Opinione / Teknologji

Apple-i, gjiganti i fundit i teknologjisë amerikane që mbetet në Kinë?


James Clayton

Kishte një kohë kur gjigantët e teknologjisë amerikane ishin të gjithë në Kinë, madje edhe në Facebook. Sot, prania e madhe e Apple-it në vend, duket gjithnjë e më e dukshme.

Javën e kaluar, Microsoft-i, i cili ende operon në Kinë, njoftoi se do të mbyllte atje rrjetin e tij social, LinkedIn.

Kompania ka thënë se nevoja për të qenë në përputhje me shtetin kinez ishte bërë gjithnjë e më sfiduese, kështu që u tërhoq.

Apple-i pastaj, ka problemet e veta të censurës në vend.

“BBC” raportoi javën e kaluar se dy aplikacione të njohura fetare ishin hequr nga App Store-i i Apple-it.

Më vonë, doli se ishte hequr edhe Audible në pronësi të Amazon-it dhe aplikacioni Yahoo Finance.

Apple Censorship, një grup që monitoron App Store-in, ka thënë se ka parë një rritje të aplikacioneve që janë hequr këtë muaj.

Çfarë po ndodh?

Goditja e madhe teknologjike

Është jashtëzakonisht e vështirë për të vlerësuar se çfarë po ndodh pas dyerve të mbyllura në Pekin.

Megjithatë, ajo që po bëhet gjithnjë e më e qartë është se Apple-i dhe Microsoft-i janë përfshirë në një betejë të brendshme midis autoriteteve dhe industrisë kineze të teknologjisë.

Kina ka titanët e saj të mëdhenj të teknologjisë – Tencent, Alibaba dhe Huawei – që janë kompani të mëdha globale. Por qeveria kineze është e shqetësuar për fuqinë që zotërojnë.

Në prill, Alibaba pranoi një gjobë rekord prej 2.8 miliardë dollarësh, pasi një hetim zbuloi se kishte abuzuar me pozicionin e saj dominues në treg.

Kurse në gusht, qeveria kineze zbuloi një plan pesë-vjeçar që përshkruan rregullimin më të rreptë të ekonomisë së teknologjisë.

Gjithashtu është goditur edhe Bitcoin-i.

Kompanitë amerikane nuk janë kursyer nga “goditja e madhe e teknologjisë”.

“Shtypja sugjeron që Apple-i dhe Microsoft-i janë shumë të vetëdijshëm se pozicioni i tyre është më i dobët nga sa ka qenë vitet e fundit. Ata e dinë se duhet të ecin me kujdes”, ka thënë James Griffiths, autor i “The Great Firewall of China”.

Reagimi i Microsoft-it duket se ka ardhur prej një ligji që do të hyjë në fuqi më 1 nëntor – Ligji për Mbrojtjen e Informacionit Personal (PIPL) – i cili do t’i kërkonte kompanisë të respektonte më shumë rregullore.

Microsoft-i e aludon atë në një deklaratë që shpjegon vendimin për të tërhequr LinkedIn-in: “Po përballemi me një mjedis operativ dukshëm më sfidues dhe kërkesa më të mëdha të pajtueshmërisë në Kinë”.

Graham Webster, kryeredaktor i Projektit DigiChina në Universitetin e Stanfordit, mendon se “ata vendosën se thjesht nuk ia vlente”.

Webster e lidh vendimin për t’i thënë lamtumirë LinkedIn-it me zbatimin e ardhshëm të PIPL.

Pazari i djallit

Megjithatë, Apple-i ka një grup të ndryshëm përparësish ndaj Microsoft-it në Kinë.

Është ngatërruar thellë në vend, shumë më tepër se çdo kompani tjetër teknologjike amerikane.

Në tremujorin e fundit, Apple-i bëri gati 15 miliardë dollarë të ardhura në Kinë dhe Tajvan, një shifër e jashtëzakonshme.

Gjithashtu zinxhiri i tij global i furnizimit varet nga prodhimi kinez. Dhe për të qenë në Kinë, Apple-i e di se duhet të luajë sipas rregullave të vendit. Edhe nëse kjo do të thotë censurë.

Ju mund të pyesni: Pse Apple-i nuk shet pajisje vetëm në Kinë dhe nuk harron App Store-in?

Problemi është se Apple-i beson që App Store-i dhe iPhone-i janë të pandashëm. Nuk dëshiron të krijojë një precedent të aplikacioneve të ngarkimit anësor, ku njerëzit mund të shkarkojnë aplikacione në një iPhone larg nga App Store-i.

Dhe do të fitonte shumë më pak para.

Pra, nëse Apple-i do të shesë produkte në Kinë, mbajtja funksionale e App Store-it në atë vend konsiderohet thelbësore.

“Apple-i ka vite që heq aplikacionet dhe në thelb censuron App Store-in në një mënyrë ose në një tjetër”, ka thënë Webster.

Por Griffiths argumenton se censura është bërë ngadalë më e ashpër gjatë kohës së Apple-it në vend.

“Apple-i i ka vendosur vetes një pazar djalli këtu”, ka thënë ai.

Strategji sekrete

Kompanitë e tjera e para-ndjenë më herët se Microsof-i.

Google-i hoqi motorin e tij të kërkimit nga Kina në vitin 2010, pas asaj që pohoi se ishte një sulm kibernetik kinez. Kompania ka thënë se nuk ishte më e lumtur të censuronte kërkimet.

Rebecca Fannin, autore e Silicon Dragons, beson se tërheqja e LinkedIn-it nga Microsoft-i e bën Apple-in “objektiv të madh”.

Por ajo mendon se Apple-i do të luftojë për të qëndruar në Kinë.

“E dini që Apple-i është me të vërtetë një nga liderët e tregut në Kinë…nuk shoh të tërhiqet nga Kina për ndonjë nga këto çështje tani afër”, ka shtuar ajo.

Çka nuk dimë janë bisedat që po zhvillohen me dyer të mbyllura mes Apple-it dhe autoriteteve kineze.

Apple-i rrallë komenton mbi këto histori dhe u tregon gazetarëve politikën e vet për të drejtat e njeriut, e cila thotë se do të ndjekë ligjet e vendeve ku operon. Kjo, edhe nëse nuk pajtohet me to.

Dhe në Kinë, ata kanë bërë pikërisht këtë.

Kur autoritetet vërtet duan që një aplikacion të hiqet, ai hiqet.

Tanimë, prania e Apple-it në vend duket thuajse si diçka e mbetur nga një epokë tjetër. Big Tech-u thjesht nuk ka më një prani në Kinë.

Pyetja që ngrihet tani është se sa rregullim, sa pajtueshmëri – dhe sa censurë – quhet shumë?

 

Marrë nga agjencia e lajmeve “BBC”.


Lajmet kryesore