Shqipëria

Nuk ndryshon norma bazë e interesit për lekun, thotë Sejko


Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mos ndryshojë normën bazë të interesit për lekun, kjo nisur nga vënia nën kontroll e inflacionit.

Guvernatori i Bankës Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën për shtyp të së mërkurës, tha se “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi diskutoi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe ecurinë e pritshme të tyre, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 3.0 %”.

Sejko theksoi se qëndron e pandryshuar norma e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 2.0 % dhe mbetet e pandryshuar norma e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 4.0 %.

Guvernatori bëri të ditur se, zhvillimet ekonomike dhe monetare të gjysmës së parë të vitit kanë qenë në linjë me pritjet tona.

“Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni shënoi një rënie të ndjeshme. Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare po lë pas pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2022 – 2023”,.

Sipas tij, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë ecuri. Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare arriti të vërë inflacionin nën kontroll, duke mos cenuar trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe stabilitetin financiar të tij.

“Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se trendet pozitive të zhvillimit do të vijojnë edhe në të ardhmen. Në veçanti, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në afatin e mesëm, me norma të qëndrueshme dhe pranë potencialit, ndërkohë që inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale për pjesën e mbetur të vitit dhe të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër”.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

Guvernatori informoi gjithashtu se, në çdo rast, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri, si dhe do të jenë konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore