Lajme

OKB, thirrje për hetim pas masakrës së raportuar në Myanmar


Kombet e Bashkuara (OKB) kanë kërkuar një hetim pas raportimeve se të paktën 35 persona, përfshirë një fëmijë, u vranë në një masakër nga ushtria e Myanmar-it në prag të Krishtlindjeve.

Dy punëtorë të Save the Children, një organizatë humanitare, mbeten mes të zhdukurve.

Fotot e mbetjeve të viktimave të djegur në automjete qarkulluan në mediat sociale në Myanmar.

Aktivistët thonë se, qëkur ushtria mori pushtetin më 1 shkurt dhe rrëzoi udhëheqësen civile të vendit, Aung San Suu Kyi, më shumë se 1 mijë e 300 njerëz kanë humbur jetën.

“Unë e dënoj këtë incident të rëndë dhe të gjitha sulmet kundër civilëve në të gjithë vendin, të cilat janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha në një deklaratë të dielën shefi i çështjeve humanitare të OKB-së, Martin Griffiths.

Ai bëri thirrje për “një hetim të plotë dhe transparent të incidentit, në mënyrë që autorët të mund të dalim para drejtësisë”, në një kohë kur “miliona njerëz në Myanmar kanë nevojë të madhe për mbështetje humanitare”.

Ambasada e SHBA-ve në Myanmar, në një deklaratë të dielën, i quajti vrasjet një “sulm barbar” dhe tha se “do vazhdojë të kërkojë përgjegjësi për autorët e fushatës së vazhdueshme të dhunës kundër njerëzve”.

Në sulmin e së premtes, thuhet se forcat e sigurisë arrestuan civilë në Mo So, fshat në shtetin lindor të Kayah, ku njerëzit janë zhvendosur nga ofensivat ushtarake dhe përleshjet me grupet e armatosura.

Një fshatar që vizitoi vendin e ngjarjes për agjencinë e lajmeve “Associated Press” tha se pasagjerët e tre automjeteve ishin arrestuar, qëlluar dhe djegur në automjete.

Ata kishin qenë rrugës për në kampet e personave të zhvendosur brenda vendit në pjesën perëndimore të qytezës së afërt Hpruso, tha ai.

Save the Children me qendër në Londër tha se ushtria kishte sulmuar një makinë që mbante dy punëtorë të organizatës.

“Dy nga stafi ynë, të cilët ishin në rrugën e kthimit për në zyrë, pasi kryen punën e tyre si humanitarë në një komunitet aty pranë, u kapën nga incidenti dhe rezultojnë të zhdukur”, tha organizata e ndihmës në një deklaratë të shtunën.

“Kemi konfirmim se automjeti i tyre privat është sulmuar dhe djegur. Ushtria thuhet se i detyroi njerëzit të ndalonin makinat e tyre, arrestoi disa, vrau të tjerë dhe u dogji trupat e tyre”.

Agjencia e ndihmës, e cila vendosi numrin e të vdekurve në 38, tha se ishte “e tmerruar nga dhuna e kryer kundër civilëve të pafajshëm dhe stafit tonë”.

Save the Children ka punuar në Myanmar që nga viti 1995.

Ajo tha të shtunën se kishte pezulluar punën e saj në zonë dhe në pjesë të Magway dhe Kayin aty pranë.

Organizata tha të hënën se nuk kishte komente shtesë.

Qeveria e Myanmar-it nuk ka komentuar mbi akuzat, raportoi AP.

Gazeta e përditshme shtetërore e vendit “Myanmar Alinn” raportoi të shtunën se ushtria dogji shtatë makina në luftime me forcat guerile në Mo So të premten, sipas AP.

Një hetim i Washington Post i botuar në dhjetor raportoi se ushtria e Myanmar-it ka kryer një fushatë të paramenduar zjarrvënieje dhe vrasjesh duke synuar civilë në shtetin perëndimor Chin që nga shtatori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore