Lajme

OKB emëron Ziadeh nga Libia si shefe të re të UNMIK-ut në Kosovë


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), António Guterres, ka njoftuar se ka bërë emërimin e Caroline Ziadeh nga Libani, si Përfaqësuese të re Speciale dhe Shefe e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

António Guterres- Sekretari i Përgjithshëm i OKB-se

Ziadeh do ta pason Zahir Tanin nga Afganistani, të cilit Sekretari i Përgjithshëm i është mirënjohës për përpjekjet e tij të përkushtuara për të avancuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, si dhe për udhëheqjen e Misionit.

Që nga viti 2017, Ziadeh ka shërbyer si Drejtoreshë e Departamentit të Organizatave Ndërkombëtare, Konferencave dhe Shërbimeve Kulturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve të Libanit. Ajo ka një përvojë afër 30-vjeçare në diplomacinë ndërkombëtare, me një karrierë në shërbimin diplomatik të Libanit dhe me njohuri të gjera të Kombeve të Bashkuara si migrimi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe puna e ministrisë në lidhje me të drejtat e njeriut dhe agjendën e grave, paqes dhe sigurisë.

Nga 2006 deri më 2017, Ziadeh ishte Zëvendës Përfaqësuese e Përhershme e Libanit në OKB në Nju Jork.

Ajo gjithashtu ka shërbyer edhe në Ambasadat e Libanit në Mbretërinë e Bashkuar (2004-2006), në Belgjikë dhe në Bashkimin Evropian (1994-1999).

Shefja e re e UNMIK-ut po ashtu ka shërbyer edhe në Misionin e Përhershëm të Libanit në Vjenë dhe në ambasadat libaneze në Kroaci dhe Sllovaki (1999-2002).

Caroline Ziadeh ka një Bachelor të Arteve dhe Master të Arteve në Ekonomi dhe Shkenca Politike nga Universiteti Libanez në Bejrut, si dhe Diploma në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Libre de Bruxelles dhe Akademia Diplomatike e Vjenës.

Ajo flet rrjedhshëm arabisht, anglisht dhe frëngjisht.

Ndërsa Misioni i OKB-së në Kosovë është instaluar menjëherë pas përfundimit të luftës në vitin 1999.

Ky mision është transformuar thuajse krejtësisht dhe tani në Kosovë operon me një staf shumë vogël.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore