Shqipëria

OFL-së i mbaron afati


Nga 1 janari i vitit 2021, Operacioni Forca e Ligjit (OFL) nuk do të kërkojë më llogari mbi burimin e pasurisë së personave me të shkuar kriminale, të dënuar brenda dhe jashtë Shqipërisë nga ana e policisë, apo të akuzuar për vepra të rënda penale dhe krim të organizuar.

Kjo ka ardhur si pasojë e aktit normativ mbi të cilin OFL-ja funksiononte, afati i të cilit nuk u zgjat më.

Nga nisja e këtij operacioni në shkurt të vitit 2020-të deri në 31 Dhjetor të po këtij viti, 589 persona kanë plotësuar formularin e deklarimit të pasurisë, ndërsa janë evidentuar rreth 1 mijë e 550  pasuri.

Sipas ligjit pasuritë e sekuestruara priten të kthehen në objekte sociale si: kopshte, çerdhe, shkolla apo rajone policie.

Mësohet se për 69 individë është pushuar hetimi, pasi nga verifikimet kanë rezultuar se nuk disponojnë asnjë pasuri.

Deri tani në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) prokuroria ka dorëzuar 120 çështje, të cilat priten të shqyrtohen gjatë këtij viti.

Tashmë hetimi ose verifikimi pasuror do të vazhdojë vetëm në bazë të ligjit antimafia për ata individë që plotësojnë këto kushte./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore