Shqipëria

Objektivi i qeverisë, abetarja e unifikuar në të gjitha trevat shqipfolëse


Ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Evis Kushi zbuloi një objektiv të qeverisë shqiptare lidhur me shpërndarjen e abetares së unifikuar në të gjitha trevat shqipfolëse.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për shtyp me mediat.

“Objektivi ynë është që kjo abetare vitin e ardhshëm të jetë edhe në duart e vogëlushëve në të gjithë trevat shqipfolëse. Me Maqedoninë e Veriut kemi rënë dakord, sepse ata e kanë përfshirë që në këtë vit si tekst plotësues por që nga viti i ardhshëm edhe ata do ta kenë tekst unik”, u shpreh fillimisht zyrtarja shqiptare.

Sipas saj, së bashku me ministren e Arsimit në Kosovë (Arbërie Nagavci – ed) autoritetet po komunikojnë me Malin e Zi edhe me Luginën e Preshevës për abetaren e unifikuar.

“Abetarja e përbashkët unike është një nga krenaritë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit por jo vetëm sepse është një punë e bërë me shumë dashuri e bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit në Kosovës. Janë angazhuar shumë ekipe dhe ekspertë dhe tashmë kemi për vogëlushët e klasave të para në Shqipëri dhe në Kosovë një tekst të ri unik”, shtoi Kushi.

Ajo vërejti se kudo gjendet një tekst i unifikuar, i cili është përshtatur me kushtet e reja, me kurrikulën e re dhe ka përmbajtje digjitale.

Në vigjilje të fillimit të ri arsimor në Shqipëri, i cili nisi zyrtarisht më 12 shtator, u mbajt edhe një ceremonia inauguruese e Abetares së unifikuar të gjuhës shqipe.

Kjo, si një punë e realizuar nga ministritë e Arsimit në Shqipëri dhe Kosovë, pas propozimit të ardhur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë mbledhjes së dy qeverive në nëntor 2021, në Elbasan.

Kështu, brenda pak muajsh, u arrit të botohej Abetarja e unifikuar dhe t’i vihej nxënësve në përdorim.

Ministrja Kushi, e cilësoi asokohe si një arritje të të gjithë kombit, duke theksuar se interes të shtuar ka pasur edhe nga pala maqedonase, ku një pjesë e madhe e popullsisë është shqiptare dhe gjuha shqipe është kthyer në zyrtare në vendin fqinj.

Si një çast shumë të veçantë, por edhe sfidë më vete me kohën, e ka emërtuar themelin për të ndërmarrë rrugën drejt krijimit të Abetares së përbashkët, kryeministri Rama.

Përmasat do të zgjerohen edhe përtej perimetrit rajonal, pasi me risitë që libri i ri sjell, edhe në skajet më të largëta të globit, fëmijët shqiptarë do ta kenë të mundur të përvetësojnë gjuhën shqipe, e cila në vetvete, sipas Ramës, rrezikohet tej mase, për shkak të globalizimit dhe një përhumbjeje të përgjithshme të interesit ndaj librit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore