Lajme

OKB-ja gati të marrë vendimin për t’u tërhequr nga Afganistani


Organizata e Kombeve të Bashkuara është e gatshme të marrë vendimin për t’u tërhequr nga Afganistani në maj, nëse nuk mund t’i bindë talebanët të lejojnë gratë vendase të punojnë për organizatën.

Paralajmërimi vjen pasi zyrtarët e OKB-së kaluan muaj të tërë duke negociuar me udhëheqësit e grupit me shpresën për t’i bindur ata të bëjnë përjashtime nga një dekret i vijës së ashpër këtë muaj që ndalon gratë vendase të punojnë për të.

Të paktën kështu bëhet me dije nga kreu i Programit të Zhvillimit të OKB-së (UNDP), Achim Shtajner.

Lëvizja e kërcënuar vjen pasi dy të tretat e popullsisë, ose 28 milionë njerëz, vlerësohet se kanë nevojë për ndihmë humanitare në vitin 2023, dhe qeveria amerikane dhe anëtarët e tjerë të G7-s kanë kërcënuar të shkurtojnë ndihmën.

Talebanët kanë refuzuar të ndryshojnë qëndrimin e tyre, të njoftuar në dhjetor me sa duket me urdhër të udhëheqësit të tyre të izoluar, Hibatullah Akhundzada.

Gratë përbëjnë rreth një të tretën e punonjësve të stafit të agjencive të ndihmës të punësuar në vend dhe gjithashtu shihen si më të rrezikuara ndaj çdo reduktimi të ndihmës.

Dekreti gjithashtu kufizoi aksesin e grave në arsim.

3 mijë e 300 afganë të punësuar nga OKB-ja – 2 mijë e 700 burra dhe 600 gra – kanë qëndruar në shtëpi që nga 12 prilli, kur talebanët thanë se gratë afgane të punësuara nga OKB-ja nuk mund të raportonin më për punë.

Por ato vazhdojnë të punojnë dhe do të paguhen, ka thënë zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric. Stafi ndërkombëtar i OKB-së prej 600 personash, duke përfshirë 200 gra, nuk preket nga dekreti i talebanëve.

“Është e drejtë të thuhet se aty ku jemi tani, i gjithë sistemi i Kombeve të Bashkuara duhet të bëjë një hap prapa dhe të rivlerësojë aftësinë e tij për të vepruar atje”, ka thënë Steiner.

“Por nuk ka të bëjë me negocimin e parimeve themelore, të drejtave të njeriut”, ka vijuar ai.

Pavarësisht premtimeve fillestare për një sundim më të moderuar sesa gjatë qëndrimit të tyre të mëparshëm në pushtet në vitet 1990, talebanët kanë imponuar një regjim të ashpër që kur morën pushtetin në vitin 2021, pasi forcat e SHBA-ve dhe NATO-s u tërhoqën pas dy dekadash lufte.

Ata janë kthyer në disa nga praktikat e tyre më famëkeqe, duke përfshirë ekzekutimet publike dhe kufizimet me ndikim të gjerë mbi të drejtat dhe arsimimin e grave.

Steiner ka thënë se kufizimet e mëtejshme të këtij muaji për punonjëset femra të OKB-së nënkuptonin se “një moment shumë thelbësor” po afrohej.

“Natyrisht shpresa dhe pritshmëria jonë është që do të mbizotërojë një arsye e shëndoshë”, ka shtuar ai.

Tërheqja e mundshme vjen mes parashikimeve se largimi i OKB-së dhe agjencive të tjera mund të prekë më së shumti gratë dhe fëmijët.

Një raport nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave në shkurt ka zbuluar se gratë dhe vajzat shpesh merrnin pjesën më të vogël të ushqimit në familjet afgane dhe ishin më të ndjeshme ndaj kequshqyerjes dhe sëmundjeve.

Po ashtu ka shprehur shqetësime për ndikimin afatgjatë të tërheqjes së grupeve të ndihmës dhe të tjerëve.

Paralajmërimi i OKB-së vjen në mes të një mjedisi kompleks për agjencitë e ndihmës në Afganistan, ku disa kanë zgjedhur të pezullojnë operacionet.

OKB-ja dhe grupet e tjera humanitare janë kapur pas një numri të vogël përjashtimesh që i lejojnë gratë të punojnë në rrethana specifike në shëndetësi, arsim dhe ushqyerje, ndërsa zyrtarë të lartë të OKB-së janë përpjekur të bindin talebanët të anulojnë dekretin e tyre të dhjetorit me pak shenja suksesi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore