Zgjedhjet në Shqipëri

Numërimi për kandidatët, herësin nuk e thyen askush


Vijon në gjithë vendin numërimi i votave për kandidatët e gjithë subjekteve politike. Kukësi, është qarku i vetëm ku ka përfunduar numërimi i kandidatëve.

Shumë pak kuti ndërkaq janë numëruar në Tiranë dhe Durrës – dy prej qarqeve me numrin më të madh të votuesve në vend.

Por si paraqitet situata e kandidatëve në kampin socialist?

Ajo që bie në sy së pari, është fakti se Pandeli Majko, mbetet jashtë Parlamentit në qarkun kryeqytetas. Socialistët kanë siguruar 18 mandate në Tiranë, por, Majko renditet i 19-i në listë. Herësi nuk thyhet nga ai me votat momentale.

Gjithsesi, duhet sqaruar situata me zgjedhjen e Fidel Yllit si kryetar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, nëse ky i fundit mund të mbajë ose jo ligjërisht edhe mandatin e deputetit.

Nga projeksioni i deri tanishëm, Fatmir Xhafaj dhe Mimi Kodheli, do të mbeten jashtë, pasi nuk arrijnë votat e nevojshme për mandat.

Në Berat, Blendi Klosi është më i votuari nga kampi socialist. Ai ndiqet nga Bardhyl Kollçaku dhe më pas nga Nasip Naço.

Në Dibër, Aurora Mara ka numrin më të lartë të votave socialiste. Dionis Imeraj dhe Melaim Damzi, pavarësisht se kanë më shumë vota se sa kreu i listës socialiste, Lavdrim Krashi, nuk do të futen në Parlament.

Durrësi socialist nuk kryesohet nga votat e kryeministrit. Jurgis Çyrbja arrin të mbledhë më shumë deri më tani. Edi Rama ndjek. Më pas Rrahman Rraja e Lefter Koka.

Elbasani udhëhiqet nga Taulant Balla dhe ndiqet nga Saimir Hasalla. Në Fier, Erion Braçe kryeson. Gramoz Ruçi ndjek. Por, duhet theksuar se ai nuk do të ishte pjesë e Parlamentit sot, nëse nuk do të kishim ngjarjen e ndarjes nga jeta të ish-deputetit socialist, Bashkim Fino. Kjo, pasi Ruçi do ta thyente dot herësin.

Gjirokastra socialiste udhëhiqet nga Bledi Çuçi. Korça ndërkohë, nga Niko Peleshi. Në Kukës, Gerta Duraku kryeson tek socialistët. Eduard Ndreca, drejton Lezhën. Në Shkodër, votat më të shumta i shkojnë Paulin Sterkajt.

Vlora ndërkaq, konfirmon votën ndaj kryeministrit Rama. Damian Gjiknuri dhe Vullnet SInaj, e ndjekin kryeministrin.

Zhvillimet në kampin demokrat

Berati demokrat ka parë Tomor Alizotin si më të votuarin deri tani. Dibra ndërkaq, nuk sheh drejtuesin e qarkut, Xhelal Mziun, por numrin dy në listë, Kreshnik Çollakun.

Në Durrësin demokrat, drejtojnë garën dy kandidate: Manjola Luku dhe Andia Ulliri. Ato lënë pas me vota emra si Edi Paloka, Agron Duka apo Oerd Bylykbashi.

Më i votuari në Elbasan për demokratët, është Luçiano Boçi. Ai ndiqet ngushtë nga Dashnor Sula. Boçi gjithsesi, nuk arrin ta thyejë herësin dhe të futet në parlament.

Agron Kapllanaj udhëheq në Fier. Në Gjirokastër, kreu i listës, Tritan Shehu, është më i votuari. Në Korçë ndërkaq, është Ervin Salianji.

Kukësi ka votuar sipas renditjes së listës. Lezha po sheh Mark Markun si më të votuarin. Në Shkodër ndërkohë, Zef Hila ka marrë më shumë vota në kampin demokrat.

Tiranën e udhëheq në garë kreu i partisë, Lulzim Basha. Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj, ndjekin në kryeqytet. Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka më pak se gjysmën e votave të kreut të PD-së.

Në Vlorë, po ashtu, drejtuesi i qarkut, Bujar Leskaj, udhëheq me vota.

Sistemi i listave pjesërisht të hapura ndërkohë, ka treguar se thyerja e herësit, është e vështirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore