Lajme

“Nuk kam qenë e as nuk jam dëshmitare e Speciales”


Donika Gërvalla, Ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e ka mohuar se është dëshmitare e Gjykatës Speciale.

“Për të mos e keqpërdorur vizitën e homologut, për të mos shpenzuar kohën e tij, një përgjigje shumë e shkurtër. Jo, as nuk kam qenë as nuk jam. Mendoj që është përgjigja e mjaftueshme”, ka thënë Gërvalla në konferencë për media pas takimit me homologun e saj nga Kroacia, Gordan Grliq Radman.

Për këtë çështje ajo ka folur në një postim të saj të mëhershëm ku tha se asnjëherë nuk do të pushojë së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë.

“Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh. Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit”, kishte thënë Gërvalla.

Kryediplomatja para disa vjetësh pati deklaruar në TV Dukagjini se do ta ndihmojë Gjykatën Speciale me materialet që i posedon posa të formohet ajo.

Gërvalla aludonte se ka prova me shkrim, “të mbyllura në zarf”, në të cilat, sipas saj, kishte dëshmi për vrasje të pasluftës dhe në këto vrasje implikoheshin ish-krerë të luftës së fundit në Kosovë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dalë në mbrojte Gërvallës, duke thënë se “ajo e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në”.

“Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore