Bota

OKB: Alarmante, situata e ndihmave humanitare në Etiopi


Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka bërë me dije se situata e ndihmave humanitare në rajonin verior Tigray në Etiopi është jashtëzakonisht alarmante dhe po vazhdon të përkeqësohet me shpejtësi.

Sipas raportit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA), thuhet se hyrja e kufizuar humanitare për shkak të pasigurisë dhe pengesave burokratike i ka parandaluar punëtorët e ndihmës që të sigurojnë ndihmë për shpëtimin e jetës për njerëzit e prekur nga konflikti.

“Përgjigja humanitare mbetet në mënyrë drastike joadekuate krahasuar me nevojat e vërejtura në terren. Megjithëse kemi arritur të rrisim operacionet, përsëri është ende i kufizuar në njerëzit që jetojnë në qytete përgjatë rrugëve kryesore nga Mekelle drejt Shire, dhe dy kampe refugjatësh”.

Raporti gjithashtu tregon se ndikimi i plotë i luftës ende nuk është i dukshëm.Punëtorët humanitarë në terren thanë se uria është në rritje dhe se furnizimet me ujë dhe furnizimet mjekësore janë urgjentisht të nevojshme.

“Një nga arsyet e ndihmës joadekuate është vonesa në miratimet nga Qeveria Federale për lëvizjet e punonjësve të ndihmës në Tigray”.

Rreth 23 kamionë janë bërë gati për të dërguar furnizimet e ushqimit në veri të Etiopisë.

Disa institucione shëndetësore kanë njoftuar se kanë nevojë për furnizime mjekësore dhe ndërtimin e kapaciteteve.

Raporti thekson se situata humanitare në Etiopi po përkeqësohet shumë, pavarësisht se kanë kaluar tre muaj nga lufta në Tigray.

Kombet e Bashkuara vazhdojnë angazhimin duke i bërë thirrje qeverisë për qasje të menjëhershme, të sigurtë të përsonelit humanitar në të gjitha pjesët e Tigray-t.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore