Opinione / Editoriale

Arsimi: në pritje të një reforme të vërtetë


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

Ndryshimi i kritereve të mesatares në ciklin e lartë të studimeve, është kthyer qartësisht në një eksperiment reformativ për të mbushur boshllëqe të dukshme që një sistem i tërë ka tashmë jo prej vitesh, por prej dekadash. Një sistem që me atë çka duket vetëm sistem nuk është.

Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave me propozim nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka vulosur edhe mesataren e re të pranimit në disa degë, si për shembull Gjuha Shqipe-Letërsi, Matematikë, Fizikë etj..

Mesatarja, do të ulet sërish në kuotën e mëparshme që ka pasur: 6.5!

Vitet e fundit, ajo ka qenë e fiksuar në kuotën e mesatares 7.5.

Sipas ministres aktuale të Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, vendimi është marrë për shkak të një shqetësimi që vetë Universitetet publike kanë shprehur, mbi regjistrimet e ulëta të studentëve, për shkak të mesatares.

Çuditërisht, një shqetësim i tillë nuk u shpreh nga këto institucione “gjysmë të pavarura”, ose “autonome”, kur u publikuan shifrat për cilësinë e arsimit të lartë publik në rajon, ku Shqipëria mbante vendin e fundit.

Problemi gjithsesi nuk daton as tani herët, e aq më pak nuk lidhet me mesataren e pranimit, e cila ndryshon si të ishte stinë e vitit.

Me ardhjen në pushtet të Qeverisë Rama 1, një gangrenë skolastike u zhbë, pasi disa Universitete private, të mbira si kërpudha ndër vite e me diploma fiktive të shpërndara, u hoqën tërësisht nga qarkullimi.

Një standard akreditimi për institucionet e arsimit të lartë u vendos dhe një kompani britanike e mori në dorë vlerësimin. Universitetet, pa dallim nëse publik apo privat, morën vlerësimin e certifikuar.

Universiteti i Tiranës – i pandehur edhe si më i rëndësishmi në vend – mori një akreditim më të ulët se pjesa më e madhe e Universiteteve private dhe që këtu, mund të kuptohet se diçka ka çaluar.

Me vendosjen e mesatares së pranimit fillimisht në 6.0, më pas në 6.5 e më tutje edhe në 7.5 (disa degë 8 apo 8.5), nxënës poshtë këtij niveli mesatareje të përgjithshme në gjimnaze mbesnin jashtë sistemit arsimor të lartë (të paktën atij publik).

Ndaj, numri i studentëve fillonte të binte ndjeshëm dhe një reformë më e thelluar është kërkuar me kohë të bëhet. Mirëpo ka aq shumë paqartësi se si duhet të bëhet, sa nuk kuptohet as ku fillon e mbaron reforma dhe në fund, gjithçka mbetet në nivele mesataresh.

Nëse do të flasim për vende shumë të suksesshme në arsimin e lartë si SHBA-të apo Britania e Madhe, Italia, Gjermania, Franca, etj., do të kuptohej se nuk është çështje mesatareje, pasi atje mungon ky kriter në shumë institucione të larta.

E megjithatë, ato vijojnë të funksionojnë normalisht e të kenë rezultate shumë të larta, për shkak të integrimit dhe metodologjisë që ndjekin për të ingranuar studentët në rrugën logjike të dijes dhe në sistemin e punës.

Në Shqipëri, sistemi çalon kudo, por më shumë në publik, sepse baza strukturore e degëve universitare të ofruara, as që përputhet minimalisht me nevojat e tregut e aq më pak të zhvillojë studime të mirëfillta mbi nevojat. Apo mbi organizimin e vetë universiteteve.

Kështu në katër qytete në jug të vendit ka universitete që janë vetëm një kopje e dobët e atij të Tiranës.

E ndaj dhe ka mbingopje me të diplomuar në drejtësi, mjekësi, ekonomi dhe shumë prej tyre, zgjedhin të ikin jashtë për të vijuar karrierën.

Për të mos folur për ata, të cilët duke parë nivelin akademik këtu, daljen e kryejnë që në gjenezën e fillimit të studimit të lartë.

Pse ndodh kjo?

Kush do, e sheh se një grusht njerëzish, janë ata të cilët prej vitesh i drejtojnë fakultetet e ndryshme. Janë kthyer si të thuash, në “politikanë të arsimit”.

Reformat bëhen për njerëzit dhe politikanëve, nuk u leverdisin fort ato.

Andaj dhe ato mbeten në rrafshin e mesatareve, kartonëve, ryshfeteve, korrupsionit për nota e diploma apo edhe poste akademike të ulëta.

Për të vijuar këtë linjë, mesataret i mbajnë lart në pozita këta njerëz, me shpërqendrimin e vëmendjes nga problemi i vërtetë dhe me kërkesën për mbingopje të auditorëve boshe sërish.

Një mesatare në jetën e adoleshentit nuk mund të jetë kriteri i përcaktimit të rrugës që ai do të ndjekë në jetë!

Sa prej nesh e kishin të qartë në moshën 18 vjeç atë që në jetë do bëheshin?!

Duke marre shkas nga ky vendim qeveritar, ajo çka në thelb duhet të bëhet është vetëm pyetja: Pse vallë numri i studentëve ka rënë

Në pritje të një reforme të vërtetë!


Lajmet kryesore