Bota

Obeziteti rrit rrezikun e vdekjes nga Covid 19, midis burrave


Një studim i ri mbi shkaqet e vdekjeve të coronavirusit ka treguar se, mbipesha mund të luajë rol të rëndësishëm, sidomos tek meshkujt nën 60 vjeç. Në analizën e studimit të mijëra pacientëve të trajtuar në një sistem shëndetësor të Kalifornisë Jugore, mbipesha ekstreme u identifikua si një faktor i pavarur rreziku.

“Midis grave problemi i obezitetit nuk u duk të lidhej me këtë rrezik. Ndoshta sepse tek gratë yndyra shpërndahet në gjithë trupin, në ndryshim tek meshkujt tek të cilat tendenca e shtresëzimit të dhjamit është tek organet e brendshme”, thanë autorët. Studimi u botua në Analet e Mjekësisë së Brendshme, ditën e mërkurë.

“Indeksi i masës trupore(B.M.I) është një faktor rreziku vërtet i rëndësishëm, i fortë dhe i pavarur për vdekjen midis atyre që diagnostikohen me Covid 19”, tha Sara Tartof, autorja e parë e studimit.

Por sipas saj, “ndikimi nuk është uniform në të gjithë popullsinë”. Nuk u vu re tek moshat e mëdha dhe as tek femrat.

Obeziteti dhe koronavirusi janë një kombinim i rrezikshëm për një numër arsyesh

Obeziteti shkakton frymëmarrje të kufizuar. Kjo e vështirëson pastrimin e pneumonisë dhe infeksioneve të tjera të frymëmarrjes. Një burim i kimikateve pro-inflamatore, të yndyrnave nxisin një gjendje inflamacioni kronik në organizëm. Mbipesha shkakton ndryshime metabolike dhe anomali. Kjo madje edhe në mungesë të diabetit.

Studimi nuk është i pari që targeton mbipeshën si një fajtor në vdekjet e Covid-19 tek të rinjtë.

Një raport i lëshuar nga Shëndeti Publik në Angli, po ashtu arriti në përfundimin se mbipesha rrit rrezikun e komplikimeve dhe vdekjes nga Covid-19. Qindra artikuj të ngjashëm mbi këtë temë janë botuar. Midis tyre, një studim i publikuar muajin e kaluar nga Universiteti i Columbia-s.

Kërkimi zbuloi se individët me Covid 19 dhe mbipeshë, kishin 60% më shumë gjasa të trajtoheshin me ventilim mekanik apo të vdisnin. Ai vuri në dukje gjithashtu, shpeshtësinë e rasteve tek meshkujt nën 65 vjeç.

“Megjithatë, raportet e hershme nga Kina dhe Italia nuk e përqëndruan mbipeshën si faktor të pavarur rreziku. Kjo mund të shpjegohet dhe pasi vetëm 6% e popullsisë kineze është e shëndoshë. Krahasuar me 20% të popullsisë në Itali dhe 24% në Spanjë. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë një nga nivelet më të larta të mbipeshës në botë”, ka shkruar New York Times.

Shkencëtarët gjithashtu donin të dinin nëse faktorët demografikë, si mosha, seksi dhe raca apo etnia, luanin një rol

Ndërsa popullatat e afro-amerikanëve dhe ato latine janë goditur në mënyrë disproporcionale nga virusi, studimi nuk gjeti që raca apo përkatësia etnike të ishin një faktor i pavarur rreziku.

“Ne nuk po themi që pabarazitë nuk ekzistojnë, por jemi duke shqyrtuar se çfarë po i shtyn”, u shpreh Tartof.

“Ne kemi vënë re që tek pakicat racore dhe ato etnike kishin rezultate shumë të këqija. Por, gjithashtu këto pakica kanë më shumë gjasa të jenë mbipeshë, ose të kenë më pak akses në kujdesin shëndetësor. Njësoj dhe për sëmundjet bashkë-shoqëruese”, shtoi ajo.

Midis pacientëve me Covid 19 në studim, ata me mbipesha ekstreme- me vlerë të B.M.I.-së, 40 ose më shumë- ishin nën rrezikun e vdekjes, gati tre herë më shumë sesa ata me peshë normale. Ata me B.M.I. sipër 45, kishin më shumë se katër herë, gjasa për të vdekur. Me rrezikun më të madh midis burrave nën 60 vjeç.

Studimi në fjalë ka tërhequr vëmendjen e doktorëve në kryqëzimin e dy shqetësimeve kryesore shëndetësore. Ai ka ngritur nevojën e krijimit të politikave për trajtimin e obezitetit, njësoj siç po luftohet dhe me coronavirusin.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore