Lajme

Ofertat suedeze dhe finlandeze për NATO-n mund të trajtohen “të ndara”, paralajmëron Turqia


Turqia ka sugjeruar mbështetjen e ofertës së Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n ndërkohë që bllokon Suedinë, duke theksuar përkeqësimin e marrëdhënieve midis Ankarasë dhe Stokholmit pasi një aktivist i djathtë përdhosi Kuranin në kryeqytetin suedez.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta londineze “Financial Times”.

Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu tha të hënën se Turqisë do t’i duhet të vlerësojë aplikimet që Suedia dhe Finlanda t’i bashkohen aleancës ushtarake perëndimore “veçmas”.

“Unë mendoj se do të ishte e drejtë të bëhej dallimi midis një vendi problematik dhe një vendi më pak problematik”, tha Çavuşoğlu në një konferencë për shtyp në Ankara, sipas Agjencisë Shtetërore Anadolu.

Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se “Suedia do të tronditet kur ne t’i përgjigjemi ndryshe Finlandës”.

Marrëdhëniet midis Suedisë dhe Turqisë janë përkeqësuar dukshëm në javët e fundit që kur aktivisti i djathtë i vuri zjarrin Kuranit, librit të shenjtë të Islamit, jashtë ambasadës së Turqisë në Stokholm.

Vendimi i Stokholm-it për të lejuar protestën shkaktoi një reagim të ashpër nga Turqia dhe shkaktoi protesta në disa vende me shumicë myslimane.

Në shenjë të tensioneve në rritje, SHBA-të paralajmëruan të hënën për sulme të mundshme terroriste “të afërta” kundër kishave, sinagogave dhe misioneve diplomatike në Stamboll.

Marrëdhëniet midis Suedisë dhe Turqisë nuk ishin në ditët më të mira edhe para incidentit të djegies së Kuranit, me Ankaranë që i rezistoi përpjekjes së Stokholm-it për t’u bashkuar me NATO-n.

Turqia ka insistuar që Suedia të kthejë dhjetëra njerëz që i konsideron si terroristë në këmbim të mbështetjes së Ankarasë në Stokholm për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore.

Suedia ka bërë tashmë disa lëshime, por tha këtë muaj se nuk mund të bënte më shumë për të bindur Turqinë.

“Duhet t’i ekstradoni këta terroristë që të mund të hyni në NATO”, tha Erdogan, raporton Anadolu Agency.

Turqia dhe Hungaria janë dy anëtarët e NATO-s që ende nuk kanë ratifikuar anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës, gjë që kërkon mbështetjen unanime të 30 shteteve të aleancës.

Presidenti finlandez Sauli Niinistö tha të hënën se zyra e tij kishte kontaktuar menjëherë me Erdoganin pas komenteve të tij për mundësinë e lejimit të Finlandës dhe jo Suedisë.

“Nuk ka asgjë për të thënë në këtë pikë, por mendoj se do të ketë deklarata në të ardhmen”, tha ai për gazetën Helsingin Sanomat.

Niinistö këmbënguli se Finlanda po i qëndronte linjës së saj që donte të bashkohej së bashku me Suedinë fqinje.

Ai shtoi se një pjesë e përfitimit të anëtarësimit të Finlandës në aleancën e mbrojtjes do të ishte që Suedia të bëhej anëtare në të njëjtën kohë.

Presidenti finlandez vuri në dukje gjithashtu se në kohë krize do të ishte potencialisht më e lehtë të furnizohej Finlanda përmes Suedisë dhe Norvegjisë sesa Deti Baltik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore