Shqipëria

Opinion/ Ish-komandanti i Gardës për 21 janarin


Ish- Komandanti i Gardës së Republikës së Shqipërisë, Ndrea Prendi, i ftuar të hënën në emisionin Opinion, ka shpjeguar protestën e 21 janarit të 2011-ës, ku mbetën të vrarë katër persona.

Sipas tij, për protestën e 21 janarit janë marrë tre letra me shkrim nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda. Këto letra paralajmëronin situatën që mund të krijohej gjatë protestës.

Letra e parë vinte nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL), ku informonte se do të zhvillohen sulme terroriste, me lëndë kimike, kundër institucionit të Presidentit dhe Kuvendit, në disa vende të ndryshme të Evropës.

Letra e dytë njoftonte se po përgatitet një atentat kundër kryeministrit të vendit. Ndërsa e treta lajmëronte se në lagjen numër 1 dhe 2 në Tiranë po bëheshin përgatitje për lëvizje të paligjshme nga djem të moshës 25 vjeç, nga rrethet. Ku disa prej tyre ishin me probleme me drejtësinë.

Prendi, ka deklaruar se Garda e Republikës nuk ka pasur përplasje me protestuesit. Ai është shprehur se ka qëlluar në ajër në një situatë “tepër të acaruar”.

Sipas tij, efektivët e Gardës kanë hapur zjarr pasi kanë njoftuar protestuesit me megafon të mos hyjnë në Kryeministri. Ai shprehet se ka pasur goditje me molotov, pasi kishin informacion që në turmë ka njerëz të armatosur dhe do të hapej zjarr.

Sa i përket ndërrimit të tytës që i është bërë pistoletës së tij, ai është shprehur se Prokuroria i ka bërë “presion” shoferit të tij, që të deklarojë “atë që nuk është e vërtetë”. Sipas tij, prokuroria ka bërë fajtor komandantin e Gardës së Republikës.

Përgjimet e Ndragheta-ës.

Gjatë emisionit është diskutuar për përgjimet e publikuara në mediat italiane të organizatës kriminale mafioze, Ndragheta, ku përmenden emra të zyrtarëve të lartë shqiptarë.

Albanian Post ka shkruar rreth përgjimeve ku të plotë mund të gjeni bashkangjitur linkun.

Gazetarja, Klodiana Lala, mbron tezen se ky hetim ka filluar ndaj Antiono Gallos për pastrim parash pasi kishte dyshime se në rajonin e Kalabrisë ishin vjedhur votat në favor të Franko Talarikos.

Ajo pretendon se Antonio Gallo ka hyrë e ka dalë nga Shqipëria “me dhjetëra herë”. Gjithashtu dhe gazetari, Artan Hoxha, tha se Ndrangheta në Shqipëri ka kohë që është futur dhe kjo nuk është e hera parë.

Reagime ka pasur dhe nga Këshilltari i presidentit të Shqipërisë, Ilir Kulla, person që u përmend në përgjimet e antimafias italiane. Ai është shprehur se “nuk është takuar ndonjëherë me shefin e antimafias” ashtu sikurse dëgjohet në përgjim.

“As s’e kam takuar dje as kam takuar ndonjëherë shefin e prokurorisë antimafia”, shkruante Kulla në mesazhin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore