Lajme

Ofensiva diplomatike e janarit – Çfarë duhet të arrihet deri me 24 shkurt?


Ilustrim

Me de-eskalimin e situatës në Veri të Kosovës, u bë evidente se dialogu Kosovë-Serbi do të ri -aktualizohet përsëri.

Shenjat e para për këtë i dhanë të gjithë liderët përfshirë edhe ndërmjetësit nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosova Press, kumtoi lajmin se nisma të reja për takime në kuadër të dialogut do të ketë në fillim të vitit.

Edhe ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak, njoftoi se koha aktuale është ideale për një zgjidhje të çështjes Kosovë-Serbi dhe nëse humbet momenti, mosmarrëveshja mundtë zvarritet për dekada.

Gjithashtu, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi pak ditë më parë që “burra të mëdhenj”, do të zbarkojnë në Beograd gjatë gjysmës së parë të janarit.

Lajmin e dhënë nga Vuçiç, edhe pse jo-zyrtarisht, e konfirmoi mediumi serb i afërt me presidentin në Serbi, Novosti.

Novosti duke u thirrur në burime diplomatike shkroi se pas 7 janarit Beogradin zyrtar do të vizitojnë përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Qëllimi i vizitës, sipas Novostit, ka të bëjë me përshpejtimin e arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Top diplomatët perëndimor, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, të cilët do të jenë të shoqëruar edhe me emisarët nga Franca e Gjermania, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, do të tentojnë ta bindin lidershipin serb për të filluar dialogun në bazë të propozimit franko-gjerman për normalizim të plotë të marrëdhënieve.

Vizita vjen para përvjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë që shënohet më 24 shkurt dhe paraqet një afat joformal kur Prishtina dhe Beogradi duhet të pajtohen për propozimin franko-gjerman.

Albanian Post, ekskluzivisht kishte siguruar skenarin e prezantuar për para marrëveshjen Kosovë-Serbi, të cilin e kishte publikuar më 20 nëntor, ku shkruhej se palët duhet të arrinin pajtim më së largu deri më 24 shkurt.

Ilustrim

Çfarë duhet të arrihet së paku deri me 24 shkurt?

Lajçak, dhe Escobar, ua kishin bërë të qartë kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, se “Tema e Kosovës dhe Serbisë duhet të mbyllet para një vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë”.

Siç i ishin prezantuar pikat Albanian Post-it, arsyeja e urgjencës ishte se “në një vjetorin e luftës në Ukrainë, shtetet aleate planifikojnë që të demonstrojnë unitet, gatishmëri e fuqi në përkrahje të Ukrainës”.

Sipas asaj që kishte parë AP, “ky demonstrim do të shënojë kalimin në një nivel tjetër të përkrahjes për Ukrainën”.

Ky plan kishte shkaktuar nevojën që tema të trajtohet urgjentisht, prandaj “lidershipi në Kosovë duhet të mendohet mirë”.

Pyetja ishte vënë qartë dhe thjesht – “A do të bëhet pjesë e këtij demonstrimi të unitetit dhe fuqisë së aleatëve apo do që ta rrënojë nga brenda?”.

Liderëve në Kosovë u ishte kërkuar që përkushtimi i tyre më nuk duhet të jetë deklarativ, por “duhet ta tregojnë me vepra se vërtet janë pjesë e aleatëve”.

Siç e kishte thënë qartësisht edhe Escobar, “ajo që pritet nga palët është pëlqimi për marrëveshjen për rrugën para”.

Komuniteti ndërkombëtar më nuk kërkon “një zgjidhje të shpejt”, por “një proces pajtimi”, i cili dallon nga dinamikat e dialogut aktual dhe kërkon arritje pajtimi në disa faza.

Projekti ishte hartuar me kujdes dhe ishte gjetur një rrugë e re “ku secila palë ruan mirazhin e pozicionit të vet parimor”.

“Palët do të kenë shumë përfitime, në afat të mesëm dhe të gjatë”, nëse bëhen pjesë e këtij plani të ri ndërkombëtar, por po ndodhi e kundërta është treguar “edhe një shkop shumë i ashpër”, për këdo që nuk tregohet konstruktiv në këtë fazë.

Siç kishte thënë edhe Escobar në konferencë për media me Kurtin, “Kosova duhet të kuptojë implikimet rajonale” që vijnë me pozicionimin e tyre.

Prandaj, “zgjedhja është e Kosovës dhe Serbisë” të vendosin se cila do jetë rruga para.

Një nga pikat më të rëndësishme të asaj që kishte parë Albanian Post, në planin e fazës së parë, apo në atë që është prezantuar si “rruga e Marrëveshjes Kosovë – Serbi”, ishte pika tre.

Sipas kësaj pike, “pasi që njohja e ndërsjellë nuk është pjesë e kësaj faze, kjo nënkupton që, në këtë fazë, nga Serbia nuk do të kërkohet të ndryshojë kushtetutën”.

Mos ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë, në të cilën ende Kosova është pjesë e këtij shteti, e njëjta nuk do të kërkohet as nga Kosova për formimin e Asociacionit.

“Pasi që Serbia nuk do që ta ndryshojë kushtetutën atëherë askush nuk ka të drejtë që të kërkojë nga Kosova që ta ndryshojë kushtetutën e vet, për ta akomoduar një Asociacion si nivel i ri i pushtetit”, thuhet në këtë pikë, ku edhe është paraparë se brenda çfarë formati parashihet formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Asociacioni duhet të mishërojë praktikat më të mira të mundshme të garancive për komunitetin serb, por kjo është e tëra”.

Sipas asaj që i është prezantuar Qeverisë së Kosovës “nuk do të jetë OJQ, por gjithsesi do të akomodohet brenda kornizës ekzistuese të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

Se çfarë modeli do të jetë, disa nga versionet u ishin prezantuar nga Escobar, presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti.

Nëse palët refuzojnë të pajtohen për skenarin përpara dhe refuzojnë fillimin e rrugëtimit konkret drejt fazës së fundit për pajtim final, ndërkombëtarët kanë parashikuar edhe një skenar alternativ, ku do ta merrnin procesin krejtësisht në dorën e tyre.

Në Prishtinë dhe Beograd u ishte thënë se duhet ta kenë të qartë që “kjo përpjekje dallon nga dinamika e deritashme e dialogut”.

Fuqitë ndërkombëtare e kishin një referencë se si do të mund ta përshpejtonin arritjen e një pajtimi, duke i larguar liderët dhe ekipet negociatore nga komfort-zona e tyre dhe mbledhur në një vend të gjitha palët, për të dalur me një marrëveshje brenda ditësh.

Ekskluzive: Kjo është rruga e para-marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjithçka duhet të kryhet para datës 24 shkurt ose pason “shkopi i rëndë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore