Lajme

Omicron: Qyteti i Pekinit kërkon t’u jepet fund dërgesave jashtë shtetit


Zyrtarët e Pekinit kanë kërkuar që njerëzit të ndalojnë porositë e blerjeve “online” nga jashtë vendit, pasi gjatë kësaj dite u raportua se një grua vendase mund të jetë infektuar me Omicron pasi hapi një paketë.

Ata përsëritën teorinë se COVID-19 mund të përhapet ndërkombëtarisht në importet e ushqimeve të ngrira, diçka që shumë shkencëtarë e kanë vënë në dyshim.

Zyrtarët thanë se gruaja që rezultoi pozitive, nuk kishte histori udhëtimi.

Ata shtuan se gjetën gjurmë të virusit në një kuti të një porosie që ajo mori.

Infeksioni vjen më pak se tri javë përpara se Pekini të organizojë Lojërat Olimpike Dimërore.

Të hënën, Kina njoftoi se nuk do t’u shesë bileta anëtarëve të publikut për Lojërat. Si pjesë e masave të kontrollit të virusit, vetëm personat e ftuar do të lejohen të marrin pjesë. Nuk dihet ende sesi do të përzgjidhen, apo nëse do të duhet të karantinohen.

Agjencia e lajmeve “AFP” raportoi se zyrtarja e shëndetësisë Pang Xinghuo u tha gazetarëve të hënën se virusi ishte gjetur në sipërfaqen e një letre, që personi i infektuar kishte marrë nga Kanadaja, si dhe brenda letrës së pahapur.

“Dhjetëra letra nga e njëjta grumbull u testuan dhe pesë treguan gjurmë pozitive të COVID-19”, tha Pang, duke përfshirë mostra nga brenda letrave të pahapura.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve të Pekinit deklaroi se nuk mund të përjashtohej mundësia që gruaja të ishte infektuar prej një pako nga një vend tjetër.

Nëse hapen dërgesat nga jashtë, është sugjeruar që kjo të bëhet jashtë, me dorëza nga marrësi dhe hedhjen e paketimit.

Ajo që Pekini e quan strategjia e tij “dinamike zero-COVID” kombinon vaksinimin masiv me një regjim testimi të vazhdueshëm, monitorim mbarëkombëtar të lëvizjeve të njerëzve, matjen e temperaturës dhe aplikacione telefonike për të vërtetuar se nuk përbën një kërcënim.

E gjithë kjo përbën një vigjilencë të lartë për çdo shpërthim të ri – nëse dhe kur dikush dallohet, reagimi është i rëndë.

Kina ka qenë e lidhur me këtë qasje që në fillim, sepse ka të ngjarë që udhëheqësit nga Xi Jinping e poshtë konsiderojnë se diçka më pak do të shkaktonte sëmundje dhe vdekje në një shkallë që do të ishte e papranueshme politikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore