Lajme

Oleg Tinkov heq dorë nga shtetësia ruse për shkak të luftës


Miliarderi rus, Oleg Tinkov, përmes një postimi të bërë të hënën e një nëntorit, në median e tij sociale Instagram, ka njoftuar për heqjen dorë nga nënshtetësia e tij ruse.

Shkak është bërë lufta mes Rusisë e Ukrainës, të cilën ai e ka konsideruar si “të çmendur”.

Bankieri miliarder thotë se ai nuk do të lidhet “me një vend fashist” që “po vret njerëz të pafajshëm çdo ditë”.

“Kam marrë vendimin për të hequr shtetësinë ruse. Unë nuk mund dhe nuk do të lidhem me një vend fashist, që filloi një luftë me fqinjin e tij paqësor dhe duke vrarë njerëz të pafajshëm çdo ditë”, shkroi Tinkov në Instagram.

Ndër të tjera, ai shtoi se sa më shumë biznesmenë rusë të ndjekin hapin e tij, aq më shumë do të dobësohet regjimi i presidentit Putin dhe ekonomia e tij.

54-vjeçari ndau një foto të një certifikate që konfirmon “mbarimin” e shtetësisë së tij ruse.

“Unë e urrej Rusinë e Putinit, por i dua të gjithë rusët që janë qartësisht kundër kësaj lufte të çmendur”, tha Tinkov sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Miliarderi rus është themeluesi i Tinkoff Bank në internet, një nga huadhënësit më të mëdhenj të Rusisë që numëron rreth 20 milionë klientë.

Në prill, biznesmeni kishte pohuar se 90 për qind e bashkatdhetarëve të tij ishin kundër vendimit të Putin-it për të pushtuar Ukrainën në fund të shkurtit.

Ai u bëri thirrje udhëheqësve Perëndimorë që të ndihmonin për t’i dhënë fund “masakrës”.

Miliarderi është vënë në shënjestër të sanksioneve britanike të vendosura menjëherë pas fillimit të konfliktit.

Ai ishte arrestuar më parë në Londër në vitin 2020 me akuzën e evazionit fiskal, ku vonë iu dha liria me kusht dhe u trajtua me sëmundjen e leucemisë, në Londër.

Ai u largua nga roli i tij si shef ekzekutiv i “Tinkoff”, një bankë tregtare ruse.

Drejtuesit e bankës janë distancuar nga kritikat e tij të forta ndaj luftës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore