Lajme

OPEC+ do t’i përmbahet politikave ekzistuese të prodhimit të naftës, edhe pse është rritur kërkesa


OPEC+ ka të ngjarë t’i përmbahet politikave ekzistuese të rritjes së moderuar të prodhimit. Kjo, edhe pse pritet që kërkesa, këtë vit, të kapë maja të reja, ndërsa çmimet e naftës tregtohen pranë niveleve më të larta që nga viti 2014.

Grupimi, i cili përbëhet nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e udhëhequr nga Rusia, prodhon mbi 40% të furnizimit global me naftë. Organizata është përballur me presionin e konsumatorëve kryesorë si Shtetet e Bashkuara dhe India për të nxjerrë më shumë naftë, me qëllim ndihmën në rimëkëmbjen ekonomike të shkaktuar nga pandemia.

Por OPEC+ ka refuzuar t’u përmbahet rritjeve të shpejta, duke argumentuar se bota po përballet me një mungesë energjie për shkak të tranzicionit të dobët të vendeve konsumuese, drejt energjisë së gjelbër.

Pesë burime të OPEC+ thanë për agjencinë mediatike Reuters, se pritet që ministrat të bien dakord për të vazhduar me një rritje të planifikuar prej 400 mijë fuçi në ditë, pavarësisht çmimeve të larta të naftës.

Një raport i përgatitur nga Komiteti i Përbashkët Teknik (JTC), dhe i parë nga Reuters, tregonte të pandryshuar parashikimin për rritjen e kërkesës botërore për naftë për vitin 2022 më 4.2 milionë fuqi në ditë.

Gjithashtu, në raport shkruhej që kërkesa pritej të kapte nivelet para pandemisë në gjysmën e dytë të vitit. Kërkesa për naftë arriti kulmin e saj prej pak më shumë se 100 milionë fuçi në ditë, në vitin 2019.

Megjithatë, raporti vuri në dukje se një numër rreziqesh vazhdojnë të mbeten mbi tregun e naftës, duke përfshirë pasiguritë e lidhura me ndikimin e mundshëm të variantit të coronavirus-it Omicron, pengesat e vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit dhe politikën e Bankës Qendrore për të luftuar inflacionin.

JTC gjithashtu vuri në dukje rreziqe të tjera për rimëkëmbjen e tregut të naftës, duke përmendur paqëndrueshmërinë në tregjet e mallrave, kufizimet në kapacitetin e prodhimit të naftës nga investimi i pamjaftueshëm, sfidën e niveleve të larta të borxhit sovran në shumë rajone dhe rreziqet gjeopolitike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore