Kosova

OJQ-të: Përzgjedhja e Kryeprokurorit s’ka qenë e rregullt, të kthehet në pikën zero


Ilustrim

Disa organizata jo-qeveritare, përmes një komunikate për media, kanë vlerësuar se përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka qenë e rregullt.

E për këtë ata kanë kërkuar që çështje e zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit të kthehet në pikën zero, pasi sipas tyre vërejtjet për këtë proces janë serioze.

“Në këtë Raport si dhe në vazhdimësi, Koalicioni e shihte të domosdoshme që procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit të kthehej në pikën zero, duke vlerësuar që Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte dështuar të siguronte integritetin dhe meritokracinë e këtij procesi”, thuhet në komunikatën.

Mes tjerash në komunikatë, bëhet e ditur se organizatat në fjalë kanë vlerësuar që paneli intervistues ka dështuar në një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës të kandidatëve.

“Një parregullsi e tillë e procesit tani dëshmohet më së miri nga formularët e vlerësimeve të kandidatëve (fletëpoentimet) nga secili anëtar i panelit intervistues. Këto fletëpoentime Koalicioni ka arritur t’i sigurojë më 10 qershor 2022, vetëm përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), pasi që Këshilli Prokurorial nuk ishte përgjigjur fare në Kërkesën për Qasje në Dokumente Publike të Koalicionit, të dorëzuar më 4 prill 2022”.

Pas analizimit të fletëpoentimeve të secilit anëtar të panelit intervistues, për secilin kandidat për Kryeprokuror të Shtetit, Koalicioni ka vërejtur se arsyetimi i vlerësimit për secilën kategori poentuese është i cekët dhe i mungon analiza e duhur, dhe është në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin për nenet 13 dhe 14 të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit dhe Kryeprokurorëve, të miratuar nga vetë KPK.

“Anëtarët e panelit intervistues nuk kanë arritur që të japin një arsyetim analitik për vlerësimin e bërë, duke dhënë thjeshtë arsyetime sipërfaqësore, pa një analizë të mirëfilltë dhe arsyetim bindës për vlerësimin e bërë”.

“Edhe pse arsyetimi dhe argumenti do duhej të organizohej në atë formë që sa më shumë të jetë bindës dhe po ashtu për ta mbrojtur vet poentimin e anëtarit, megjithatë paneli intervistues nuk ka arritur që të ndërtojë një arsyetim të tillë, pasi poentimi i këtyre anëtarëve nuk përputhet me arsyetimin e dhënë dhe kjo më së miri vërehet në disa kategori poentuese ku arsyetimi i anëtarit është plot me lavde dhe pa asnjë vërejtje dhe më pas kandidatit i hiqen disa pikë, pa treguar arsyen se pse po i hiqen ato pikë dhe ku ka dështuar kandidati”.

Arsyetimet e cekëta, me nga vetëm një faqe për kandidatë, sipas organizatave jep përshtypjen se procesin e intervistimit dhe rrjedhimisht përzgjedhjen e kandidatit e kanë zhvilluar shkel e shko, pa i dhënë kohën dhe rëndësinë që i takon këtij procesi.

“Gjithashtu, në arsyetimin e fletëpoentimeve, është parë se anëtarët e panelit intervistues nuk i kanë as vetë të qarta kompetencat e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ato të Këshillit Prokurorial, pasi në arsyetimin e tyre, kandidati vlerësohet se nuk ka treguar vizion, strategji dhe aftësi menaxhuese për sfidat e përgjithshme në sistemin prokurorial të cilat janë në kompetencë të KPK-së si organ kolegjial dhe asesi kompetencë dhe përgjegjësi e Kryeprokurorit të Shtetit”.

Të premten e 18 marsit, zyrtarisht kishte nisur intervisitimi i kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

Pesë prokurorë, kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadon mandati në prill.

Ata të cilët kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Blerim Isufaj, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

Nga pesë këta kandidatë, Blerim Isufaj, ishte vlerësuar me pikët më të larta dhe rrjedhimisht ishte propozuar për Kryeprokuror të Shtetit.

Por, për këtë do të vendosë përfundimisht Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

I takon asaj ta dekretojë Isufajn, të cilin Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka votuar unanimisht të mërkurën e 5 prillit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore