Shqipëria

Nuk mund të takohem me persona non grata, thotë Donfried për Berishën


Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Karen Donfried, deklaroi se nuk mund të takohet me persona të shpallur non grata – referuar ish-kryeministrit Sali Berisha.

Lajmin e bëri të ditur “Zëri i Amerikës”, duke cituar intervistën me zyrtaren amerikane.

“Sekretari Blinken e shpalli Z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur. Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë”, u shpreh fillimisht Donfried.

Në vijim të intervistës, ndihmës sekretarja sqaroi se u takua gjatë ditës së sotme me drejtues të opozitës – referuar kryetarit të komanduar Enkelejd Alibeaj dhe nënkryetares së PD-së, Jorida Tabaku.

“Më bëri përshtypje se sa shumë biseda jonë u përqendrua jo tek e kaluara por tek e ardhmja dhe se çfarë PD-ja kërkon të arrijë dhe pret për sa i përket çuarjes përpara të objektivave të Shqipërisë”, shtoi zyrtarja amerikane për VOA-n.

Sa i takon kritikave ndaj ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ndihmës sekretarja ravijëzoi mbështetjen e qeverisë së SHBA-ve.

“Mund t’ju siguroj që Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Tony Blinken dhe unë, të gjithë kemi besim të plotë tek Ambasadorja Yuri Kim”, theksoi Donfried.

Shqipëria, sipas saj, nuk mund të kishte më shumë fat se sa të ketë atë si përfaqësuese të SHBA-ve.

Kjo, duke punuar çdo ditë për të forcuar atë që është tashmë një marrëdhënie e rëndësishme midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore