Kosova

Nushi: Bordi i ZRRE-së të jap dorëheqje, rritja e çmimit ishte e padrejtë


Aktivistët e Partisë Social Demokrate të Kosovës kanë zhvilluar një aksion simbolik në Zyrat e Rregullatorit të Energjisë dhe kanë kërkuar dorëheqjen e bordit të ZRRE-së, pasi Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Themelores me të cilin ishte pezulluar vendimi i muajit shkurt i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Aktivisti i PSD-së, Nol Nushi, ka thënë se PSD-ja ka paralajmëruar që nga fillimi që kjo rritje e çmimit të rrymës është e padrejtë dhe është korruptive, “kurse të mërkurën u vërtetua që është edhe joligjore”.

“Kjo është vetëm një nisje e skandalit të madh të kësaj Qeverie, subvencionimi që i është bërë KEDS-it është jo transparent dhe ende nuk e dimë ku po shkojnë ato para. Këtij institucioni duhet të ia kujtojmë një veprim që është moral, që është dorëheqja. Kanë bërë një shkelje të ligjit e cila ka varfëruar qytetarin, ose duhet të shkarkohen”, tha Nushi.

Sipas tij, “që nga janari qytetarët kanë qenë përballë Qeverisë duke kundërshtuar një vendim të  këtij institucioni që rriste çmimin e energjisë elektrike dhe kështu mundësonte që Qeveria e Kosovës ta subvencionoj me 100 milionë euro.

“Kosova përgjatë këtyre muajve të rritjes së çmimit të energjisë më shumë ka eksportuar se sa që ka importuar, por ne kemi paguar rrymën tre fish më shtrenjtë varësisht nga bllok tarifat”, shtoi ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses Partia Demokratike e Kosovës dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.

Pavarësisht se Themelorja pati vendosur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, faturat qytetarëve u kanë shkuar me tarifat e reja.

Paraprakisht, ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore