Bota

OKB: Pandemia ka ngadalësuar migrimin gati 30%


Pandemia e Covid-19 ka ngadalësuar migrimin global me gati 30%, me rreth dy milionë migrantë më pak midis 2019-ës dhe 2020-ës. Kjo është bërë e ditur nga një raport i nxjerrë më 15 janar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Numri i migrantëve që jetojnë jashtë vendit të tyre të origjinës ka arritur në 281 milionë për vitin 2020-të, krahasuar me 173 milionë në vitin 2000 dhe 221 milionë në 2010-tën.

Sipas raportit “Migrimi Ndërkombëtar 2020” nga Divizioni i Popullsisë i Departamentit të OKB-së për Çështjet Ekonomike dhe Sociale, dy të tretat e migrantëve të regjistruar jetojnë në vetëm 20-të vende, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në krye të listës. SHBA-ja numëron 51 milionë migrantë ndërkombëtarë për vitin 2020-të.

Më pas vjen Gjermania me 16 milionë migrantë ndërkombëtarë për vitin 2020-të, Arabia Saudite me 13 milionë, Rusia me 12 milionë dhe Britania e Madhe me 9 milionë.

India kryeson listën e vendeve me diasporën më të madhe për vitin 2020-të me 18 milionë indianë që jetojnë jashtë vendit të tyre të lindjes.

Vendet e tjera që përfshihen në migrimin global janë Meksika dhe Rusia, secila me 11 milionë, Kina me 10 milionë dhe Siria me 8 milionë.

Në vitin 2020-të, numri më i madh i migrantëve ndërkombëtarë kanë banuar në Evropë, me një total prej 87 milionë.

Sipas raportit 70% e migrantëve të lindur në Evropë jetojnë në një vend tjetër evropian./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore