Lajme

O’Brien i Rambujesë propozohet si ndihmës-sekretar amerikan – Tahiri e Hyseni e kujtojnë si “diplomat të rryer”, “i hapur” dhe “i dijshëm”


Diplomati amerikan Jim James O’Brien është propozuar nga presidenti i ShBA-së, Joe Biden për ta marrë pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Departamenti i Shtetit .

O’Brien aktualisht shërben si Shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën Ambasador në Departamentin e Shtetit, post të cilin e mban që nga viti 2022.

Më parë, O’Brien ka shërbyer në dy administratën amerikane si një i dërguar special presidencial.

Po ashtu O’Brien, si ish-punonjës i Departamentit të Shtetit në karrierë dhe marrës i çmimeve të shumta të performancës nga viti 1989 deri në 2001.

Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë i ish-Sekretares Madeleine Albright dhe Zëvendës Drejtor kryesor për Planifikimin e Politikave dhe i Dërguar Presidencial për Ballkanin.

Rambuje dhe Dejtoni

O”Brien, nëse emërohet në këtë pozitë do jetë edhe eprori i Gabriel Escobar-it, i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cili aktualisht është diplomati më i angazhuar amerikan kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ishte pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje në vitin 1999, ishte anëtari i parë i delegacionit amerikan.

Përveç kësaj, O’Brien u përfshi në gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund asaj lufte.

“Diplomat i rryer”, “Përzgjedhje e qëlluar”

Edita Tahiri, e cila ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Paqes në Rambuje në vitin 1999, kur pyetet për O’Brien, këtë të fundit e cilëson “si diplomat të aftë”.

“E njoh si një diplomat të aftë dhe mjaft të infomruar me proceset e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zgjidhjeve paqësore të konflikteve. Mendoj që është përzgjedhjeve e qëlluar nga ShBA-ja për t’ia dhënë detyrën e re. Është i hapur dhe i dijshëm, me një gjuhë argumentuese”, tha ajo për Albanian Post.

Tahiri, thotë se ka punuar me diplomatin amerikan para konferencës së Rambujes, derisa Emisar Special i ShBA-së për Kosovën ishte Christopher Hill, tash ambasador në Serbi.

“Po flas për një vit para Rambujes, gjatë vitit 1988, kemi pasur negociata për të arritur një marrëveshje ndërkohë që lufta zhvillohej në Kosovë. Dhe nga ai proces ka dalë edhe draft-marrëveshja e Rambujes e cila është prezantuar pastaj si dokument fillestar. O’Brien ka punuar në atë dokument bashkë me Hill-in, meqë ka qenë një bashkëpunëtor shumë i ngushtë Albight.

“Gjatë takimeve që kemi pas para Rambujes, ka pas njohuri të mëdha për rrjedhat e Ballkanit, por edhe të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kam vlerësime të larta për aftësinë që ka, por edhe qasjen që e ka në kuptimin e gjetjen e zgjidhjeve paqësore të vendeve që kanë konflikt mes vete”, shtoi Tahiri.

Edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, i cili po ashtu mori pjesë në Konferencën e Rambujes, e përshkruan si natyrë të qetë diplomatin O’Brien, të cilin thotë se ende e ka mik dhe i ka ruajtur kontaktet me të.

“Është diplomat i rryer, shumë i përgatitur dhe i shkolluar, është i qetë nga natyra”, potencoi Hyseni për AP.

Sipas, Hysenit, O’Brien është diplomat i karrierës në disa administrata amerikane dhe “ka qenë i lidhur ngushtë me procesin e para Rambujes dhe pas Rambujes”.

Ndryshe, ardhja e Joe Biden në pushtet në SHBA dhe më pas shpërthimi i luftës në Ukrainë intensifikuan aktivitetet e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.

Rivendosja diplomatike e Biden filloi me emërimin e Escobar-it, si i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu Biden e emëroi si ambasador në Serbi, Christopher Hill-in, meqë konsiderohet si një njohës i mirë i rajonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore