Bota

Oficeri rus pranon helmimin e udhëheqësit të opozitës Navalny


Një nga efektivët e hamendësuar së ka gisht në përpjekjen për të vrarë udhëheqësin e opozitës ruse, Alexei Navalny, ka pranuar rolin e tij në ngjarje dhe ka zbuluar se kjo gjë është bërë duke helmuar të brendshmet e politikanit.

Vetë Navalny ka qenë personi i cili ka kontaktuar dy pjesëtarë të Shërbimeve të Sigurisë Kombëtare Ruse (FSB), të cilët dyshoheshin se kanë marrë pjesë në përpjekjen për ta vrarë atë.

Një prej tyre, e njohu menjëherë zërin e Navalny-t dhe mbylli telefonin. Ndërkohë tjetri, Konstantin Kudryavtsev, mendoi se po fliste me ndihmësin e një gjenerali të FSB-së.

Ky “ndihmës”, ishte Navalny, nën identietin e rremë “Maxim Ustinov”.

Realizmi i kësaj telefonate u bë me ndihmën e website-it të njohur investigativ, Bellingcat. Disa orë pas zhvillimit të telefonatës, Bellingcat publikoi detaje mbi tetë oficerët e FSB-së, të cilët mendohet se u përpoqën të helmonin Navalny-n.

Konstantin Kudryavtsev, Oficer i FSB-së

Kudryavtsev, i cili gjatë gjithë telefonatës mendonte se po kontaktonte me dikë nga FSB-ja, konfirmoi se kjo e fundit fshihej pas helmimit të Navalny-t. Ai pohoi se kolegët e tij kishin aplikuar novichok (një agjent nervor i përdorur edhe në armë kimike), në të brendshmet e udhëheqësit të opozitës gjatë kohës që ai po qëndronte në qytetin siberian të Tomsk.

Oficeri i FSB-së tha gjithashtu se një ekip kishte shkuar në hotelin “Xander”, ku qëndronte Navalny, dhe kishte fikur kamerat CCTV. Në çastin që u dha aprovimi, oprativët shpërndanë helmin.

Më parë mendohej se Navalny ishte helmuar nëpërmjet një filxhani çaji ose gotë pijesh, por mesa duket agjenti është përhapur në formën e spray-t ose pluhurit. Kjo mund të ketë ndodhur nëpërmjet shërbimit të lavanderisë ose infiltrimit në dhomën e Navalny-t. Ai vetë nuk arrin të rikujtojë nëse të brendshmet ishin pjesë e rrobave që mori nga lavanderia në 18 gusht.

Në datë 20 gusht, Navalny veshi të brendshmet e helmuara. Më pas ai udhëtoi drejt aeroportit të Tomsk-ut, hipi në një fluturim drejt Moskës dhe pak pas ngritjes ai u ndje shumë keq dhe humbi ndjenjat. Avioni bëri ulje të detyruar në Omsk, ku Navalny u çua në spital dhe u lidh me pajisje respiratore.

Nga aty më pas ai u çua për kurim në Berlin, ku ndodhet ende sot. Në atë kohë, Navalny do të kërkonte që rrobat e tij të silleshin në Gjermani, pasi akuzonte FSB-në se ka shkatërruar prova të krimit dhe se ishte transportuar tërësisht i zhveshur drejt Berlinit.

Oficeri Kudryavtsev, gjatë përgjimit telefonik, pohoi se ai ishte dërguar pesë ditë pas ngjarjes në Omsk për të tërhequr rrobat e Navalnyt dhe për t’i pastruar ato, përfshi të brendshmet, në mënyrë që të hiqej çdo shenjë e novichok-ut. Në telefonatë, ai thekson se pastrimi i rrobave ishte bërë me sukses.

Sipas Bellingcat, Kudryavtsev udhëtoi dy herë drejt Omsk-ut. E para në 25 gusht, kur ai mori rrobat e Navalny-t dhe një herë të dytë në dy tetor 2020. Tabulatet telefonike tregojnë se ai ishte në kontakt të vazhdueshëm me kolonel Stanislav Makshakov, oficerin e FSB-së i cili hamendësohet se komandoi operacionin.

Laboratoret evropiane konfirmuan se Navalny ishte helmuar me novichok dhe përgjimi i Kudryavtsev tashmë vërteton pse agjentit nervor kërkoi aq shumë të jepte efekt, dhe mbi të gjitha, pse shpëtoi ai nga ky atentat.

Javën e kaluar, Bellingcat identifikoi tre operativë të FSB-së të cilët udhëtonin me Navalny-n drejt qytetit siberian të Novosibirsk-ut. Dy mjekë, Alexey Alexandrov, Ivan Osipov dhe një agjent i tretë, Vladimir Payaev, roli i të cilëve mendohet se ishte zbulimi i vendodhjes së Navalny-t, pasi e ndoqën deri në Tomsk.

Po sipas Bellingcat, sipas të dhënave të fluturimeve dhe atyre telefonike, ka pasur të paktën dhe pesë operativë të tjerë të FSB-së të përfshirë. Në raportet e fundit, përmenden dhe dy emra të tjerë, përfshi një drejtues lokal të FSB-së që është fotografuar në spitalin e Omsk-ut, ku Navalny-t iu dha ndihma e parë.

Oficeri Mikhail Evdokimov punon në Shërbimet Dytësore të FSB-së në luftën kundër terrorizmit. Zyrtarët e sigurisë të vendeve perëndimore i kanë lidhur Shërbimet Dytësore me ngjarjen e Navalny-t. Muajin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian sanksionuan edhe drejtorin e FSB-së, Alexander Bortnikov.

Ndërkohë të premten, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pranoi faktin se FSB-ja ka ndjekur Navalny-n në disa udhëtime të tij, por tha se “kjo ishte e nevojshme pasi ai po punonte për inteligjencën amerikane”. Këtë akuzë, Navalny e ka mohuar. Duhet theksuar se përpara se të bëhej president, Putin ka drejtuar pikërisht FSB-në.

Nga Moska zyrtare kanë ardhur deklarata se nuk ka prova të qarta për krimin e pretenduar dhe është refuzuar hapja e një hetimi për çështjen. Sipas qëndrimit të qeverisë, Navalny është helmuar në Gjermani, ose kur ka qenë në bord të avionit që e çoi atë drejt Berlinit, ndërkohë që ishte në koma.

Por kush është Alexei Navalny, 44 vjeçari që mori rolin e liderit të opozitës ruse?

I diplomuar në drejtësi në Universitetin e Moskës, Navalny u bë i njohur në vitin 2008, kur ai filloi të krijonte një blog mbi hamendësimet për korrupsion në korporatat e mëdha shtetërore në Rusi.

Duke përdorur mediat sociale, ai filloi të shpërndante mesazhe kryesisht tek të rinjtë. Me një gjuhë të mprehtë dhe goditëse, Navalny thumbonte establishmentin e presidentit Putin. Ky i fundit, refuzonte në atë kohë ta përmendte emrin e Navalny-t dhe të replikonte me të.

Në 2011-ën, edhe pse jo pjesë e zgjedhjeve, Navalny shkruante në blogun e tij, duke i kërkuar ndjekësve të votonin për çdo parti përveç partisë të presidentit Putin, Rusia e Bashkuar. Ai arriti deri aty sa ta quante atë “partia e kriminelëve dhe hajdutëve”. Kjo shprehje, ngjiti tek populli.

Rusia e Bashkuar atë vit i fitoi zgjedhjet, por me një mazhorancë shumë të reduktuar dhe me akuza për manipulim votash, të cilat çuan në protesta të mëdha në Moskë dhe qytete të tjera.

Në këto protesta, Navalny u arrestua për 15 ditë, por më pas ai doli të fliste në grumbullime post-zgjedhore, në të cilat morën pjesë rreth 120 mijë njerëz.

Më vonë Putin fitoi dhe u rizgjodh president. Ky afirmim i tij solli dhe fillimin e sulmeve ndaj Navalny-t, fillimisht për të shkuarën e tij dhe deri tek vënia në dyshim e kredencialeve të tija si avokat.

Në korrik 2013, ai u burgos duke u dënuar me pesë vite, dënim ky që u pa tërësisht si politik. Ai u lirua në mënyrë të paparashikuar për të kryer fushatën elektorale për kryetar Bashkie të Moskës, ku përballë kishte aleatin e Putin, Sergei Sobyanin. Navalny mori vetëm 27% të votave.

Pavarësisht shifrës së ulët, zgjedhjet u cilësuan një sukses i madh për të, pasi nuk kishte hapësirë televizive dhe gjithë fushatën e tij e zhvilloi në internet.

Dënimi pesë vjeçar i Navalny-t u rrëzua nga Gjykata Supreme ruse pas një gjykimi nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ku theksohej se procesi i parë gjyqësor i kryer ndaj tij nuk ishte i drejtë.

Më pas, në 2017-ën, pati një rigjykim, ku ai u dënua sërish, por këtë herë me një pezullim pesë vjeçar. Navalny e quajti këtë vendim një farsë, duke e cilësuar një përpjekje për ta ndaluar atë të kandidojë në zgjedhjet e 2018-ës.

Navalny u bë i njohur për median ndërkombëtare në një intervistë të tij për BBC-në, kur ai i sugjeronte vendeve perëndimore se gjëja më e mirë që mund të bënin për të vendosur drejtësi në Rusi është të mos pranonin “paratë e pista” që vinin nga Rusia.

“Dua që njerëzve të përfshirë në korrupsion dhe përndjekjen e aktivistëve t’u ndalohet hyrja në vendet perëndimore, t’u mohohen vizat”, deklaronte Navalny.

Figura e Navalny-t u vu në qendër të medias botërore në 20 gusht 2020, pasi ai u ndje keq në një fluturim nga Siberia dhe u çua me urgjencë në spitalin e Omsk-ut, pas dyshimeve se ishte helmuar nëpërmjet një filxhani çaji.

Në gjendje kome ai u transportua për në Berlin, ku mori mjekimin e duhur dhe doli nga rreziku për jetën.

Ky nuk është rasti i parë i atentateve ndaj Navalnyt, pasi vitin e kaluar ai u diagnostikua me dermatit gjatë kohës kur kishte qenë në burg. Doktori i tij sugjeronte se ai mund të kishte qenë i ekspozuar ndaj një agjenti toksik.

Ai është sulmuar dy herë të tjera me një bojë jeshile antiseptike të quajtur zelyonka dhe pësoi djegie kimike në njërin sy.

Edhe pse atentati i fundit mbeti në hije për disa muaj pas përmirësimit të shëndetit të Navalny-t, tashmë përgjimet e kryera nga Bellingcat japin një qasje tjetër dhe konfirmojnë helmimin e tij nga ana e FSB-së, por në një mënyrë të cilën asnjë nuk e kishte kuptuar.

Nga Gjermania, Navalny vazhdon luftën në distancë me kundërshtarin e tij politik, Putinin./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore