Pajisje

OKB-ja zgjedh për herë të parë një sekretare të përgjithshme të agjencisë së teknologjisë


Doreen Bogdan-Martin është gruaja e parë që zgjidhet sekretare e përgjithshme e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU).

Kjo e fundit është agjencia kryesore e teknologjisë brenda OKB-së.

E themeluar fillimisht në vitin 1865 për të menaxhuar rrjetet e para ndërkombëtare telegrafike, ITU-ja ka një rol të rëndësishëm në lehtësimin e përdorimit të radios, satelitit dhe internetit.

Amerikania do të marrë frenat e agjencisë më të vjetër të OKB-së, e cila është përgjegjëse për shumë aspekte të komunikimit ndërkombëtar.

Këto përfshijnë caktimin e orbitave satelitore globalisht, koordinimin e standardeve teknike dhe përmirësimin e infrastrukturës në botën në zhvillim.

“Paçka nëse janë fëmijët e sotëm apo fëmijët e fëmijëve tanë, duhet t’u ofrojmë atyre një bazë të fortë dhe të qëndrueshme për rritje”, ka thënë Bogdan-Martin pas fitores.

“Bota po përballet me sfida të rëndësishme me konflikte të përshkallëzuara, një krizë klimatike, pasiguri ushqimore, pabarazi gjinore dhe 2.7 miliardë njerëz pa akses në internet”, ka vijuar ajo.

Po ashtu ajo beson se ITU-ja ka një mundësi për të ndihmuar në shumë nga këto çështje.

Në rolin e saj të mëparshëm si drejtoreshë e Byrosë së Zhvillimit të Telekomunikacionit të ITU-së, detyra e saj përfshinte krijimin e vendeve të punës, zhvillimin e aftësive digjitale, diversitetin dhe barazinë gjinore.

Kandidatura e saj për postin e lartë u miratua nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili ka thënë se ajo kishte “integritetin, përvojën dhe vizionin e nevojshëm për të transformuar peizazhin digjital”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore