Lajme

Oligarkët e sanksionuar rusë kanë shfrytëzuar boshllëkun e fshehtësisë në MB


Oligarkët rusë të sanksionuar nga rrethi i brendshëm i Vladimir Putin-it kanë shfrytëzuar një vakum të fshehtësisë të lënë të hapur nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Arkady dhe Boris Rotenberg kanë shfrytëzuar një lloj kompanie që nuk kërkohej të identifikonte pronarët e vërtetë.

Sakaq, ministrat e vendit kanë pranuar shqetësimet se këto kompani, të njohura si English Limited Partnerships (ELPs), janë abuzuar edhe nga kriminelët.

Madje janë zbuluar prova që lidhin një sërë ELP-sh me mashtrimin, terrorizmin dhe pastrimin e parave. Kështu ka rezultuar nga një hetim i përbashkët nga “BBC” dhe “Finance Uncovered”.

Qeveria, në vitin 2016 dhe më pas në vitin 2017, ka prezantuar masa që detyruan thuajse të gjitha kompanitë në MB të identifikonin pronarët e tyre të vërtetë.

Por ELP-të nuk mbuloheshin nga këto ligje të reja të transparencës.

Që atëherë, më shumë se 4 mijë e 500 prej tyre janë ngritur.

ELP-të janë bërë një rrugë për t’iu shmangur ligjeve kundër pastrimit të parave që kërkojnë që pronarët e vërtetë të kompanive në MB të zbulohen.

Ato përdoren në mënyrë legjitime në fondet e pasurive të paluajtshme, investimeve dhe pensioneve.

Ndryshe nga shumica e kompanive, ELP-të nuk kanë një identitet ligjor të veçantë.

Sipas qeverisë, kjo nënkupton se ato nuk mund të zotërojnë asete, nuk kanë një pronar përfitues dhe nuk mund të hapin ligjërisht llogari bankare në të drejtën e tyre.

Por hetimi ka gjetur dokumente që identifikojnë pronarët përfitues të ELP-ve dhe prova të përdorimit të tyre për të hapur llogari bankare dhe për të lehtësuar krimin financiar.

Graham Barrow, ekspert në krimin financiar, tregon se ato janë gjithashtu “të pambrojtura ndaj keqpërdorimit” për shkak se pak informacion rreth aktivitetit të tyre kërkohet të bëhet publik.

Referua të dhënave të hetimit, numri i ELP-ve të reja që po ngrihen është rritur me 53 për qind që nga viti 2017.

Po ashtu ka rezultuar se dokumentet e zbuluara tregojnë se ELP-të janë tregtuar si një zgjidhje alternative për të shmangur ligjet e transparencës

Vetëm pesë kompani, të njohura si agjenci trajnimi, kanë qenë përgjegjëse për 1 mijë e 500 ELP, me qindra të listuara në adresat e regjistruara.

Sakaq, më shumë se 4 mijë e 500 ELP janë krijuar në pesë vitet që nga hyrja në fuqi e ligjeve të reja të transparencës. Në pesë vitet deri në vitin 2017, janë krijuar 2 mijë e 950.

Hetimi ka vërtetuar gjithashtu se mes atyre që përfitojnë nga fshehtësia e ELP-ve janë anëtarë të rrethit të ngushtë të Presidentit Putin.

Ata janë vëllezërit Arkady dhe Boris Rotenberg, të cilët kanë qenë subjekt i një hetimi nga një komitet i Senatit të SHBA-ve në vitin 2020.

Ata kishin shfrytëzuar një rrjet global të kompanive guaskë për t’iu shmangur sanksioneve të SHBA-ve të vendosura pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Këto kompani u përdorën për të blerë vepra arti me vlerë miliona dollarë.

Një nga këto kompani ishte një ELP. Ishte Sinara Company LP dhe u krijua në janar 2017.

Kompania pretendonte se ishte e përfshirë në “turizëm dhe shërbime të biletave”.

Midis korrikut 2017 dhe qershorit 2018, ajo dërgoi “14 transferta te një këshilltar arti, i cili sipas raportit të Senatit lehtësoi blerjet për Rotenberg-ët”.

Referuar ligjit në MB, nuk ka asnjë kërkesë për të zbuluar se kush ishte pas kompanisë, i cili u shpërbë në vitin 2019.

Shumica e ortakërive të kufizuara krijohen nga të ashtuquajturit agjentë të formimit të kompanive që ofrojnë një adresë të regjistruar dhe mbështetje administrative.

Hetimi i “BBC” dhe “Finance Uncovered” ka zbuluar se nga 4 mijë e 500 ELP-të e formuara që nga viti 2017, një në katër u krijuan nga vetëm pesë agjenci me bazë në MB.

Këto agjenci kanë histori në krijimin e kompanive anonime në MB për klientët në Evropën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Disa nga ato kompani që ata inkorporuan kanë qenë gjithashtu të lidhura me krime financiare, përfshirë pastrimin e parave.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore