Tregjet

One Coin, kriptovaluta që zhvati botën


One Coin, një kriptovalutë e lindur në Bullgari dhe e cilësuar nga The Times si “një nga skemat mashtruese më të mëdha në histori”, i ka zhvatur qytetarëve të gjithë botës 4 miliardë dollarë.

Themeluesja e One Coin, Ruja Ignatova, kishte për qëllim të rrëzonte nga tregu BitCoin-in. Ajo jo vetëm që nuk ia arriti, por sot ndodhet në kërkim ndërkombëtar.

Ruja u vu në qendër të vëmendjes nga një podcast i BBC-së në 2019-n, “The Missing Cryptoqueen”.

Mënyra si funksiononte kjo skemë ishte sa e thjeshtë aq edhe e nderlikuar. Praktikisht njerëzit mund të blinin materiale edukative mbi tregtimin. Paketat e ofruara varionin nga 100 euro në 118 mijë euro. Ka persona që pohojnë se ka pasur dhe paketa prej 225 mijë euro-sh.

Çdo paketë të pajiste me xhetona virtualë të cilët mund të përdoreshin për të “gërmuar” One Coin. (Kriptovalutat gjenerohen nga gërmimi që kompjuterët bëjnë në servera).

Pasi të kishe mbledhur One Coin-s, mund t’i shkëmbeje ato me euro, nëpërmjet transaksioneve, që limitoheshin sipas paketave.

Në 1 mars 2016, One Coin mbylli faqen e vet për dy javë duke ndaluar çdo veprim transaksioni. Ata njoftuan se faqja po përmirësohej. Më pas faqja u rihap por asnjë ndryshim nuk ishte bërë. Në janar 2017, transaksionet ndaluan plotësisht edhe pse skema vazhdoi të pranonte fonde.

Ankesat e para filluan të grumbulloheshin, por pa pasur përgjigje mbrapsht. Në një vit e gjysmë, One Coin zhvati mbi 4 miliardë dollarë. Vendet kryesore që u goditën ishin Kina, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja.

Iluzioni i kriptovalutave

Arsyeja pse One Coin rezultoi kaq i suksesshëm në opinion publik, ishte për shkak të vëmendjes që kanë marrë kriptovalutat në vitet e fundit. BitCoin shumë herë ka arritur rekorde historike gjatë 2020-ës. Edhe kriptovaulta të tjera po marrin vëmendje, si Litecoin apo Ethereum.

E gjithë kjo pasi kriptovalutat ofrojnë fshehtësi të plotë të të ardhurave, pa lënë gjurmë. Edhe transaksionet janë shumë të thjeshta për t’u kryer.

Pavarësisht lehtësive që kanë, kriptovalutat shpesh janë kritikuar për mungesën e transparencën. Disa pretendojnë se ato janë të padobishme dhe do të bien një ditë. Pra koncepti i kriptovalutës është thjeshtë një iluzion për shumë njerëz.

Perandoria e krijuar nga Ruja Ignatova

Është e cuditshme të mendosh se në një shtet jo shumë të fuqishëm globalisht si Bullgaria mund të lindë një skemë e tillë mashtrimi. Ignatova nuk është e vetmja e përfshirë. Ndër bashkëunëtorët kryesorë është vëllai i saj, Konstantin Ignatov.

Kina kreu disa arrestime të bashkëunëtorëve të Ignatova-s aty. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Gjermani. Po ashtu dhe SHBA-ja. Një pjesë e vogël e parave janë rigjetur dhe janë kthyer tek pronarët e ligjshëm.

Ruja ndërkohë ka precedentë penalë për mashtrim që në 2012-ën, kur së bashku me babain e saj Plamen, akuzoheshin për blerjen e një kompanie të falimentuar në rrethana të dyshimta.

Edhe pse është e dënuar në mungesë, nuk ka asnjë shenjë se ku Ruja gjendet sot.

Perandoria që ajo ngriti me One Coin, ka falimentuar tashmë. Pavarësisht kësaj, mbi katër miliardë dollarë janë tërësisht të zhdukur.

Dhe nëse këto para, janë zhdukur me Rujën, atëherë ajo mund të cilësohet si një ndër zhvatëset më të mëdha në historinë e njerëzimit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore