Film

“Ombrella” – për ata që u zhduken në luftë e s’u gjetën më kurrë


Është mbajtur premiera e “Ombrella”, filmit të metrazhit të shkurtër, regjinë e së cilit e ka bërë aktori dhe regjisori, Ben Apolloni.

Me qëllim të kujtimit të atyre që u zhdukën dhe u kidnapuan nga forcat serbe, duke mos ditur më kurrë për fatin e tyre, për nëntëmbëdhjetë minuta, filmi shtjellon historinë e një gruaje e cila pret kthimin në shtëpi të burrit të saj të zhdukur gjatë luftës.

Madje, bashkë me të, pjesë e pritjes është edhe vajza e saj tetë vjeçare, e cila ëndërron që babai i saj të kthehet si në baladën e Aga Ymerit, që ajo e kishte mësuar në shkollë.

Albanian Post ka realizuar një intervistë me regjisorin e këtij filmi, Ben Apollonin, i cili tregon rreth inspirimit të “Ombrella”.

“Filmi është inspiruar nga një kapitull i romanit “Ulurima e ujkut” i Ag Apollonit, i cili edhe e ka bërë skenarin për këtë film të shkurtër”, tha ai.

Kasti i aktorëve të filmit “Ombrella”, nuk është i gjerë, por është profesionist, duke përfshirë figurat e shquara të artit kosovar.

“Janë katër aktorë dhe disa figurantë. Aktorët që bartin rrëfimin e këtij filmi janë: Aurita Agushi, Mentor Zymberaj, Arjola Demiri dhe Hera Gashi, e cila luan vajzën e vogël që pret t’i kthehet, babi që kurrë se ka parë”, tregon Beni.

Regjisori, Ben Apolloni, thotë të jetë ndarë i kënaqur më punën që aktorët e realizuan përmes roleve të tyre në këtë film.

“Nga veçantitë e këtij filmi do të përmendja dialogët e personazheve që janë sentencioz, janë goditës. Aktorët në këtë film nuk flasin veç sa për të thënë se po flasin, por dialogu mes tyre e shtynë ngjarjen të zhvillohet, paraqet botëkuptimet e tyre dhe gjendjen e tyre të brendshme”, shtoi ai.

Teksa skenat e filmit u xhiruan për katër ditë, kushtet meteorologjike që mbretëruan duken të mos kenë qenë ideale – “Ka qenë vështirë të xhirohen skenat jashtë, eksterierët, pasi që ishte shumë ftohtë dhe ne duhej të krijonim shiun me ndihmën e zjarrfikësve. Shiu që binte mbi ne, na ngrinte”, thotë më tej regjisori i këtij filmi.

Gjatë xhirimeve, Apolloni, tregon të ketë pasur edhe skena interesante që sollën të qeshura, por edhe frikë.

“Kur po xhironim një skenë në shtëpinë e gruas, një shtëpi e vjetër, diku nga një skutë doli një mi, i cili na frikësoi, dhe një pjesë e ekipit hipëm mbi karrige e tavolinë, e dikush iku jashtë”, tregon ai.

Tutje, ai tregon edhe arsyet se pse ky film duhet të parë.

“Filmi shpresoj të shihet sa më shumë për shumë arsye. Mund të them që është një film që futet thellë në disa probleme që ne mund t’i mendojmë, por për të cilat nuk guxojmë të flasim publikisht. Për shembull, raporti i gruas me shokun e burrit të saj të zhdukur, është goxha provokues.”, thotë Apolloni.

Ndryshe, filmi “Ombrella” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, si dhe ka pasur përkrahje organizative nga Policia e Kosovës dhe Brigada e Zjarrfikësve e Komunës së Vitisë.

Ndërsa, për Albanian Post, Ben Apolloni, zbuloi se ai është i angazhuar rreth krijimit të një dokumentari me titull “Kushtetuta e Kaçanikut”, i cili rrëfen për ngjarjen historike të shtatë shtatorit, të vitit 1990, kur delegatët shqiptarë të mbledhur në Kaçanik miratuan Kushtetutën dhe e shpallën Kosovën, “Republikë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore