Opinione / Politikë

A mund të përcaktohet rruga politike e një partie nga fati personal i një lideri? 


Jam pothuaj e befasuar nga pjesëmarrja e një numri të lartë të ftuarish dhe delegatësh, prej të cilëve shumë të rinj, në “Kuvendin” apo “Tubimin” e organizuar nga Sali Berisha në ambientet e stadiumit Air Albania.

Duke e menduar mirë ama, në revolucionin që po ndodh brenda Partisë Demokratike, përmasat e konsensusit të bazës për Sali Berishën janë të befasueshme për numrin, por nuk janë shumë të habitshme.

Lideri i vjetër është babai i partisë, ai mbart një karizëm të theksuar dhe, me sa duket, edhe armët ekonomike dhe lidhjet e biznesit (pra dhe me shantazhe të mundshme) me shumicën e anëtarëve të Partisë Demokratike.

Nga ana tjetër Basha është një konkurrent i dobët në sytë e tyre. Duke harruar që deri në këtë verë ai ishte interpretuesi i zgjedhjeve politike të bëra nga vetë Berisha. Ai nuk mbajti haptas anë kundër Berishës edhe kur Sekretari i SHBA-së, Antony Blinken, e shpalli atë persona non grata. Basha bëri lëvizjen e tij të parë vetëm më pas.

Me një veprim flagrant dhe të paprecedentë në skenën ndërkombëtare, ambasadorja amerikane shkoi për ta vizituar në selinë e partisë me ultimatum për shkarkimin e “padrino-s” së tij. Si pasojë, në mungesë të karizmës dhe forcës së një lideri të vërtetë, Basha goditi me thikë pas shpine Çezarin dhe përfundoi duke luajtur rolin e tradhtarit Brutus në sytë e militantëve.

Basha në sytë e atyre që mbushën “Kuvendin” e 11 dhjetorit mishëron një kundërshtar të dobët të Edi Ramës, deri në atë pikë sa akuzat e Berishës për lidhje me kryeministrin, mendoj se dukshmërisht gjejnë hapësirë në mendjen e tyre, sidomos të të rinjve që shumë pak kanë kujtesë historike.

Veçse, një gjë, nuk ndryshon tek linja e Bashës në drejtimin që ai do t’i japë demokratëve. Ndryshe nga mentori i tij, pavarësisht gjithë gijotinës politike që po kërkohet t’i bëhet, ai nuk po përjashton askënd nga PD-ja.

Gjithçka ka bërë në vendimarrje, ka qenë shkarkimi nga detyra, me argumente të qenësishëm, të disa funksionarëve, të cilët sipas tij, kishin shkelur statutin.

Pra, Basha, linjën e tij evropianiste të të drejtuarit, e ruan me fanatizmin, aty ku Berisha ruan genin e tij përjashtues prej tre dekadash.

Deri këtu kuadri duket i qartë. Por dyshimet, të rënda në këtë pikë, kanë të bëjnë me të ardhmen e Partisë Demokratike dhe të vetë demokracisë shqiptare.

Zgjedhja e Berishës, për militantët e Partisë Demokratike, është jo vetëm një akt solidariteti i madh me liderin e vjetër, por edhe një zgjedhje e strategjisë politike. Berisha mund të ngjallë emocionet dhe të jetë ende i aftë të tërheqe një pjesë të tyre. Mund të kthehet në katalizator të zemërimit dhe frustrimit. Por a është në gjendje Berisha të ndërtojë? A është në gjendje Berisha të sjellë ndryshimin?

Berisha e bëri të qartë se Partia Demokratike po nis një sfidë të hapur ndaj SHBA-së. Dhe asgjë politike nuk e shtyn Berishën drejt kësaj sfide. Qëllimi i vetëm është mbrojtja e familjes së tij, e zhytur në afera korruptive  dhe faktorizimi brenda rrëmujës politike.

Kjo do të jetë pra zgjedhja e partisë së Berishës së sotëm për sa i përket politikës së jashtme dhe rreshtimeve ndërkombëtare. Po si përkthehet nga ana politike në rajon? Të gjithë e dinë se në Ballkan po ndodh një përplasje mes Aleancës Atlantike, e cila identifikohet me botën e demokracive, kundër asaj të regjimeve autoritare, me në krye Rusinë dhe Kinën.

Shqipëria postkomuniste ka qenë gjithmonë aleati më i besuar dhe më i vendosur i të gjithë Rajonit për SHBA-në, Evropën dhe NATO-n. Një mburojë e vërtetë kundër ndikimeve dhe infiltrimeve të Moskës dhe Pekinit. Dhe kjo për shkak të vendimeve të marra edhe nga vetë kreu i vjetër demokrat si kryeministër.

Madje, aq siguri ka SHBA-ja për drejtimin shqiptar, sa që vetë ambasadorja Yuri Kim, ka deklaruar se nuk ka asnjë dyshim, se shqiptarët e njohin shumë mirë se kush janë miqtë e kush armiqtë, duke rreshtuar veten nga kahu i aleatëve dhe Moskën e Pekinin nga ai i kundërshtarëve.

Zgjedhja e Berishës, sot e përkthyer në politikë, çfarë do të thotë? A do ta braktisë Partia Demokratike fushën e demokracive për të kaluar në atë të diktaturave apo regjimeve të ndryshme autoritare?

Për Berishën, i cili tani njëson ambasadoren amerikane me ato rusë të periudhës sovjetike, në realitet do të ishte vetëm një rikthim në të kaluarën e tij si njeri i aparatit komunist.

Por për Partinë Demokratike, militantët, zgjedhësit e saj, a është kjo një perspektivë e pranueshme? A është e mundur të braktisësh fushën e demokracisë për të ndjekur fatin e një mjeti të vjetër të politikës dhe shoqërisë shqiptare të akuzuar publikisht për korrupsion bashkë me gjithë familjen e tij? A është e mundur të ndjekësh një përgjigje kërcënuese, personale të Berishës ndaj SHBA-së duke djegur të ardhmen politike të një partie?

Për më tepër, a është e mundur të zgjedhësh këtë drejtim, kur alternativa është politikani, i cili sot më së shumti mbështetet nga amerikanët?

Dhe çfarë efektesh mund të ketë një zgjedhje e tillë edhe në fatin e vetë demokracisë shqiptare, brenda së cilës Partia Demokratike është tashmë partia e dytë?

Ashtu si në përplasjet e vitit 1997, Shqipëria po përjeton tani një konflikt që mund të përcaktojë të ardhmen e saj politike. Dhe, shikoni pak, tani si atëherë, është gjithmonë Sali Berisha ai që ka trazuar ujërat. Si atëherë dhe tani ai po kërkon të bëjë pazarin personal me SHBA-në: qetësia e familjes në shkëmbim të trazirave në vend.

I vetmi ndryshim, është një përcaktim publik, i cili rrallëherë ka gjetur kthim në gjuhën politike e diplomatike të amerikanëve.

Ama, kurrë në Ballkan…


Lajmet kryesore