasa që të mos kalojë për miratim nga Parlamenti duke qenë se Partia e Presidentit Aoun dhe Hezbollahu nuk kanë shumicën.

Faza e fundit e marrëveshjes do të jetë në Naqoura

Detajet përfundimtare dhe versioni përfundimtar i marrëveshjes normalisht do të duhet të vërtetohen gjatë një takimi përfundimtar në selinë e UNIFIL në Naqoura, ku të dy palët do të komunikojnë në mënyrë indirekte përmes ndërmjetësit amerikan.

Teksti

Teksti, i dalë në shtyp në versionin përfundimtar të mërkurën, synon të zgjidhë një mosmarrëveshje që vazhdon për rreth dhjetë vjet dhe që në tetor 2020 pati një thellim të mëtejshëm, kur negociatorët libanezë kërkuan 1430 km katrorë (e quajtur si linja 29) përveç 860 km katrorë tashmë të kontestuar me Izraelin (e ashtuquajtura linja 23), e cila përfshinte rezervuarin e Kanës.

Marrëveshja parashikon që platforma e naftës e Karish, në det të hapur, të mbetet nën kontrollin izraelit dhe rezervat e Kanës, të vendosura më në veri-lindje, t’i jepen Libanit. Por duke qenë se një pjesë e kësaj depozite tejkalon vijën e ardhshme të demarkacionit, shteti hebre do të marrë një pjesë të të ardhurave të ardhshme nga shfrytëzimi i gazit në Kana.

Do të jetë gjiganti francez “TotalEnergie”, i cili ka marrë eksplorimin ekskluziv të Kanës, që do të kompensojë izraelitët si një lloj “dëmshpërblimi”. Natyrisht që marrëveshja nuk sqaron se nga dhe kujt do t’i tërhiqet shuma për tarifën që do i jepet Izraelit.

Në këtë kuadër, të martën në Bejrut ka mbërritur drejtori i sektorit të kërkim-prodhimit të TotalEnergies, Laurent Vivier, për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Pas një takimi në Grand Serail, pallati i kryeministrit, Nagib Mikati i kërkoi grupit francez që të fillonte “menjëherë” shpimet kërkimore në ujërat libaneze.

Por ndryshe nga Karish, depozita e Kanës është ende larg aktivizimit. Deri më sot, ende nuk është e qartë nëse ka hidrokarbure në zonë dhe në çfarë sasie. Gjë që i bën të diskutueshme fitimet e shtetit libanez dhe automatikisht e bën marrëveshjen më pak emocionuese.

Konteksti

Sigurisht që nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje historike në kuptimin që nuk ka marrëveshje paqeje dhe Libani ende nuk e njeh shtetin e Izraelit. Por sigurisht që jemi përballë një marrëveshjeje të rëndësishme për shkak të dimensionit të saj gjeopolitik.

Marrëveshja do të zvogëlojë shanset për luftë, sepse garancitë themelore në marrëveshje parashikojnë që të mos ketë tensione në kufi dhe provokime nga asnjëra palë.

Kjo hap një periudhë stabilizimi të mundshëm mes dy vendeve.

Edhe pse marrëveshja sigurisht ofron më shumë garanci për sigurinë dhe përfitimet ekonomike për Izraelin. Ato për Libanin janë ende për t’u parë.

Pa harruar, se nëse do të ketë ndonjëherë të ardhura ekonomike nga nxjerrjet e mundshme të gazit në fushën e Kanës, ato do të menaxhohen nga e njëjta klasë politike e korruptuar, klientelare, fajtore për katastrofën ekonomike të Libanit. Politikanë që do të vazhdojnë të bëjnë beteja mes tyre për zgjedhjen e presidentit të ri dhe gjithashtu për qeverinë dhe që deri më sot nuk kanë bërë asgjë për të nisur reformat e thella dhe të nevojshme për ekonominë e vendit.

Libani është në grahmat e një prej krizave më të këqija ekonomike që nga mesi i shekullit të 19-të, sipas Bankës Botërore. Lira, monedha libaneze, ka humbur vlerën e saj si asnjëherë, papunësia dhe varfëria janë kanë prekur shifra tejet të larta dhe vendi po përballet prej kohësh me mungesa të energjisë dhe gazit.

Kjo situatë, sigurisht që u la pak hapësirë ​​për manovrim dhe diskutim mbi marrëveshjen aktorëve në pushtet. Në fakt, asnjë forcë politike, madje as opozita, nuk ka ngritur kundërshtime, përveç grupit të trembëdhjetëve të Lëvizjes “17 Tetori”.

Por ajo çka është sigurisht domethënëse, është drita jeshile e Hezbollah-ut. Grupi ishte i kujdesshëm dhe pavarësisht kërcënimeve gjatë negociatave, ishte e qartë për të gjithë se nuk kishte asnjë interes t’i bllokonte.

Për më tepër, Hezbollahu duke i dhënë Izraelit atë garanci sigurie, në mënyrë paradoksale i dha fund çdo arsyeje për të ashtuquajturën “rezistencë”, duke qenë se marrëveshja padyshim kishte mbështetjen e liderit të partisë shiite, Hassan Nasrallah.

Është e vërtetë se libanezët e kanë refuzuar propozimin izraelit për të ashtuquajturën “linja e bovave”, e vendosur nga Izraeli pas tërheqjes së tij nga Libani jugor në maj 2000 si kufi ndërkombëtar. Kjo e shoqëruar me konfliktin e pazgjidhur në Fermat Shebaa në fakt do të jetë justifikim për Hezbollanë që të mbajë armët dhe imazhin e Rezistencës.

Por nuk do të ndodhë! Jo në të ardhmen e afërt, përveç nëse është në interes të drejtpërdrejtë të Republikës Islamike të Iranit.

Në qëndrimin e tij, kreu i partisë shiite nuk mund ta mirëpresë haptazi përfundimin e një marrëveshjeje me “armikun sionist”. Por asnjë marrëveshje nuk do të ishte e mundur pa dritën jeshile të Hezbollahut dhe Hezbollahu nuk do ta lejonte kurrë atë pa dritën jeshile të Iranit.

Pse Hezbollah i dha dritën jeshile një marrëveshjeje të tillë?

Nga pikëpamja e brendshme, gjendja ekonomike dhe financiare në të cilën ndodhet Libani ishte sigurisht faktori përcaktues. Baza e partisë shiite po vuan, si dhe pjesa tjetër e popullsisë. Dhe kështu, edhe nëse nuk është e qartë se kur Libani do të jetë në gjendje të përfitojë nga të ardhurat, nuk është e përshtatshme për Hezbollanë të kundërshtojë shumë Izraelin, duke ruajtur ama gjithnjë retorikën anti-sioniste.

Nga pikëpamja e jashtme, Irani ende nuk e di rrugën që do të zgjedhë për marrëveshjen bërthamore dhe në mes të një situate ngërçi dhe stanjacioni ekonomik, të një fronti sirian që nuk ka nevojë për përshkallëzime të mëtejshme ushtarake, revoltave në rritje brenda, një derë të hapur për në dialog me SHBA-të dhe Izraelin është e dobishme dhe pragmatike.

Në një farë kuptimi, marrëveshja ndryshon rregullat e lojës, pasi parashikon një minimum bashkëpunimi, qoftë edhe indirekt, midis Izraelit dhe Libanit, duke vendosur kështu një status “as luftë as paqe” dhe duke hedhur bazat për një marrëveshje të mundshme paqeje në të ardhmen mes dy vendeve.


Lajmet kryesore