Lajme

OBSH-ja shpall fundin e Ebola-s në Guinea


Një shpërthim i virusit të Ebola-s që filloi në Guinea në shkurt të këtij viti, duke infektuar 16 njerëz dhe vrarë 12 të tjerë, është zhdukur.

Lajmi u bë i ditur nga ministria e Shëndetësisë në Afrikën Perëndimore dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Unë kam nderin të shpall fundin e Ebola-s në Guinea”, tha zyrtari i OBSH-së, Alfred Ki-Zerbo, në një ceremoni në rajonin juglindor të Nzerekore-s.

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Remy Lamah, u shpreh se ky është një lajm i gëzueshëm.

Autoritetet shëndetësore ishin në gjendje të lëviznin me shpejtësi për të luftuar ringjalljen e virusit, pasi ishin përballur njëherë me shpërthimet në Guinea dhe Republikën Demokratike të Kongos.

“Bazuar në mësimet e nxjerra nga shpërthimi 2014-ën dhe përmes përpjekjeve të shpejta dhe të koordinuara, Guinea arriti të kontrollojë shpërthimin dhe të parandalojë përhapjen e saj përtej kufijve të saj”, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom, në një deklaratë.

Në shkurt, Guinea nisi një fushatë vaksinimi për të ndaluar përhapjen e sëmundjes. Përhapja e Ebola-s në 2014-ën vrau 11 mijë e 300 njerëz, kryesisht në Guinea, Sierra Leone dhe Liberi.

Ebola shkakton ethe të forta dhe, në rastet më të këqija, gjakderdhje të pandalshme.

Ajo transmetohet përmes kontaktit të ngushtë me lëngjet trupore dhe njerëzit që jetojnë me të ose kujdesen për pacientët me Ebola janë më të rrezikuarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore