Financa

OKB kërkon 100 milionë dollarë për të ndihmuar emigrantët afrikanë në Evropë


Organizata e Kombeve të Bashkuara apeloi të mërkurën për 100 milionë dollarë ndihmë financiare. Ky fond synon të mbështesë refugjatët që largohen nga përshkallëzimi i konflikteve në Afrikë duke emigruar në Evropë.

Sipas OKB-së, njerëz të shumtë po përpiqen të kalojnë në mënyra të rrezikshme përmes detit Mesdhe drejt Evropës. Këto tentativa kanë shkaktuar të paktën 1 mijë e 64 të vdekur në kanalin qendror dhe perëndimor të Mesdheut.

Përparësia thelbësore për OKB-në është ofrimi i alternativave të sigurta për udhëtimet e rrezikshme.

Dhuna në rajonin e Sahelit ka detyruar rreth 2.9 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Rajoni shtrihet nga Senegali përmes Mauritani-së, Mali-t, Burkina Faso-s, Niger-it, Nigeri-së, Çad-it dhe Sudan-it.

Pa asnjë perspektivë për paqe dhe stabilitet në rajon, zhvendosja e popullsisë është e parashikueshme.

Përmes një raporti, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) vuri në dukje faktorët nxitës për zhvendosjen e popullsisë në rajonin e Sahel-it.

Faktorët lidhen me kushtet e këqija në vendet fqinje, ku shumë prej emigrantëve kanë kërkuar strehim si dhe me ndikimin ekonomik të pandemisë.

Kalimi i detit nuk është pjesa e vetme e rrezikshme e udhëtimit për shumë prej refugjatëve.

Shumë bien pre e trafikantëve dhe kontrabandistëve duke vuajtur abuzime, përdhunime dhe ndonjëherë vrasje.

UNHCR-ja ka njoftuar se fondi që po kërkohet është pjesë e një strategjie të re që synon rritjen e informimit, identifikimit dhe ndihmës për refugjatët.

UNHCR-ja synon të rrisë aksesin në arsim dhe jetesën normale në vendet e azilit nga ana e refugjatëve./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore