Lajme

OKB: Mijëra të zhdukur nga lufta në Siri


Hetuesit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë raportuar se mijëra të arrestuar, janë ende të zhdukur nga lufta civile në Siri.

Raporti ka dhënë në mënyrë të detajuar krimet e pretenduara të luftës e krimet kundër njerëzimit nga të gjitha palët.

Viktima dhe dëshmitarë kanë përshkruar “vuajtjet e paimagjinueshme”, përfshirë përdhunimin e vajzave e djemve të moshës 11 vjeçare.

Sipas raportit, çështja është një “traumë kombëtare” që duhet adresuar.

Siria është shkatërruar nga një konflikt që shpërtheu pasi qeveria e presidentit Bashar al-Assad, iu përgjigj me forcë vdekjeprurëse protestave paqësore anti-qeveritare në mars të 2011-ës.

Luftimet kanë lënë të paktën 380 mijë njerëz të vdekur e gjysmën e popullsisë të largohej nga shtëpitë e tyre, përfshirë gati gjashtë milion refugjatë jashtë vendit.

Raporti nga Komisioni Ndërkombëtar i Pavarur mbi Sirinë u bazua në më shumë se 2 mijë e 650 intervista dhe hetime në më shumë se 100 ambiente ndalimi.

Ai dokumenton shkeljet nga pothuajse çdo palë e madhe në luftë që me sa duket kishin për qëllim të frikësonin dhe ndëshkonin kundërshtarët e perceptuar.

Mënyrat e torturimit

Ish të burgosurit përshkruan se nuk kishin parë dritën e diellit për muaj të tërë, ishin të detyruar të pinin ujë të papastër dhe të hanin ushqim të mykur. Ato ndanin qelitë e mbipopulluara pa tualet me qindra njerëz të tjerë dhe u është mohuar kujdesi mjekësor.

Personat e intervistuar në raport u thanë hetuesve të paktën 20 metoda të ndryshme të përdorura nga personeli i sigurisë për të nxjerrë rrëfime të rreme.

Këto përfshinin administrimin e goditjeve elektrike, djegien e pjesëve të trupit, tërheqjen e thonjve dhe dhëmbëve si dhe varjen e njerëzve nga një ose dy gjymtyrë për periudha të zgjatura.

Raporti gjithashtu tregon se të arrestuarit torturoheshin në mjediset e drejtuara nga Hayat Tahrir al-Sham, aleanca xhihadiste që dominon bastionin e fundit të opozitës në Siri.

Pas regjistrimit të të arrestuarve si të vdekur në spitalet ushtarake, trupat varroseshin në varre të ndryshme masive, duke përfshirë dy në periferi të Damaskut.

Qeveria dhe Hayat Tahrir al-Sham kanë mohuar torturimin e të burgosurve.

Komisioni i hetimit po u kërkon të gjitha vendeve të ndjekin përgjegjësinë për krimet, duke treguar vendimin e fundit të javës së kaluar në Gjermani, ku një ish-zyrtar i sigurisë i qeverisë Siriane u shpall fajtor për ndihmën dhe mbështetjen e krimeve kundër njerëzimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore