Opinione / Editoriale

Albanian Post, projekti i ri i një projektuesi të vjetër


Sa herë një media e re shfaqet ne peisazhin mediatik shqiptar, fenomeni shoqërohet nga dilema e përhershme se a do të zërë ajo vend në një treg të mbingopur nga televizionet, gazetat e portalet online. A ka hapësirë për të ekzistuar profesionalisht dhe për të mbijetuar financiarisht, a ka gazetarë që do të sjellin diçka të re, a mund të krijojë dot një profil identitar në kaosin mediatik, ku vështirë të bëhet dallimi mes profesionalizmit dhe spekullimit?

Këtë dilemë nuk e ka vetëm publiku, të cilit i ofrohet një gjellë e re në tryezën e bollëkut mediatik. Këtë dilemë e ka cilido që vendos t’i hyjë kësaj aventure si editor. E ka patur dhe vazhdon të përndiqet prej saj edhe Baton Haxhiu. Ai sot nis një udhëtim të ri, në një rrugë qe e ka rrahur prej kohësh dhe ia di kthesat përmendësh. Pas shumë përgatitjesh, gjithnjë me dyshimin mundues për suksesin, sot Albanian Post hodhi hapin e parë, pas të cilit nuk ka kthim pas. Dy redaksitë e kësaj media të re, një në Tiranë dhë një në Prishtinë, do të provojnë që logon e tyre të vendosin në ballinën mediale të hapësirës shqiptare. Koha e zgjedhur është e mirë, por sfida më e madhe. Zgjedhjet, fillimisht në Kosovë e pastaj në Shqipëri, janë një rast i mirë për audiencë por njëkohëshit dhe një teh i hollë mes profesionalizmit dhe shërbimit. Albanian Post ka një mundësi të dyfishtë të dallohet nga mediat propaganduese dhe të profilizojë, që në nisje, një portret serioz.

Shpesh, kur nisim një projekt të ri, mendojmë se ai do të jetë i fundmi. Duam të projektohemi tek ai si zgjedhja apo streha e fundit profesionale, diçka si rrugëtimin e mbramë në një udhë që të lodh dhe të konsumon. E kam dëgjuar disa herë Batonin, të më thotë i bindur se pas këtij apo atij projekti mediatik nuk do t’ia nisë kurrë nga e para me diçka të re. Në fakt ka nisur e rinisur përsëri. Dëshira për të ndaluar pas 30 viteve në një stacion, është e fortë por deri tani e pamundur. Kemi krijuar e ndërtuar shumë media, gjithnjë me pasionin e projektit të jetës, e ndalesës finale, po nuk ka qenë e thënë. Batoni me gjasë është i dënuar që projektin e jetës ta ketë t’u japë jetë krijesave që ngjizen në letra e studio.

Albanian Post është ngjizur si e tillë dhe me siguri Batoni nuk heq dorë nga tentacioni për ta konsideruar si projektin e tij të fundit. Duke i uruar jetë sa më të gjatë Albanian Post, nuk do të vija bast nëse krijuesi i saj do të ndalej përfundimisht këtu. Për më tepër që Batonin është e vështirë ta parashikosh në çdo rrethanë.

Peisazhi mediatik shqiptar, po aq sa i mbingarkuar po aq ka edhe nevojë për media ku pobliku të referohet dhe orientohet në tollovinë e lajmeve të rreme apo të manipuluara. Albanian Post besoj do ta gjejë busullën që i duhet në lëtë lundrim, ku shpesh do t’i duhet të shquaj tek drejtuesi i saj komentuesin nga botuesi. Sfidën e mosndikimit në pavarësinë editoriale të stafit profesional, Baton Haxhiu e ka kaluar disa herë. Kështu që Albanian Post-it i duhet vetëm besim dhe kohë për të vazhduar rrugëtimin e sigurtë. Dilemat e nisjes do të mbeten pas dhe ndoshta Batoni mund ta ketë gjetur vërtetë stacionin e tij të fundit.


Lajmet kryesore