Lajme

Numri i të vdekurve nga shpërthimi i minierës turke shkon në 41


Numri i të vdekurve pas një shpërthimi në një minierë qymyri në provincën veriore Bartin të Turqisë të premten ka arritur në 41.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar deklaratën e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Më herët, Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se 58 nga 110 personat që punonin në minierë kur ndodhi shpërthimi u shpëtuan nga ekipet ose dolën vetë.

Soylu tha gjithashtu se një minator u lirua nga spitali ndërsa 10 ishin ende duke marrë trajtim në Bartin dhe Stamboll.

Ndërtimi i ngjarjes

Rreth 49 persona, po punonin në zonën e rrezikshme midis 300 dhe 350 metra nën tokë, tha Soylu për mediat turke.

Raportohet nga ana tjetër se rreth 100 persona ishin në minierën në kohën e shpërthimit.

Gjysma e tyre, ndodheshin në afërsi të vendngjarjes, në 300 metra thellësi.

Shkaqet e shpërthimit nuk dihen ende, ndërsa Prokuroria turke ka nisur hetimet.

Ministri i Energjisë i Turqisë, tha se kishte indikacione fillestare se shpërthimi ishte shkaktuar nga një shkëndijë në një pellg gazi metan.

Një punëtor i mbijetuar shpjegonte situatën, duke thënë se kishte shumë pluhur dhe tym dhe nuk e kuptuan se çfarë ndodhi.

Kryetari i Bashkisë Bartin, Amasra Recai Cakir, pohoi se shumë nga ata të cilët mbijetuan kishin pësuar dëmtime të rënda.

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, pohoi gjithashtu se 11 persona ishin shpëtuar dhe po trajtoheshin.

Ekuipazhet e emergjencës punuan gjatë gjithë natës, duke gërmuar nëpër shkëmb në përpjekje për të gjetur të mbijetuar.

Miniera i përket ndërmarrjeve shtetërore turke të qymyrit të fortë.

Një ngjarje e tillë është përsëritur edhe në vitin 2014, ku rreth 301 punëtorë vdiqën si pasojë e një shpërthimi në një minierë të ngjashme në qytetin perëndimor, Soma.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore